GJERMANI – Austin anashkalon kërkesat e Ukrainës për armët amerikane me rreze më të gjatë

UASHINGTON, 6 shtator /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka anashkaluar kërkesat e Ukrainës për të lejuar përdorimin e armëve amerikane me rreze më të gjatë kundër objektivave në Rusi.
“Unë nuk besoj se këto armë specifike do të jenë vendimtare”, tha Austin në përfundim të takimit të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në bazën ajrore Ramstein, në Gjermani.
“Fusha e betejës aktuale tregoi se Rusia kishte lëvizur disa avionë duke përdorur bomba rrëshqitëse jashtë rrezes së raketave amerikane ATACMS”, shtoi ai.
Kur u pyet nga një gazetar nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte thënë se kishte objektiva strategjikë në Rusi që mund të goditeshin me armë me rreze më të gjatë veprimi, Austin u përgjigj në mënyrë indirekte.
“Ka shumë objektiva në Rusi dhe Ukraina ka mënyra të shumta për t’i sulmuar ato – për shembull me dronë”, tha ai.
“Unë mendoj se në të ardhmen e parashikueshme ne do të sigurojmë që të vazhdojmë të fokusohemi në ndihmën e Ukrainës për të mbrojtur në mënyrë efektive territorin e saj”, shtoi Austin.
Zelensky bëri thirrje më herët për armë me rreze më të gjatë – për t’i përdorur ato për sulme kundër objektivave në brendësi të Rusisë.
Austin njoftoi gjithashtu se ndihma e mëtejshme ushtarake prej rreth 250 milionë dollarësh (rreth 225 milionë euro) do t’i vihej në dispozicion Ukrainës për t’u mbrojtur kundër luftës së agresionit rus.
SHBA-ja është aleati më i rëndësishëm i Kievit dhe furnizuesi më i madh i armëve në mbrojtjen e saj kundër Rusisë. //a.i/