E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë qeveria do të financojë për fermerët e Skraparit, impiantet më moderne për përpunimin e prodhimeve të tyre

Kryeministri Berisha ishte sot në Skrapar, ku u takua me banorë të kësaj zone. Në përshëndetjen drejtuar atyre, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë të Skraparit!

Përshëndetjet më vëllazërore. Unë sjell sot tek ju përshëndetjet  më të zjarrta nga Tirana, Saranda, Gjirokastra, Vlora, Dibra, Tropoja, Kukësi, Kruja  e mbarë Shqipëria. Sjell tek ju frymën  fitores së madhe, fitores së Skraparit, fitores evropiane te Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Erdha së pari për tu shprehur nderimin tim më të madh gjithë burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të Skraparit për tu siguruar ju se së bashku katër vitet që vijnë do të ndërtojmë së bashku Skraparin evropian, Shqipërinë evropiane. Tek ju më ka sjelle respekti dhe dashuria për ju dhe jo pallatet e Fidelit. Tek ju me ka sjelle perspektiva juaj, tek ju më ka sjellë projekti ynë i përbashkët për Skraparin evropian dhe jo ato që kam investuar këtu për katër vite me radhe, ndonëse ato janë katër herë më të  mëdha se sa investimet e qeverive të mëparshme.

Të dashur qytetarë të Skraparit,

Kam ardhur këtu për tu zotuar para jush, se në këtë rreth me pasuri të mëdha, i cili ka një ndër pasuritë më përrallore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Baba Tomorin,  do të ndërtojmë së bashku Skraparin turistik. Unë ju jap fjalën se do të kërkoj drejt tij, në Bogove dhe në të gjitha drejtimet  e tjera infrastrukturën më moderne, sikundër do të përfundojmë në një kohë sa më të shkurtër asfalti min e rrugës së kanioneve , të cilat janë një dokument mahnitës natyror i Skraparit dhe mbarë Shqipërisë.

Qytetarë të Skraparit,

Kam ardhur tek ju  për tu zotuar se çdo komunë  e këtij rrethi do të lidhet me këtë qendër me rrugë të asfaltuara, çdo fshat i çdo komune do të lidhet me qendrën e komunës  me rrugë të asfaltuara. Unë ju garantoj ju fermerëve të Skraparit se ju nuk do të jeni më kurrë, rrethi i fundit, për sa i përket akseve rrugore dhe unë ju garantoj se cilido që të jetë çmimi i tyre , ne do ti bëjmë ato.

Skrapari turistik, Tomorri turistik është një perspektivë  e madhe, por po kaq e madhe është perspektiva e traditës suaj të shkëlqyer  të vreshtarisë dhe rakisë më të mirë në Shqipëri. Së bashku do të bëjmë që rakia juaj të tejkalojë të gjitha pijet e forta. Të mirat tona, le ti ndajmë me të gjitha boten, ndaj unë ju garantoj edhe njëherë të gjithë fermerëve të Skraparit se do të subvencionojmë çdo rrënjë hardhi apo vresht që ata do të mbjellin në tokat  e tyre. Nuk do të keni as edhe një kufizim, mbillni sa më shumë , qeveria do tu financoje ju. Qeveria do tu japë kredi  për të ngritur impiantet më moderne për prodhimet tuaja të mrekullueshme. Qeveria garanton fermerët e Skraparit se  4 vitet që vijnë pensionet e tyre do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit dhe do të jenë më të larta se sa pensionet dhe rrogat e 6 vendeve anëtare të BE, ndaj dhe apeli  im vëllazëror për të gjithë ju banorë të Skraparit është që  të bashkohemi të gjithë së bashku  për Skraparin evropian, i ftoj skraparllinjtë burrat dhe gratë e këtij rrethi të cilët e pranojnë se këto 4 vite anëtarësimi në NATO ishte një ndryshim, dyfishimi i pensioneve ishte një ndryshim, investimet madhore në rrugët dhe ujësjellësat  e Shqipërisë, përbëjnë një ndryshim , le të bashkohen me ne  për të vazhduar këtë ndryshim. Unë ju garantoj se me votën e tyre, ata do të votojnë për projektin  e tyre, veten  dhe  fëmijët e tyre, për  rrogat dhe pensionet e tyre, do të votojnë për Skraparin turistik, do të votojnë që baba Tomori të flasë në mbarë botën, për bukuritë dhe madhështinë  e tij, do të votojnë për ujin 24 orë në shtëpitë  e tyre, pra le të na prijë mençuria të bashkohemi në këtë projekt të madh , në emër të së ardhmes së fëmijëve  tanë, në emër të dashurisë për Skraparin, të dashurisë për Shqipërinë.

Rroftë Skrapari, Rroftë Shqipëria”


24/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›