Kryeministri Berisha: Alternativa jonë po ndryshon qartësisht jetën tonë dhe ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por edhe në mbarë botën për biznesin
Në vazhdim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha u ndal pasditen e djeshme në qytetin e Krujës ku inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë - Abazaj, investim me vlerë 38 milionë lekë si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para Bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë. Në tetë vitet e qeverisë socialiste në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliardë e 550 milionë lekë.
Në përshëndetjen e tij, drejtuar qytetarëve të Krujës, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Erdha sot këtu për të ndarë më ju gëzimin e inaugurimit të një rruge në lagjen tuaj më të vjetër, me gjatësi 1.1 kilometër dhe një investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe ndërtimin e sheshti të qytetit tuaj.
Unë erdha para së gjithash t'ju përshëndes dhe t'ju shpreh nderimin tim më të thellë. Në Krujë kam ardhur shumë herë dhe do të vij shumë e shumë herë të tjera, sepse këtu në Krujë janë rrënjët e kombit. Në Krujë janë rrënjët e ekzistencës sonë kombëtare. Kruja është kryeqyteti historik i Shqiptarëve. Në Krujë është kështjella e përjetshme e lirisë së tyre, është qyteti i heroit tonë kombëtar.
Sot, unë vij më krenar se kurrë, sepse që nga vitit 1468 deri më 4 prill 2009, Shqipëria dhe shqiptarët në udhëtimin e tyre të mundshëm përgjithnjë do të prihen nga Princi i tyre i pavdekshëm, Skënderbeu. Ne bëmë realitet vizionin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, rikthyem Shqipërinë në gjirin e familjes së kombeve që u përkasim, bëmë që lufta e Skënderbeut të ndriçojë më shumë se kurrë në historinë tonë kombëtare; Shqipëria në NATO, Shqipëria në perëndim, Shqipëria në mes të kombeve të qytetëruara të qytetërimit perëndimor. Kjo është ëndrra e çdo shqiptari. Kjo është finalja e një maratone të gjatë kombëtare, por edhe një maratone të suksesshme që nisi këtu në Krujë dhe u rikthye sërish këtu për të ecur për jetë të lirë në rrugën që përcaktoi prijësi ynë legjendar.
Shqipëria në NATO është vepra jonë më e madhe, është trashëgimia absolute dhe më e shkëlqyer për ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që vinë, është krenaria jonë më e madhe, është siguria më e madhe e lirive tona.
Vëllezër dhe motra,
Këto katër vite ishin vitet në të cilat ne, me përpjekje të përbashkëta, realizuam çdo ditë e më shumë emrin e nëpërkëmbur të Shqipërisë. Këto katër vite ia dolëm jo vetëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ne ia arritëm ta firmosim në një kohë rekord nga 27 Parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne arritëm më shpejtë se të gjitha vendet e tjera të rajonit, më 28 prill, të paraqesim kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne gjatë këtyre katër viteve, me punë të ndershme, me reforma dhe me seriozitet ia dolëm të marrim ftesën për anëtarësim në NATO dhe të anëtarësohemi plotësisht, në Samitin e Strasburgut, në Aleancën më të fuqishme të lirisë së kohërave.
Këto katër vite, ju krutanët ia dolët të prisnit Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç do të prisnit heroin legjendar të kombit, Skënderbeun dhe u bëtë të njohur në mbarë botën për mikpritjen tuaj të shkëlqyer. Këto katër vite ishin vite të një udhe të suksesshme dhe jo pa vështirësi. Këto ishin vite në të cilat ne së bashku, duke vendosur fëmijët tanë të parët, rindërtuam apo ndërtuam nga e para 1012 shkolla, mes të cilave ka edhe në Krujë. Në këto katër vite, duke vendosur fëmijët tanë të parët, çuam internetin në çdo shkollë të Shqipërisë dhe sot ata lundrojnë në internet njësoj si fëmijët e vendeve të zhvilluara të botës. Në këto katër vite ia dolëm që mësuesit e fëmijëve tanë ti vendosim në piedestalin që meritojnë; t'u 2 - fishojmë pagat atyre, infermierëve dhe mjekëve. Ne ia dolëm të 2 - fishojmë edhe pensionet në fshat dhe të rrisim 50 deri në 70 për qind pensionet në qytet. Po në katër vjet ne nxorëm nga skema e varfërisë, jetesa me nën 2 dollarë në ditë, jo 100 apo 200 mijë, por 400 mijë qytetarë shqiptarë. Megjithatë unë jam i vetëdijshëm se përsëri ka shqiptarë që përjetojnë dhembjen e skamjes, por nga ky shesh unë i jap fjalën atyre se në mandatin e dytë nuk do të ketë shqiptar të jetojë me nën dy dollarë në ditë.
Ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, po ne do t'i japim asaj goditjet më të rënda dhe shqiptarët do të shkëputen një herë e mirë nga ky armik i egër i tyre. Këto katër vite ne e kemi shndërruar Shqipërinë në një kantier ndërtimi dhe unë besoj se çdo njëri prej jush, pavarësisht nga bindjet politike, e ndjen këtë në fshatin e tij, në lagjen e tij, në qytetin e tij, në rrethin e tij dhe në vendin e tij. një kryetar komune jo i koalicionit tonë, një javë më parë më dërgoi një mesazh ku thoshte se;"babai im është 80-vjeç dhe me kërkoi që të shihte rrugën Durrës-Kukës që po ndërtohet. E çova tim atë të shihte rrugën dhe tunelin. Që atë ditë në shtëpinë tonë është vendosur fotografia e rrugës dhe babai im bën një mijë urime për të".
Por, ajo është vetëm njëra prej rrugëve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por rrugë të tilla po ndërtohen nga Konispoli në Theth, po ndërtohen në të katër anët e vendit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës,
Kjo alternativë po ndryshon qartësisht jetën tonë, po ndryshon emrin tonë, po ndryshon qenien tonë. Kjo alternativë që ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por që ka fituar një besim në mbarë botën për biznesin. Ju e keni parë, unë dje inaugurova në Lezhë fillimin e punimeve për ndërtimin e parkut energjetik, me vlerë 1.1 miliardë euro. Unë dhjetëditëshin e parë të qershorit, së bashku me ju, do të inaugurojmë fillimin punimeve për hidrocentralet në kaskadën e Devollit, projekti më i madh në Evropë për energjinë, me vlerë 1.2 miliardë euro.
Së bashku me ju kemi inauguruar dhe po inaugurojmë rreth 5 miliardë euro investime në vend, të cilat bëjnë që revolucioni ynë industrial, sado i vonuar është, të ecë me shpejtësi të madhe; të cilët bëjnë që makineria e punësimit të shqiptarëve të marrë xhiro të plota; të cilat bëjnë që zhvillimi i këtij vendi të jetë më i shpejtë se i çdo vendi tjetër. Kjo është alternativa jonë. Këto katër vite në fshatrat shqiptare kemi investuar 1.6 miliardë dollarë në rrugë dhe rrugica, në ura, në shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës dhe kanalizime. Një ditë vizitova një nga fshatrat e Fushë Krujës dhe më pritën me krenari të madhe. Më thanë se ne themi që jemi Las Vegas i Fushë Krujës, sepse në çdo derë shtëpie shkonte asfalti. Pra, e vërteta është që Shqipëria po ndryshon.
Përballë kësaj alternative ka dhe një alternativë tjetër që është alternative e nxirjes, alternativa e damkosjes, alternativa në të cilën thuhet në mënyrë absolute; Rroftë karrigia dhe poshtë Shqipëria.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës,
Unë ju garantoj se midis shpifjes dhe trillimit për vjedhjen e orës së Presidentit Xhorxh Bush nga qytetarët e Fushë Krujës, që e pritën siç do të prisnin Skënderbeun; mitingut kobzi më 4 prill 2008, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO; kërkesave në kancelaritë e Evropës për të mos anëtarësuar Shqipërinë në NATO; pa përfunduar zgjedhjet qëndron një lidhje, një qëndrim ogurzi që është karrigia e tij. Ai nuk di gjë tjetër përveç se mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij. Dhe së fundi me gazetën e tij dhe me mediat e tij, ndërmori sulmin më të turpshëm dhe më të pashembullt ndaj Skënderbeut. Skënderbeun, ju krutanët dhe të gjithë shqiptarët e mbajtët në shpirt dhe në zemër nga brezi në brez, por pavarësinë dhe kultin ia ngriti Evropa, e cila pa tek ai legjendën e mbrojtjes së saj. ishte Evropa që shkroi me mijëra vëllime, poema dhe histori ndaj tij. Ata që u përpoqën që Skënderbeun ta nxjerrin serb, ata nuk janë gjë tjetër veçse vasalë të Dushanit, të cilët në këtë kohë, me këtë komb dhe me moralin e tij nuk kanë asgjë të përbashkët. Natyrisht, janë qesharakë. Por, Skënderbeu aq saç është i gdhendur në gurët dhe shkëmbinjtë e këtij vendi, të këtij qyteti, po aq është edhe në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve. Unë jam i bindur se kjo alternativë, alternativa e mohimit dhe e përçarjes, do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor.
Megjithatë unë i bëj thirrje zotit Rama; hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë dhe të dalës në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së Bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të Bashkisë, pas karrigeve të Bashkisë.
Pavarësisht nga ato që ke shpifur dhe trilluar, dil, hajde këtu dhe uroj që të të japin pak trimëri, por e sigurt është disfata e thellë, humbja më e madhe që ka njohur ndonjë herë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri.
Rroftë Kruja, rroftë fitorja!"
15/05/2009