E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës Koterr- Manastiri i Karmelitaneve, komuna Hajmel, në Shkodër

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e rikonstruksionit të  rrugës Koterr- Manastiri i Karmelitaneve, komuna Hajmel, në Shkodër. Kjo rrugë kap investimin më vlerë 79 milion lekë, ka një gjatësi  4.15  km dhe gjërësi  4 m. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë mbi  4 mijë banorë të 4 fshatrave  të komunave Hajmel dhe Dajç në zonën e Zadrimës. Rruga Kotërr – Manastiri i lidh jo vetëm dy zonat me njëra-tjetrën, por dhe me rrugën Lezhë – Vau i Dejës.  Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga e re është e pajisur me të gjithë elementet nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale e kanalizimet e ujërave te bardha. Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare për kalimin e këmbësorëve.  Afërsia me rrugën nacionale Lezhë – Shkodër, u krijon mundësi banorëve të zonës të lidhen me Shkodrën dhe Lezhën. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone.  Rruga e re kalon pranë Manastirit të Karmelitaneve, një objekt i rëndësishëm kulti në zonë i cili frekuentohet jo vetëm nga besimtarët e zonës por edhe më gjërë”.  Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore, vreshtarinë, ullishtet, prodhimin e verës dhe vajit, por edhe mbarështimin e derrave dhe gjelave te detit. Infrastruktura rrugore e përmirësuar nxit zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillimin social – ekonomik të qëndrueshëm.  Ajo sjell lehtësi të mëdha për transportin e prodhimeve drejt tregjeve të Lezhës dhe Shkodrës.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që ishte ftuar për inaugurimin e kësaj rruge, e cila lidh komunat dhe që ju shërben banorëve për tu lidhur me aksin kryesor  që shkon drejt Shkodrës dhe drejt Lezhës, e cila shumëfishon potencialet e zhvillimit në fshat dhe në komunën tuaja.

Kryeministri Berisha premtoi se investimet në këtë zonë në katër vitet që vijën do të shtohen duke e bërë jetën e banorëve edhe më të lehtë

Kryeministri u përcolli një mesazh qytetarëve dhe banorëve të zonave të përmbytura. Ai i falenderoi ata për durimin dhe mirëkuptimin dhe u shpreh se nuk do të ketë kurrë borxh, që nuk do t’ju kthehet atyre. "Unë kërkoj të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Nëse në qeveritë e mëparshme tetë vjet resht zonat u përmbytën disa herë dhe nuk u kthye një qindarkë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë  kurrë përsa kohë të jemi ne në pushtet. Ka filluar shpërndarja dhe ju siguroj se ajo do të vazhdojë deri në qindarkën e fundit", - u shpreh kryeministri.

Duke qenë se ndodhej në zonën e Zadrimës në një ditë të veçantë siç është Dita e Nënës, kryeministri Berisha ka shfrytëzuar rastin për të uruar të gjithë nënat shqiptarë  për këtë festë të veçantë.  “Sot është dita e tyre, është Dita e Nënës dhe ne shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, se çdo qytetar tjetër, ju detyrohemi atyre. U detyrohemi atyre për  ekzistencën tonë si komb, ju detyrojmë atyre ndihmën e madhe, mbështetjen e madhe, përpjekjen e  tyre të madhe për të përballuar me dinjitet një jetë, që në të shkuarën ka qenë ndër më të vështirat. U detyrohemi atyre, për mëkimin që bëjnë tek çdo fëmijë, të virtyteve më të larta njerëzore. Ndaj dhe le të shprehim ne sot nderimin më të madh për nënat shqiptare dhe ti urojmë nga zemra jetë, vite të lumtura, të ardhmen të ndritur, për veten, fëmijët, familjen e tyre”- u shpreh Kryeministri Berisha.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zonja Kryetare e Parlamentit.

Zotërinj qeveritarë  vendorë.

Vëllezër dhe motra.

Së pari përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen time më të pakufishme ndaj jush për një mbështetjen e madhe, që i keni dhënë gjithnjë dhe i jepni Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Sot nga kjo foltore dua të përulem me nderimin më të madh para nënave zadrimore, para nënave shqiptare kudo që janë. Sot është dita e tyre, është Dita e Nënës dhe ne shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, se çdo qytetar tjetër, ju detyrohemi atyre. U detyrohemi atyre për  ekzistencën tonë si komb, ju detyrojmë atyre ndihmën e madhe, mbështetjen e madhe, përpjekjen e  tyre të madhe për të përballuar me dinjitet një jetë, që në të shkuarën ka qenë ndër më të vështirat. U detyrohemi atyre, për mëkimin që bëjnë tek çdo fëmijë, të virtyteve më të larta njerëzore. Ndaj dhe le të shprehim ne sot nderimin më të madh për nënat shqiptare dhe ti urojmë nga zemra jetë, vite të lumtura, të ardhmen të ndritur, për veten, fëmijët, familjen e tyre.

Unë jam sot shumë i gëzuar që  ndaj me ju kënaqësinë e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lidh komunat dhe që ju shërben juve për tu lidhur me aksin kryesor  që shkon drejt Shkodrës dhe drejt Lezhës, e cila shumëfishon potencialet e zhvillimit në fshat dhe në komunën tuaja. Unë pata rastin të takohen me kryetarin e komunës, të takohem dhe të bisedoj me vreshtarët  dhe të shikoj vreshtat e mrekullueshme të Hajmelit, të shijoj aty verën e mrekullueshme dhe ti informoj se janë zgjedhur kryeqyteti i verës së Shqipërisë. Pata rastin të vizitoj plantacionet e rrushit, të shikoj plantacionet e ullinjve, të shikoj se në  një kohë të shkurtër në këtë komunë janë mbjell mbi 180 hektarë ullinj, janë mbjellë vreshta të rrushit Kallmet, rrush i cilësisë më të lartë.

Unë u ftova për këto, por gjithnjë e kam ditur se gratë dhe burrat e kësaj treve, janë gratë dhe burrat më punëtorë të kësaj toke. Erdha këtu me nderimin më të madh për secilin prej jush. Erdha këtu për t’ju dhënë fjalën time të nderit , se katër vitet që vijnë do të trefishojmë mbështetjen për ju. Është e vërtetë që kemi ndërtuar rrugë , është e vërtetë që kemi ndërtuar shkolla, kemi ndërtuar ujësjellësa, kemi financuar me grande fermerë, është  e vërtetë se kemi  po aq shumë punë për të bërë sëbashku , është e vërtetë,  që këtë ndryshim të madh që ka nisur sëbashku do ta çojmë përpara . Në mënyrë që çdo qytetar i Hajmelit, i qarkut të Shkodrës, i Shqipërisë, të gëzojë një jetë më të mirë, të jetë që meriton. Vendi ynë është vendi i pasurive përrallore, është vendi i pasurive të jashtëzakonshme, mungesa e zhvillimit, mungesa e infrastrukturës dhe shumë faktor të tjerë i kanë lënë shqiptarët më të varfrit  e të varfërve. Sot është kohë tjetër. Sot është koha e lirisë. Unë u ula këtu me fermerë, të cilët kishin krijuar vetë kooperativën e parë , kooperativën e fermerëve të lirë. Dhe nga ajo kishin parë fitime të mëdha. Unë erdha këtu dhe gjeta plantacione. Ajo që duhet dhe që ka nevojë që ato të shumëfishohen. Një gjë ju siguroj ju, se për këtë qeveri, për  Partinë Demokratike, bujqësia përbën një çështje të dorës më të parë dhe pse kjo? Për dy arsye. Së pari është e faktuar nga studiuesit më të mëdhenj, nga institucionet më serioze të botës, se bujqësia është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin, dhe kjo do të thotë për ne, që mund të dhjetëfishojmë të ardhurat për ju dhe të keni më shumë të bëni një jetë më të mirë. Ndaj dhe ne po ndërtojmë rrugët dhe do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë aty ku ju të jeni. Po ndërtojmë ujësjellësa dhe ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni ujë 24 orë si lagjet e qytetit. Do të rindërtojmë rrjetin elektrik, në mënyrë që sipërmarrjet dhe familjet tuaja të furnizohen me energji  si lagjet e qytetit. Për ne aty ku jetojnë shqiptarët nuk duhet të ketë dallim në infrastrukturë .

Katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë, ne kemi financuar 42 mijë fermerë. U gëzova shumë kur këtu në Hajmel me këto grante janë mbjellë, vreshta, ullishte, pemë të tjera rreth 200 hektarë dhe fermerët më thanë se jemi të kënaqur, kemi përfituar. Do të gëzoheni më shumë kur pas katër vitesh këtu në Hajmel të jenë financuar 600 hektarë.

Do të festojmë më shumë, kur për gjatë katër viteve të kemi disiplinuar lumin e Gjadrit, për të cilën fermerët u ankuan se ju dëmtonte tokat.  Pas katër viteve ne do të vendosim sistemin më të mirë të vaditjes. Pra ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni një jetë më të mirë, që djersa juaj e ballit, që derdhet që pa gdhirë akoma, derisa perëndon hënë, t’ju japë më shumë juve, me shumë fëmijëve tuaja, më shumë familjeve tuaja.

Ne shkojmë drejt një date të rëndësishme për ju, drejt 23 qershorit. Keni dy alternativa. Alternativa jonë është alternativa e ndërtimit në Shqipëri  me një infrastrukture moderne, është alternativa  e krijimit të vendeve të punës, është alternativa rritjes dhe begatimit të qytetarëve shqiptarë, alternativa e tërheqjes së investimeve dhe investitorëve, alternativa e shfrytëzimit të të gjitha potencialeve të mëdha të këtij vendi . Unë vij nga Mnela, punë të mrekullueshme kanë bërë banorët e Mnelës, edhe rruga e re ju shkoi dhe do të shkojë deri në Vig, do të shkojë në të katër anët, por në zemër ndieje dhimbje kur shihje batërdinë që ka bërë lumi Gjadër në tokat bujqësore. Zotimi ynë solemn është ta disiplinojmë. Do të bëjmë gjithçka  që t’jua kthejmë tokën atyre burrave dhe grave punëtorë, që të krijojnë të ardhura më të. Do të bëjmë gjithçka  të shfrytëzojmë çdo potencial.

Dje isha në Shishtavec , një lum si Gjadri, lumi Luma, 11 hidrocentrale ishin ngritur mbi të dhe kryeministri e dinte se do të inauguronte vetëm një. U gëzova shumë, sepse ato janë falë iniciativës suaj të lirë, të qytetarëve shqiptarë, ata kanë marrë thirrje për të ndërtuar dhe kanë bërë punë të shkëlqyer, siç janë vreshtat, siç janë ullishtet, siç janë punët e mrekullueshme që ju bëni. Alternativa jonë është alternativë serioze, alternativë që përmban shpirtin tonë perëndimor . gjatë gjithë këtyre viteve çfarëdo që ka ndodhur në çdo rrethanë ne kemi bërë dhe bëjmë gjithçka që ylli ynë polar të mbetet integrimi ynë në Bashkimin Evropianë. Partia që ju keni mbështetur integroi vendin në Këshillin e Europës, partia që ju keni mbështetur integroi  vendin në NATO, partia që ju keni mbështetur firmosi marrëveshjen e stabilizim-associmit, partia që ju keni mbështetur ia doli të heqë vizat për shqiptarët, partia që ju keni mbështetur ia doli të marrë rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen tre ligjet. Askush nuk e pengoi ndonjëherë partinë tjetër, por partia tjetër, kundërshtoi çdo hap tonin drejt integrimit. Partia tjetër kur ne anëtarësoheshim në Këshillin e Europës, deklaronte  se molla nuk është pjekur, partia tjetër kur ne do të firmosnim marrëveshjen e stabilizim-associmit  frynte boritë dhe bilbilat, në aktin më të turpshëm në historinë e një parlamenti. Tre muaj rresht vetëm e vetëm që të mos firmosnim marrëveshjen. Partia tjetër kur ne do të merrnim ftesën në NATO, ju thoshte shqiptarëve se ftesa është anuluar dhe bënte mitingje në Tiranë me portretet e Enver Hoxhës. Partia tjetër,  kur ne po ecnim drejt heqjes së vizave, ngrinte çadrat drejt kryeministrisë në mënyrë që të mos votonin për të dhe me një kuti shëtiste nëpër Shqipëëri, hap kutitë që të liroj vizat. Partia tjetër, kur ne tetor të vitit 2012  Komisioni Europian rekomandoi statusin dhe vlerësoi të gjitha ndryshimet që ne sëbashku kemi bërë dhe la tre ligje për tu votuar, ajo i bllokoi. Ndryshimet së pari janë vepër e juaja, e djersës suaj, e mundit tuaj, nuk janë ato vepër vetëm e  qeverisë, janë tuajat, por qeveria ka përcaktuar rregulla, të cilat ju kanë lehtësuar juve. A mund të më pyesni ju sot, çdo socialist kudo që të jetë, a mund të imagjinonte njeri që në tetor të vitit 2012 të mos votonte tre ligjet për të marrë statusin dhe statusi nënkuptonte qindra milion euro më shumë investime, qindra milion euro rrugë më shumë , qindra ujësjellësa më shumë, dhjetëra mijëra vende pune. A mundet që një njeri normal të thoshte se nuk i votoj. Askush nuk e besonte, por ja që ndodhi dhe në mënyrën më cinike më të shpërlarë, aleanca e 1 prillit i përdori ato për pazare, por 23 qershori po vjen, është dita e gjykimit.

Vëllezër dhe motra.

Unë do t’ju përcjell një mesazh. Për mua nga më të rëndësishmit që kam përcjellë ndonjëherë  drejt qytetarëve të qarkut të Shkodrës. Ky mesazh është: bëni gjithçka të sillni në parlament tetë deputetë, çdo shqiptarë, nga Shkodra ti japë përgjigjen më ekzemplare, më të shkëlqyer, aleancës së 1 prillit. Është në dorën tuaj, që në këto zgjedhje të angazhohet më me përkushtim se në çdo zgjedhje tjetër dhe unë ju garantoj juve se qeveria e ardhshme do të shumëfishojë mbështetjen për ju. Nga këtu dua t’ju jap një përgjigje qytetarëve dhe banorëve të zonave të përmbytura . Ti falenderoj ata për durimin dhe mirëkuptimin dhe ta dinë mirë se nuk do të ketë kurrë borxh, që nuk do t’ju kthehet atyre. Unë kërkoj të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Nëse në qeveritë e mëparshme tetë vjet resht zonat u përmbytën disa herë dhe nuk u kthye një qindarkë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë  kurrë përsa kohë të jemi ne në pushtet.

Ka një rregull, nuk është qeveria ajo direkt, qeveria qëndron në vigjilje të interesit të qytetarëve, qeveria ka vënë ligjin, që duhet të jetë sipërmarrja private ajo që do të zhdëmtojë çdo dëm që krijohet me ujërat e tepërta që derdhen. Ky është ligji më i mirë që mund të ekzistojë, këtë ligj do e zbatojmë gërmë për gërmë. Ka filluar shpërndarja dhe ju siguroj se ajo do të vazhdojë deri në qindarkën e fundit. Ndaj edhe njëherë  le ta lëmë zotin Rama në autobusin e tij mavi. Le ta lëmë atë kryeministër në autobusin e tij,  me të cilin vetë është shofer dhe e dini ju kush ishte fatorino. Fatorino është Ben Blushi, i cili  nxjerr tabelën kudo, mos i fol shoferit. Le të ecim ne drejt një fitore të shkëlqyer, drejt fitores së merituar.

Përpara, përpara, përpara”.

12/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›