Kryeministri Berisha pret në takim Drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit Politik dhe Bashkëpunimit, zonjën Claudia Luciani

Kryeministri Berisha prit sot në një takim, Drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit politik dhe Bashkëpunimit, zonjën Claudia Luciani, e cila shoqërohej nga Shefi i Zyrës së KE në Tiranë, zoti Marco Leidekker.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet e KE-se dhe suksesin e një sërë projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit, në fusha të ndryshme, si në luftën kundër korrupsionit me GRECO-n, në fushën e forcimit të mëtejshëm të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e të dhënave, etj.
Zonja Luciani e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu kryeministrit vlerësimin për zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe transformimin mbresëlënës që Shqipëria ka përjetuar gjatë këtyre viteve te fundit.
Në takim u ripohua dëshira dhe angazhimi i Shqipërisë dhe KE për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha si psh, atë të luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave, sistemit të vuajtjes së dënimit, por edhe ne fusha të tjera si atë të arsimit apo në fushën e barazisë dhe luftës kundër çdo lloj diskriminimi.
Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit, në takim u vlerësua procesi i qetë , demokratik e transparent, si dhe sistemi zgjedhor i konsoliduar tashmë në Shqipëri, procedurat e të cilit garantojnë që vota e çdo qytetari vlerësohet dhe numërohet me rigorozitet, përmes një procesi të saktë dhe transparent të numërimit të saj, çka e rendit sistemin shqiptar të numërimit në një ndër sistemet me garancinë më të lartë, falë edhe infrastrukturave moderne e dixhitale.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha i uroi Shefit të Zyrës së KE-së, në Tiranë, zotit Marco Leidekker, suksese ne detyrën e re, i cili nga ana e tij i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha angazhimin e tij te plotë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
11/05/2011