E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina në arrati shkëmben zjarr me policinë

Momente tmerri në Tiranë, policia dhe një makinë me dy persona brenda shkëmbejnë zjarr në një zonë të banuar

TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka rrezikuar jetën e banorëve të kryeqytetit mbrëmjen e djeshme teksa një makinë ku ndodheshin dy persona ka nisur të shkëmbejë zjarr me policinë që po e ndiqte. Fatmirësisht ngjarja ka kaluar pa viktima dhe policia ka mundur që të arrestojë dy personat që ndodheshin në makinë.

Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se policia kishte ngritur një postbllok në zonën e njohur si stacioni i fundit i Tiranës së Re. Rreth orës 23.00 aty ka kaluar një makinë me targa të huaja, e cila i është dukur policisë si e dyshimtë dhe menjëherë i është kërkuar që të ndalojë.

Nga makina kanë dalë dy persona, të cilët kanë nisur që të debatojnë me policët. Kur uniformat blu i kanë kërkuar që të ushtrojnë kontroll fizik në makinë, dy personat që ndodheshin në të nuk kanë pranuar.

Njëri prej tyre ka qëlluar me grusht policin që kishte pranë dhe pasi kanë hipur në makinë janë larguar me shpejtësi duke kaluar postbllokun. Uniformat blu që ishin në vendin e ngjarjes kanë dhënë njoftimin me radio për të ndaluar një makinë tip "Mercedes Benz" me ngjyrë të zezë, me targa gjermane "BOTQA 997".

Ndërkohë makina që ndodhej në postbllok është vënë në ndjekje të të "arratisurve". Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se makina e zezë ka nisur të qëllojë me armë në drejtim të policisë.

Edhe policët nga ana e tyre kanë qëlluar me armë kundër makinës me dy të rinjtë brenda. Kalimtarët e rastit janë fshehur ku kanë mundur për ti shpëtuar plumbave. Disa minuta më pas policia ka mundur që të arrestojë dy personat që ndodheshin në makinë.

Atyre u janë gjetur me vete një automatik tip kallashnikov dhe një pistoletë, të dyja pa leje. Burimet e policisë nuk kanë pranuar që të japin emrat e dy personave të arrestuar por janë mjaftuar duke thënë se njihen si kontingjent që ka kryer vepra penale. D. Biçaku

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›