E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Ura Gjader – Mnele, në Shkodër

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Ura Gjader – Mnele. Një rrugë me vlerë 198 milion lekë, gjatësi  7.2 km  dhe gjerësi  4.5 m. Nga rikonstruksioni i kësaj rruge përfitojnë mbi  5.000 banorë.  Rruga Ura Gjader - Mnel  lidh 3 fshatrat e komunës jo vetëm me njëra- tjetrën, por dhe me rrugën Lezhë – Vau i Dejës. Rruga krijon mundësi që këto zona të lidhen më shpejt  me Shkodrën dhe Lezhën. Rruga e re është e asfaltuar është e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm të infrastrukturës.  Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare për kalimin e këmbësorëve . Gjithashtu është sistemuar e asfaltuar sheshi komunës ku gjenden shkolla, qendra shëndetësore, zyrat e komunës, kisha e fshatit..etj. Nga rikonstruksioni i rrugës, punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone. Rikonstruksioni i rrugës ndihmon në tendencën e rikthimit të banorëve të ikur këto 20 vjet. Gjithashtu infrastruktura do  të  nxisë zhvillimin e bujqësisë. Rruga do të bëjë të mundur zhvillimin e turizmit dhe zbulimin e trashëgimisë kulturore të kësaj zone. Kishat e vjetra dhe kalaja 400 vjeçare që tashmë janë lehtësisht të arritshme falë ndërtimit të kësaj rruge. 

Kryeministri Berisha pas inaugurimit të rrugës u shpreh se ndihej i kënaqur që ndodhet aty sëbashku me banorët e zonës për të ndarë gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lidh tre fshatra të komunë dhe lidh komunën me aksin kombëtarë të vendit, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën me Shkodrën dhe qendra e tjera, zëvendëson  një rrugë, e cila pothuajse ishte bërë  e pakalueshme. 

Kryeministri Berisha premtoi shtim të investimeve në katër vitet që vijnë në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë duke mbyllur përfundimisht investimet në  infrastrukturë dhe duke kthyer vëmendjen nga sektori i bujqësisë.

Më tej kryeministri u shpreh se, - “ne vijmë tek ju, si forca politike që sëbashku me ju ndërtuam autostrada dhe aeroporte ndër më modernet. Ndërtuam një sistem shkollor  ndër më modernet me mbi 1300 shkolla. Ne vijmë tek ju, që sëbashku me ju kemi mbështetur 42 mijë ferma dhe fermerë, por  vijmë para së gjithash tek ju se katër vitet që vijnë, ne duam të bëjmë shumë më tepër për ju dhe për shqiptarët. Me këto që sëbashku kemi realizuar, ne kemi fituar besim të madh, se mund të realizojmë shumë më tepër. Nëse dikush i hedh sytë mandatit të parë me mandatin e dytë, çdo njëri do të gjejë se mandati i dytë  i ka realizimet për qytetarët shqiptarë dy herë më të mëdha se mandati i parë. Unë ju jap fjalën e nderit se mandati i tretë do ti ketë ndryshimet, do ti ketë përmirësimet, tre herë më të mëdha se mandati i dytë”.

***

Investimet ne Qarkun e  Shkodrës nga viti 2005 deri në  vitin 2013 kapin vlerën mbi 540 dollarë

• Janë ndërtuar mbi  900 km rrugë me vlere mbi 200 milion $   

222 km   Rrugë Kombëtare nga   Drejtoria e Rrugëve 

208km    Rrugë rajonale nga  Fondi Shqiptar i Zhvillimit

470 km    Rrugë lokale në  komuna e bashki

• Janë ndërtuar e rikonstruktuar 116 shkolla e kopshte  me vlerë rreth 27 milion dollarë

• 120 Sisteme Ujësjellësish e Kanalizimesh me  vlerë rreth 35 milion dollarë

• 94 Qendra Shëndetësore e Ambulanca me vlere rreth 15 milion dollarë

• Në bujqësi janë investuar  mbi 22 milion dollarë

• Janë subvencionuar 1820 ha vreshta, ullinj, bimë arë, sera ose 30 herë më shume se PS-ja

• Janë restauruar mbi 60 monumente të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror

• ENERGJETIKE.  Janë mbi 250 milion euro në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet veç  nënstacionit të Koplikut, Vaut te Dejës, Bushatit  (20 milion $) dhe  HEC i Ashtës.

• Numri i bizneseve të rinj është rritur mbi 2 herë, nga 3480 në 2005 ne  8550 në vitin 2012.

***

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:

"Të dashur banorë të Mneles.

Zonja Kryetare e Parlamentit.

Zotërinj qeveritarë vendorë.

Së pari përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen time më të pakufishme  ndaj jush, për mbështetjen e plotë, totale,  22 –vjeçare, që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, për  të cilën ju keni dhënë kontribut të madh. Çdo votë e juaja ka qenë firmë në ndryshimet që Shqipëria ka realizuar në këto vite. Unë erdha sot këtu për të ndarë me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lidh tre fshatra të komunës  dhe lidh komunën me aksin kombëtar  të vendit, shkurton në mënyrë të ndjeshme  distancën me Shkodrën dhe qendra e tjera, zëvendëson  një rrugë, e cila pothuajse ishte bërë  e pakalueshme.  Vij këtu në komunë dhe konstatoj me kënaqësi se gjatë këtyre viteve  janë bërë përpjekje për të mbështetur komunën tuaja, për të zhvilluar potencialet tuaja, por rruga, një investim rreth 200 milion lekë, hap një perspektivë të re, jo vetëm në prodhimet tuaja bujqësore, me të cilat ju keni bërë përparim thelbësor. Sot kjo komunë ka kultivuar gjatë këtyre viteve 130 hektarë ullinj, 100 hektarë vreshta dhe  prodhimet e tyre janë të cilësisë më të mirë. Këtu në këtë komunë, po rikthehet varieteti i të gjitha varieteteve të rrushit shqiptarë, përsa i përket prodhimit të verës, varieteti i Kallmetit. Prodhon verë të denjë për çdo tavolinë mbretërore.

Gjatë këtyre viteve, në qarkun e Shkodrës ne kemi investuar mbi  540 milion dollarë, kemi ndërtuar dhe rindërtuar në të gjithë territorin e qarkut  900 kilometra rrugë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar 116 shkolla dhe kopshte me 27 milion dollarë investim. 120 ujësjellësish  dhe kanalizimesh me 35 milion dollarë investime. 94 qendra shëndetësore, janë investuar në bujqësi, në pemëtari, në sistemime mbi 22 milion dollarë. Janë subvencionuar 1820 hektarë vreshta, ullinj, bimë mjekësore, sera, ara, janë restauruar shumë monumente kulture. Shkodra si e gjithë Shqipëria ka një ndryshim, të cilin e prek, e ndjen, e shijon, e vlerëson çdo qytetar i këtij vendi, në mënyrë të pamohueshme, por Shkodra dhe Mnela, kanë  ende nevoja të mëdha. Kanë nevojë për të vazhduar ndryshimin që kemi ndërmarrë sëbashku. Këtu mësuesi  i nderuar me të drejtë u shpreh, uroj që rruga të shkojë në Vig, do të shkojë në Vig. Unë ju jap fjalën se rruga do të shkojë aty ku ju banoni. Kudo që banojnë shqiptarët ne do të çojmë rrugë të asfaltuar, se kudo që banojnë shqiptarët ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkolla të re, se kudo që banojnë qytetarët tanë, ne do të bëjmë gjithçka për ujësjellës 24 orë, për kanalizime, do të bëjmë çdo gjë që ju të jetoni si qytetarë të vërtetë aty ku jeni dhe ju e meritoni plotësisht. Ishte shumë e bukur ajo që tha kryetari, ne u bashkuam me qytetin që në vitin ’91. 

Çfarë synojmë ne? Ne synojmë që aty ku ju jetoni të keni kushte njëlloj si në lagjet e qyteteve. Natyrisht  arat, tokat, pemët, blegtorinë e bëni vetë, por dhe aty ne do të bëjmë gjithçka që tu lehtësojmë ju, sepse ne nuk kemi asnjë qëllim më madhor, sesa punësimin tuaj, në tokën tuaj. Nuk kem asnjë qëllim më madhor, sesa rritjen e të ardhurave për ju, se rritjen e mirëqenies për ju, ndaj dhe sëbashku me kryetarin e komunës, do të bëjmë gjithçka ti marrim tokë Gjadrit dhe jo t’jua marrë Gjadri tokën juve.  Me kryetarin e komunës do të bëjmë gjithçka, që katër vitet që vijnë të ndërtojmë sistemin më të mirë vaditës  dhe unë ju jap fjalën juve, se këto subvencione të qeverisë do të trefishohen në mandatin e ardhshëm. Unë nuk po them më shumë se edhe mund të gjashtëfishohen. Po pse mund të gjashtëfishohen? Sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat , sepse ju duhet ta dini që Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian, sektorin që subvencionon më shumë se çdo sektor tjetër është bujqësia. Për bujqësi ne kemi dhënë 55 milion ata japin 50 miliard dhe në këto 50 miliard edhe Shqipërisë do ti bjerë një pjesë për ju, për fermerët shqiptarë. Këtë e di  mirë kryeministri i autobusit mavi, që ka zgjedhur një autobus  luksoz për vete dhe vetë shofer dhe vetë pasagjer, aty ai nxjerr ëndrrën që nuk do ti bëhen realitet kurrë dhe në çdo gropë sheh një votë për veten kryeministër. Ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë dhe ne jemi këtu se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë të këtij vendi.  23 qershori po vjen dhe ne vijmë para shqiptarëve këtu në Mnel, në Shkodër, në Vermosh, në Mokërr, në Frashër dhe kudo në Shqipëri, si forca politike, e cila iu ka bërë të mundur qytetarëve shqiptarë të firmosin ndryshimet më të mëdha. Ne vijmë në këto zgjedhje, si forca politike që sëbashku me ju realizuam ndryshimet, të cilat bënë të mundur  heqjen e vizave për shqiptarët, lëvizjen e tyre të lirë nëpër  Europë. 

Ne vijmë tek ju, si forca politike që sëbashku me ju ndërtuam autostrada dhe aeroporte ndër më modernet. Ndërtuam një sistem shkollor  ndër më modernet me mbi 1300 shkolla. Ne vijmë tek ju, që sëbashku me ju kemi mbështetur 42 mijë ferma dhe fermerë, por  vijmë para së gjithash tek ju se katër vitet që vijnë, ne duam të bëjmë shumë më tepër për ju dhe për shqiptarët. Me këto që sëbashku kemi realizuar, ne kemi fituar besim të madh, se mund të realizojmë shumë më tepër. Nëse dikush i hedh sytë mandatit të parë me mandatin e dytë, çdo njëri do të gjejë se mandati i dytë  i ka realizimet për qytetarët shqiptarë dy herë më të mëdha se mandati i parë. Unë ju jap fjalën e nderit se mandati i tretë do ti ketë ndryshimet, do ti ketë përmirësimet, tre herë më të mëdha se mandati i dytë.

Të dashur vëllezër

Tek po vija tek ju, po lexoja shtypin botëror. Çfarë njoftonte sot? Njoftonte se Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim  deklaron se ekonomia shqiptare ka ngjitje, ka rritje më të madhe se vitin e kaluar dhe ky lajm vjen në një qiell të mbushur plotë re të vendeve për rreth dhe të Europës. Tre ditë më parë Banka e Shqipërisë, deklaroi se në vitin 2012 papunësia u ul në Shqipëri. Një muaj më parë Komisioni Europian deklaroi se katër vende në tërë hapësirën Europiane në vitin 2012 patën rritje ekonomike, si Islanda, Turqia, Shqipëria dhe një vend tjetër, por midis tyre ishte e vetmja Shqipëria që kishte një rënie të papunësisë. U ndala tek këto, sepse kohërat kanë qenë me tallaze, por anija jonë nuk u përplas askund.  Anija jonë eci e sigurtë. Çdo vit kollagjerët  e zisë paralajmëronin krizë, çdo maj dhe qershor  deklaronin se qeveria s’ka para për të paguar rrogat, ja që edhe këtë vit do të paguajmë rroga e pensione dhe do të rrisim rroga e pensione, dhe çdo vit do të rrisim rroga dhe pensione. A mund  tu besohet atyre, të cilët për të mohuar mbi 10 mijë kilometra rrugë, në të cilat udhëton çdo shqiptarë, udhëtojnë dhe vetë ata, ndalen për të gjetur një gropë dhe për tu treguar shqiptarëve, ja gropa dhe  se nuk janë bërë rrugët. Unë ju them atyre, zotërinj ju nuk njihni Shqipërinë, se vendi juaj nuk ka një gropë , por ka qindra, se nuk ka një kilometër rrugë të pa asfaltuar, por i ka të paktën edhe dy mijë të tjera. Shqipëria ka 18 mijë kilometra rrugë. Ne nuk i dëgjuam ata  që na thonin neve 7 vjet më parë se po i hyni detit me këmbë, me projektin e rrugëve, por dëgjuam juve dhe nevojat tuaja, dëshirën tuaj, të drejtën tuaj, për të pasur si gjithë të tjerët një transport normal.

Këta zotërinj, çfarë alternative kanë? Ne ju themi se kemi ndërtuar dhe rindërtuar më shumë se 1300 shkolla. Ata vrapojnë për gjetur diku një shkollë të ndërtuar një shkollë të vjetër. Unë ju them atyre nuk është një shkollë jeni gabim, janë rreth 300 shkolla, por ne kemi ndërtuar 1300. Ju ankoheni se këtu ngjitur me Tiranën ka shkolla pa ndërtuar, po shqiptarët ne nuk i ndajmë as të Tiranës, as të Shkodrës, as të Tropojës , aty ku janë ne do të vemi  pas tyre. Dje isha në grykën e Vanajt, në komunat më të thella të Kukësit. Ju them të vërtetën, shkova me një ndjenjë duke pyetur veten. Ai kemi ndihmuar ne këto komuna të thella? Por kryetari i komunës në mikrofon ju tha shqiptarëve se qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar 5 shkolla, 3 ujësjellësa dhe rrugën të standardeve më të mira. Çfarë gjeta aty të dashur vëllezër? Lumi Luma, është një lum si Gjadri. Unë shkova për të inauguruar një hidrocentral. Po sa hidrocentrale ishin aty? Ishin 11 hidrocentrale dhe të gjitha sëbashku prodhonin saç prodhon hidrocentrali Ashta.  Kjo është politika që ndoqëm ne. Ato po i ndërtoni ju, ato po i ndërton sipërmarrja e lirë, por ama presidenti i asaj kompania tha se; - unë  e konsideroj këtë si vepër bashkëpunimi qeveri sektor privat. Po mendoja se ku e kishte fjalën. Po tha ai më tej, zoti kryeministër po të mos ndërtojë rrugën, ne hidrocentralin nuk e  ndërtonim dot dhe kjo rrugë që ju ndërtuat më bëri të mundur mua, që të marr kredi dhe të marr guximin për të investimin 30 milion dollarë, sepse ajo kompani me dy të tjera kishin 5 hidrocentrale. Unë jam i bindur se ajo kompani në 7 vite do të nxjerrë fitimin. 

Ne bëjmë gjithçka për punësimin. Në kulmin e krizës kur vendet e tjera kanë dyfishuar papunësinë. Secili nga ju mund të lexojë dhe të gjejë shifrat e papunësisë në Maqedoni, në Serbi, në Kroaci pra në vendet për rreth, kurse në Shqipëri, po këto institucione thonë se u ul papunësia, nuk u rrit dhe kjo është meritë e përbashkët. Reformat  vërtet i projektojmë ne, por ato i zbatoni ju, është djersa juaj , është mundi juaj, është veprimtaria  juaj mbi bazën e tyre, që përbën suksesin e  reformave. Ndaj dhe me 23 qershor le të ecim të sigurtë, drejt një fitoreje të merituar. Të merituar për projektin tonë të katër viteve që vijnë, projekt serioz. Një gjë dua t’ju them.  Nuk është se kjo qeverisje  nuk ka dobësi, nuk ka  të meta, nuk ka gabime, të gjitha këto janë të vërteta, por në projektin e saj kjo ka dëshmuar se është një qeveri shumë serioze.

Nëse ne nuk e merrnim me seriozitetin më absolute marrjen  e vizave, detyrimet që kishim ne ndaj Europës për  zbatimin e marrjes së vizave, detyrime, që të gjitha ishin në territorin e Shqipërisë. Ato ishin ligje për tu zbatuar, ato ishin sisteme informatike për tu vendosur , ato ishin standarde për tu konsoliduar, ne vizat nuk i merrnim kurrë. Përkundrazi ne kishim një kundërshti  të madhe, jo vetëm nga skeptikë anti -shqiptarë, jo ne kishim brenda, kreun e opozitës , i cili ditën kur do të merrej vendimi në Parlamentin Evropian për të hapur procedurën, ngrinte çadrat tek dera e kryeministrisë dhe më pas organizonte anëtarët e kominternit të Internacionales socialiste, në përpjekje të madhe për tu bllokuar vizat shqiptarëve, shpërndante emeile se 800 mijë shqiptarë do të derdhen në vendet tuaja po të liberalizoni vizat. Por ne jemi serioz  në ato që premtojmë. Ne bëjmë gjithçka për ti qëndruar fjalës sonë, ndaj dhe ftoj këtu nga Mnela të gjithë qytetarët e qarkut të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë ta shndërrojmë këtë fushatë, në fushatën e debatit më të fuqishëm, për projektin më serioz të katër viteve që vijnë.

Të ecim të sigurtë për të konsoliduar më tej ato vlera që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, ato vlera që hoqën vizat për shqiptarët. Ato vlera, të cilat bënë të mundur që me datën 10 tetor të vitit të kaluar Komisioni Europian duke shqyrtuar një nga një të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri deklaroi se do ti rekomandojë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat me kusht, që ato të votojnë tre ligjet . Ligje që nuk votohen nga opozita, nga aleanca e 1 prillit, e cila është aleanca e mashtrimit, e trillimit dhe  nihilizmit. Ne me 23 qershor do të votojmë për tre ligjet, do të votojmë për integrimin tonë në Europë, do të votojmë për më shumë rrugë, më shumë kanalizime më shumë shkolla të reja, më shumë ujësjellësa, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, pensione më të larta, rrogat më të larta.

Rrofshi ju.

Rroftë Shkodra.

Rroftë Shqipëria.”


12/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›