E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryediplomati turk vizitoi Prishtinën, takime me krerët e shtetit

PRISHTINË, 6 shtator /ATSH/ Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim shefin e diplomacisë së Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë.

“Në takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, e falënderova për miqësinë dhe mbështetjen e shtetit turk për Republikën e Kosovës në çdo etapë e proces”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka shtuar se forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Turqisë mbetet përkushtim i përbashkët.

Gjithashtu shefi i diplomacisë turke Hakan Fidan, u prit në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin ka biseduar mbi raportet bilaterale Kosovë-Turqi dhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.

Kurti i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rolin kontribuues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik, thuhet në komunikatë.

1 nga 6

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›