E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryemadhi: Do publikoj shkeljet ligjore të kryera nga organi i akuzës

Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në SPAK para oficerëve gjyqësorë në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj saj.

Masa e sigurisë nënkupton që deputetja e Partisë së Lirisë po hetohet për çështje që kanë të bëjnë me pasurinë e saj familjare. Ajo dyshohet nga Prokuroria Speciale për veprat penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Pasi la ambientet e SPAK-ut, Kryemadhi garantoi se do publikojë të gjitha shkeljet ligjore të bëra nga organi i akuzës. 

“Jam një individ që vendos të përballem me padrejtësitë që bëhen. Unë po bëj mbrojtjen time ligjore për pretendimet e SPAK ndaj meje. Kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Patjetër që do kundërshtohen me fakte, prova, argumente dhe do i vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj që shkruhen. Do njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të Shqipërisë. Duroni dhe do informoheni për të gjitha. Në fund të fundit për të treguar sa i vërtetë është procesi dhe sa reale e sa qëndrojnë faktet. Fija që zbret në tokë jam unë”, deklaroi Kryemadhi.

Deputetja sqaroi se nuk ka asnjë komunikim me ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, njëherësh president i Partisë së Lirisë, i cili aktualisht ndodhet në burg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›