E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika kulturore nga zhurnali

Çfarë ka ndodhur në kulturën shqiptare në vitin që po ikën. Dështimet dhe sukseset e rëndësishme, ose thjesht lajme nga vendi, paraqitur gjatë 2009-ës në faqet e "Shekullit".

Gjatë vitit 2009 s'ka ngjarë gjë e veçantë. Po ju japim lajmet ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet.

Obama Hope

20 Janar - Revista ndërkombëtare me qendër në Tokio e quajtur "Courrier Japon", fton100 fotografë nga bota që të jenë dëshmitarë të historisë: "Të dokumentojnë vizualisht atë ditë kur presidenti i zgjedhur Barack Obama do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Askush nuk e di nëse ai do të jetë përgjigje për shpresat, por ndjejmë dhe shpresojmë se është shpresë për ndryshim dhe shpresë për ditë më të mira."

Dëshmia e Fushës për 20 janarin e 2009-ës, përfshihet në albumin "The Day of Change 1/20". Modeli i shpresës sipas Fushës? Kopshti Zoologjik! Fotografi u shpreh për gazetën: "Sot, më shumë më erdhi keq për kafshët. Njerëzit duken pothuaj të pashpresë këtu. Dhe kafshët janë reflektimi më i mirë i faktit që njerëzit e varfër "argëtohen" me skamjen e një kafshe pothuaj "të skllavëruar"."

Kongresi i Lushnjës dhe videoja e dasmës

23 janar - Shkarkohen tre drejtuesit kryesor të artit dhe kulturës në qytetin e Lushnjës. Janë quajtur shkaktarë kryesorë të incidentit të së mërkurës, më 21 janar, në 89-vjetorin e "Kongresit të Lushnjës".

Në ekranin e sallës është projektuar festa e një dasme apo gëzimi familjar diku në shtetin fqinj, Greqi, e cila është ngatërruar me filmin dokumentar kushtuar ngjarjes historike të Kongresit të Lushnjës.

Të ftuarit, njerëz të afërt apo trashëgimtarë të protagonistëve të Kongresit, jo pa ironi do të shpreheshin: "ja, kjo ishte dhurata që po i bëhej Kongresit të Lushnjës"... Kështu, ai që fillimisht u quajt incident, dhe i "klasifikuar" pak më vonë "ngjarje e rëndë", i është vënë përfundimisht vula si një ngjarje e turpshme.

Ndikimi i "Darkës" së Kadaresë në letërsinë botërore

1 shkurt - Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vlerësoi dje autorët dhe përkthyesit më të mirë për vitin 2008. Gjatë një viti juria shqyrtoi rreth 1500 tituj librash, për të mbërritur tek tetë fituesit e djeshëm. Ministri Ylli Pango i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare, "Çmimin e madh për letërsinë".

Ky çmim iu akordua "për ndikimin që vepra e tij "Darka e gabuar" ka pasur në letërsinë botërore", (edhe pse ky roman ka vetëm 2 muaj që është botuar). Shkrimtari i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u kufizua duke thënë se i vjen mirë që "lexuesi po i rikthehet shijes së tij".

Akademia e Shkencave zgjedh kreun e ri

8 shkurt - Akademia e Shkencave pas një periudhe tranzicioni me drejtues të përkohshëm, zgjodhi kreun e ri. Matematicieni Gudar Beqiraj fitoi postin e kryetarit të Akademisë pas votimit me dy raunde.

Kryetari i sapozgjedhur pak momente pasi ishte shpallur rezultati i votimit u shpreh se ndryshimin e parë të "erës Beqiraj" ai cilësoi faktin që mediat në ndryshim nga herët e tjera ishin prezente gjatë procesit të votimit.

Një obelisk tek Piramida

13 shkurt - Kryeministri Sali Berisha ka hedhur idenë për një "Obelisk të viktimave dhe të krimeve të komunizmit". Gjithçka që opinioni publik di është që kryeministri ka pak javë që ka ngarkuar ministrin e Kulturës Ylli Pango për hapjen e një konkursi ndërkombëtar ku të ftohen artistë dhe arkitektë nga bota për të realizuar objektin i cili do të vendoset pranë Piramidës.

Nëse kërkesa është politike, si një ndër obligimet që shteti shqiptar duhet të përmbushë përballë Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, fjala u duhet lënë arkitektëve sepse bëhet fjalë për një zgjidhje arkitekturore; dhe opinionit publik sepse bëhet fjalë edhe për një çështje të ndërgjegjes qytetare: raporti me kujtesën historike.

Nderim viktimave të Komunizmit

20 shkurt - Në Muzeun Historik Kombëtar çelet ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist". Në hapësirën prej 400 metra katrorë të hollit të muzeut ekspozohen materiale që datojnë që prej përfundimit të Luftës së dytë Botërore e deri në vitin 1991.

Më janar 2009, qeveria "Berisha" e shpalli 20 shkurtin "Ditë të Nderimit të Viktimave të Sistemit Komunist" dhe ngarkoi ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të hapë konkursin ndërkombëtar për ngritjen e obeliskut në nder të viktimave dhe atyre që vuajtën nën peshën e dhunës së 45 vjetëve dhe të ngrejë këtë ekspozitë.

"Marubi" rrethohet me tel

21 shkurt - Rreth orës 13.30 të ditës së djeshme, një grup burrash ndaloi në hyrjen e Akademisë "Marubi". Një turrë me policë, një punëtor me çekan, dy të tjerë me topa teli nën drejtimin e një burri me pardesy, kapele dhe gjyzlykë të zeza. Është drejtori, prej tre muajsh i AlbaFilm Studios, asaj çka mbeti shtetërore nga Kinostudio.

Fatmir Musaj po zbaton atë që pati njoftuar një ditë përpara, më 20 shkurt, ultimatumin drejtuar Akademisë së Filmit dhe të Multimedias Marubi, për të liruar dhe dorëzuar sipërfaqen e oborrit me argumentin se kjo përdoret "në mënyrë të kundraligjshme dhe pa asnjë tagër ligjor (lulishtja përpara godinës së ish Repartit të Zërit)."

Rektori i Akademisë, regjisori Kujtim Çashku, sapo i kishte dhënë fund fjalës para studentëve ku theksonte se kjo që pritej të ndodhte ishte "akt terrorist ndaj Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi".

Lamtumirë Viktor Gjikës

4 mars - Regjisori Viktor Gjika nuk është më. Vdekja e tij mund të quhet humbje për kinemanë shqiptare e cila tani po përjeton një fazë krize.

Pas një ndërhyrjeje mjekësore në Romë, Gjika 71-vjeçar u kthye në shtëpi në Tiranë prej së cilës doli dje, për herë të fundit. Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar të afërm dhe kolegë i bënë homazhe dhe i dhanë lamtumirën. Kortezhi i gjatë i njerëzve të artit por edhe politikanë e nderuan për një orë dje në mesditë këtë figurë të kinemasë shqiptare.

Është autor i filmave "Komisari i dritës" me Dhimitër Anagnostin, "Horizonte të hapura", "I teti në Bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Përballimi", "Njeriu me top", (1977), "Gjeneral gramafoni" etj.

Montaneli në shtypin shqiptar

23 prill - Dita Ndërkombëtare e Librit ka një kalendar modest zyrtar më 23 prill, por cilësor. Në Bibliotekën Kombëtare festohet përvjetori i njëqindtë i lindjes i Indro Montanellit, duke marrë shkas nga kontributi i tij si gazetar mendimtar dhe historian, me idetë për botën shqiptare të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar.

Prezantohet ekspozita "Montaneli në shtypin shqiptar" dhe libri "Shqipëria një dhe njëmijë", që ai shkroi pas udhëtimit në vendin tonë. Është ftuar për këtë rast Sandro Gerbi, autor i një biografie për gazetarin. Gerbi do të mbajë konferencën "Montaneli në njëqindvjetorin e lindjes akoma hap diskutime".

Maia Morgenstern në Teatrin Kombëtar

24 prill - Maia Morgenstern, më e njohura aktore rumune në botë për rolin e Marisë së Virgjër tek "Mundimet e Krishtit" të Mel Gibsonit, në prezantim e saj të parë me publikun shqiptar, dha një interpretim të shkëlqyer.

Në baladën e vëllait të vdekur, përshtatur për skenë nga regjisori grek Sotiris Haxaqis, ajo ka qenë një nga tre pamjet e nënës së Kostandinit dhe Dhoqinës, përkrah dy aktoreve, Maria Kaciadhaqi dhe Margarita Xhepa... Para premierës në Tiranë, ajo dha një intervistë për "Shekulli"-n, fillimet e karrierës në një vend ku mungonte liria dhe dalja në skenën ndërkombëtare. Për xhirimet me Gibsonin, aktorja tregon: "Isha shtatzënë dhe kisha komplekse".

Biblioteka digjitale

27 prill - Përdoruesit e rrjeteve virtuale mund të hyjnë në kontakt me materiale të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare. Biblioteka Kombëtare njoftoi dje se janë gati për hedhjen në rrjet të koleksioneve të para digjitale, të cilat së shpejti mund të kërkohen në adresën www.bksh.al.

Më 21 prill, BKSH, drejtori i saj Aurel Plasari, nënshkroi pjesëmarrjen si partnere në projektin Biblioteka Digjitale Botërore. BKSH-ja është ftuar nga UNESCO-ja dhe Biblioteka e Kongresit Amerikan, pasi prej vitit 2008 është përfshirë në Bibliotekën Evropiane. Janë digjitalizuar vepra antikuarë, dorëshkrime, epistolarë dhe periodikë, ndër të cilat "Albania" e Konicës.

Pasolini në Tiranë

29 prill - Prezantimi i parë zyrtar që iu bë këto dy ditë në Tiranë Pier Paolo Pasolinit, nuk ishte ai që pritej, si nga organizatorët, po edhe nga prania e pakët, indiferenca e publikut dhe jo publikut të teatrit, kinemasë dhe poezisë, arte që Pasoloni i lëvroi me të njëjtin ankth.

Ekspozita me fotot e nxjerra nga xhirimet e "Ungjillit sipas Mateut", përgatitur nga Kinoteka e Bolonjës, nuk u realizua "për arsye teknike". Kurse konferenca "Pier Paolo Pasolini poeti i hirit" e përgjegjësit të Qendrës së Studimeve në Arkivin Pasolini, Kinoteka e Bolonjës, Roberto Chiesi, u ndoq vetëm nga punonjësit e Bibliotekës Kombëtare.

"Na ndihmoni për gratë"

1 maj - Pritja e djeshme e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, ishte për një mbështetje morale të përfaqësimit të Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës në Moskë.

Ministria mund të ketë lidhje me ndonjë festival privat kënge që e financon çdo vit, por jo me festivalin e RTSH-së, i cili zgjedh këngën që shkon në Eurosong...Autori i tekstit të këngës, Agim Doçi, shprehu bindjen se me muzikën e atdhetarit dhe kompozitorit, Edmond Zhulali dhe me zërin e Kejsi Tolës, "ne do të tronditim Moskën dhe Kremlinin". "Miratoni një fond të veçantë për familjarët tanë. Ne jemi buxhetorë. Ja, gruaja e drejtorit, e imja dhe e Zhulalit, do paguajnë nga xhepi".

Balerinët solistë ikin nga TOB-i

4 maj - Solistët klasikë, Manjola Hasani dhe Ezdalin Gorani, largohen nga skena e TOB-it, për t'iu përkushtuar baletit modern në spektaklet televizive. Të gjendur përballë shumë vështirësive, ku një prej të cilave (për të mos thënë më kryesorja) është vlerësimi financiar, ikja duket e vetmja zgjidhje... Sipas zyrës së shtypit të TOB-it, ky institucion do t'i ketë gjithmonë të hapura dyert për bashkëpunime, dhe do t'i thërrasë balerinët në ato projektet ku do të ketë nevojë për ta.

Pastrim dhe zbulim

7 maj - 120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri, Galeria Kombëtare nxjerr prej fondit 184 vepra. Fare pak skulpturë, disa dhjetëra vepra të panjohura, kurrë të ekspozuara ose që paraqiten 40 vjet pas krijimit dhe autorë të talentuar që u është varrosur emri. Krijohet më në fund një linjë e mirë muzeore, ngushtohet hapësira për zhvillimet alternative të arteve pamore

Koka e Asklepit më e vogël se e propagandës

22 maj - Koka e Zeusit, një vlerë e kulturës shqiptare mbas 18 vjetësh rikthehet në atdhe. Mallëngjyese po të besosh që është vërtet kokë Zeusi, po ta quash shqiptare kulturën e miteve fqinje të mbjella në koloni, dhe t'i kesh të zënë të dy sytë kur e sheh të ekspozuar në Muzen Historik Kombëtar në sfondin e një imitacioni.

Koka e Asklepit, si të ishte një gur i çmuar i varur në gjalm, ekspozohej para një kopjeje të fragmentit të zmadhuar të paftës së brezit nga varri monumental i Selcës, shek. III para erës sonë... Propaganda për kthimin e kokës së Asklepit fsheh problemet reale që ka trashëgimia kulturore.

Dy kate sipër veprës antike, në Muzeun Kombëtar, gjendja e artit bizantin nuk mallëngjen më njeri. Autoritetet nuk e pranojnë gjendjen kritike. Specialistët thonë se problemi i ikonave nuk mund të fshihet pas gishtit.

Shqipëria në Eurimages

6 qershor - Është lajmi i fundit që vjen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, nga kryetari i saj, Xhevdet Feri, i sapokthyer nga qendra e kulturës evropiane për vitin 2009, Vilnius i Lituanisë ku, më 31 maj-2 qershor u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Eurimages.

Nëpërmjet një deklarate, ka përcjellë me entuziazëm fundin pozitiv që patën përpjekjet burokratike 18-mujore për anëtarësimin në këtë strukturë pranë Këshillit të Evropës, ku, deri më sot, aderojnë 33 vende.

Thomas Bernard premierë absolute

20 qershor - Thomas Bernhard, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar sonte me veprën "Forca e zakonit", me regji të Christian Papkes. Interpretojnë Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Elton Çefa.

Kadare fiton çmimin Asturias

25 qershor - Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, (73 vjeç) është vlerësuar dje në Oviedo me çmimin spanjoll "Princi i Asturias", çmim për letërsinë që vlerëson angazhimin shoqëror të veprës së tij.

Duke e cilësuar si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, organizatorët e çmimit thanë që Kadare "përfaqëson majën e letërsisë shqipe dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kapërcyer kufijtë për t'u ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit."

"Muaj e mjaltit" në Venecia

28 korrik - Film që hyn në histori. "Muajt e mjaltit", një realitet i cili nga dje hyn në historinë e përbashkët gjithë konflikte si e para vepër filmike shqiptaro-serbe. Producentët shqiptarë në Tiranë dhe regjisori Goran Paskaljevic në Beograd, deklaruan dje në të njëjtin moment, hyrjen në Programet e festivaleve të Venecies dhe Torontos. Bashkëskenaristi Përmeti: Do të shikoni dy histori njerëzore dhe një film politik

Paolo Sorrentino në Festivalin e Durrësit

29 gusht - Sheshi para Pallatit të Kulturës është fare i zbrazur kur Paolo Sorrentino zbret aty i shoqëruar nga një shofer vendas... Hyn në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të prezantojë filmin që i dha famë ndërkombëtare "Gjiganti". Salla është përgjysmë e mbushur.

Regjisori thotë dy fjalë, shpreh kënaqësinë e ardhjes për herë të parë në Shqipëri, pastaj prezantimi ndërpritet. Ikin dritat dhe Sorrentino lë skenën në errësirë pa marrë ndonjë shpjegim. Publiku e pret pa ndonjë reagim të veçantë filmin... Në mbyllje, pak duartrokitje.

As të rinj, as studentë, ndonjë kineast në pension, aktorë që e kanë mbyllur karrierën. Ky ishte publiku i Sorrentinos në Shqipëri. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve po atë mbrëmje, Paolo Sorrentinos i jepet Pjata e Argjendtë e Durrësit nga organizatorët e Festivalit Veror Ndërkombëtar të Durrësit që e kishin ftuar. Vizita njëditore e regjisorit më në zë italian këto tre vite, si për një kafe në bregdetin shqiptar, mbyllet këtu.

Dhurata 40 mijë $ Bibliotekës Kombëtare

2 shtator - Amaneti i Safete Sofia Jukës, përmbushet: kursimet e jetës, 40 mijë dollarë i dhurohen Bibliotekës Kombëtare. Plasari tha se do të përdoren për pasurimin e fondit të albanologjisë dhe balkanologjisë: "Një akt bamirës dhe një model i jetës gjithnjë e më i rrallë në ditët tona."

Bienalja e Tiranës dhe Hotel Dajti

18 shtator - Bienalja e Tiranës me temë "Eficenca simbolike e kornizës", episodi i parë i saj, u prezantua mbrëmë në mjediset e Hotel Dajtit, një ndërtesë që edhe pse nën "administrimin" e Ministrisë së Jashtme, është në rrënim të plotë.

Një Hotel Dajti i perënduar duket ide gati të të përkundë në ëndrra të ëmbla të kujtimeve, por një Hotel Dajti si ai ku janë ekspozuar punët e para të Bienales, ka për të vënë në siklet si vendasit, si mysafirët arkitektë që do të mbajnë diskurse për zhvillimet, traditën dhe të ardhmen e qyteteve të reja si Tirana.

Ndahet nga jeta Dhimitër Xhuvani

20 tetor - Pas një sëmundjeje të rëndë, në orët e para të ditës, 19 tetor, ndërroi jetë në Tiranë shkrimtari, dramaturgu, skenaristi i mirënjohur Dhimitër Xhuvani. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë etj. Është autor i skenarëve të filmave "I dashur armik", "Lindje-Perëndim-Lindje", dhe i romanit "Tuneli" për të cilin u dënua nga regjimi i kohës.

Teo Angjelopulos në Tiranë

8 dhjetor - Teo Angjelopulos erdhi në Tiranë bashkë me të shoqen Phoebe Economopoulou, për të tërhequr çmimin e karrierës nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit. Ky emër ka dyzetë vjet që ka hyrë në historinë e kinemasë dhe sot nuk është thjesht një regjisor grek apo i Greqisë. "Trilogjia e Kufijve" ku bëjnë pjesë "Hapi i pezullt i lejlekut" (1991), "Vështrimi i Uliksit" (1995) dhe "Përjetësi dhe një ditë" (1998), u shfaqën në Tiranë.

Minarolli merr kryen e Qendrës

13 dhjetor - Artan Minarolli është kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike, pas lirimit nga kjo detyrë të Xhevdet Ferit. Ky është vendimi i qeverisë që mban firmën e kryeministrit Sali Berisha i cili ka pasur në dorë dy propozimet e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, emrat e Bujar Kapexhiut dhe Artan Minarollit.

Premiera e "Arrëthyesit"

13 dhjetor - Më 13, 14, 16, 18 dhe 19 dhjetor, ora 19.00, në skenën e Teatrit të Operës shfaqet "Arrëthyesi" i Çajkovskit. Koreografia dhe regjia është e Ilir Kernit. Interpretojnë Ilir Kerni, Sokol Zhugri (Droselmajer), Ledia Sulaj (Klara), Eno Birko (Babai), Alisa Gjoni (Nëna), Elton Merja (Fritz), Antonio Duka (Arrëthyesi), Graciano Tagani (Arkelin) etj.

Juliana Pasha fiton Festivalin e Këngës

29 dhjetor - Jualina Pasha mori çmimin e parë në Festivalin e 48-të të Këngës në Radio Televizion, me krijimin e Ardit Gjebresë "Nuk mundem pa ty", që ishte edhe autori i tekstit bashkë me Pirro Çakon. Festivali i 48-të, përveç shijes së fitores, i jep edhe një biletë për Festivalin Evropian të Këngës, Oslo 2010.
Përgatiti Elsa Demo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›