Kruja tërheq vendasit e të huajt -Rritet numri i vizitorëve në destinacionet turistike të kësaj zone

E ndodhur vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, Kruja është kthyer në një nga destinacionet më të pëlqyera turistike, si për vendasit ashtu edhe për të huajt. Numri më i lartë i vizitorëve regjistrohet gjatë fundjavave, kur qyteti gjallërohet nga prania e turistëve ditorë që vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por edhe jashtë saj.
Krahas kalasë me Muzeun e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pazarin karakteristik të qytetit, ku ruhen dhe ekspozohen vlerat e trashëgimisë kulturore dhe mjeshtëria e artizanëve vendas, një tjetër atraksion mbresëlënës është Mali i Krujës, i njohur ndryshe si “Ballkoni i Shqipërisë”. Vizitorët veçojnë pamjet panoramike që ofron mali, ajrin e pastër dhe natyrën e paprekur.
“Është një vend i shenjtë me bukuri të jashtëzakonshme”, u shpreh një vizitor.
“Ajri i pastër, ushqimi është shumë i mirë”, tha një tjetër vizitore.
Të dhënat e vitet e fundit, tregojnë se Kruja ka njohur një zhvillim të ndjeshëm në turizmin historik dhe atë malor.
/rtsh.al/