Kryeministri Berisha: Barazia gjinore përbën objektivin më madhor, më fisnik, por edhe më të vështirë të një shoqërie të lirë

- Në barazinë gjinore qëndrojnë potencialet e mëdha njerëzore të një shoqërie, shpalosja e të cilave, jo vetëm e bën shoqërinë më të drejtë, por e bën atë shumë më të zhvilluar, më të begatë, më të lirë.
- Duhet të bëjmë çdo gjë që me përparësi të mbështesim karrierën e grave dhe vajzave, si një kusht përcaktues dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të barazisë gjinore.
Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në vendimin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe reduktimin e Dhunës me bazë Gjinore e Dhunës në Familje (2011-2015) dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj.
Duke e vlerësuar strategjinë si një dokument me rëndësi kapitale për shoqërinë shqiptare, për liritë dhe të drejtat e saj themelore, kryeministri Berisha kërkoi që ky dokument të zbërthehet me përparësi nga të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë në varësi të qeverisë.
Kryeministri theksoi se qeveria, agjencitë e saj, shoqëria civile dhe shoqëria në tërësi duhet të kenë motivin, përkushtimin dhe vendosmërinë për të mundësuar realizimin e barazisë gjinore, të burrit me gruan, nënës me babanë, motrës me vëllain, në shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, kryeministri nënvizoi se kjo barazi nënkupton para së gjithash barazinë në burime dhe përfitime, ku pabarazia është reale. “Sipas studimeve, në vitin 2005 diferenca në pagën mesatare midis burrave e grave në Shqipëri ka qenë 34 përqind. Kjo kryesisht për shkak të sektorit privat, ku drejtuesit e sipërmarrjeve në tërësi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burra. Por këtu kontribut ka pasur dhe sektori publik. Gjatë këtyre viteve mendoj se kjo përqindje nuk ekziston, por nuk mund të them në asnjë mënyrë se është zhdukur pabarazia.”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri u shpreh se me ndërhyrjen që qeveria ka bërë në rroga, si në rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, profesione këto të dominuara gjerësisht nga vajzat dhe gratë, ka sjellë një ngushtim të dallimit në rroga midis burrave e grave, por, theksoi kryeministri, mbetet ende shumë për të bërë, për ta zhdukur plotësisht këtë diferencë.
Duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që merr sistemi i kreditimit në këtë çështje, kryeministri u shpreh se çdo ndikim i qeverisë në sistemin e kreditimit, në ato shuma që ajo disponon, duke filluar nga grantet që jepen, mbështetja qe u jepet Sipërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla (SME), kreditë që u jepen këtyre sipërmarrjeve, fondi i konkurrencës, fondi i eksporteve, si dhe të gjitha burimet publike duhet të përparësojnë në mënyrë të qartë, veprimtarinë e grave. “ Të gjitha grantet që u jepen fermerëve shqiptarë duhet t’u adresohen zonjave të shtëpisë. Populli ka krijuar bashkëkryesi, thotë zoti dhe zonja. De facto dhe de jure kjo do të thotë bashkëkryetar në familje. Ndaj dhe le t’i shkojë kjo gjysmës më të përgjegjshme të familjes, si një përpjekje e jona për tu barazuar aksesin në burime dhe përfitime. Të bëjmë gjithçka në mënyrë që nëpërmjet kësaj përpjekje vajzat e gratë të mund të shpalosin të gjitha potencialet e tyre, të iniciativës së lirë, potencialet e tyre krijuese, në shoqërinë shqiptare.”, u shpreh kryeministri
Duke folur për këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
Në rendin e ditës sot çështje më themelorë është Strategjia e Barazisë Gjinore, dokument ky i një rëndësie kapitale për shoqërinë shqiptare, për liritë dhe të drejtat themelore në shoqërinë shqiptare, për Shqipërinë në tërësi.
Barazia gjinore përbën objektivin më madhor, më fisnik, por edhe më të vështirë të një shoqërie të lirë. Barazia gjinore nënkupton, para së gjithash dhe mbi të gjitha, barazi në aksesin dhe në kontrollin e burimeve e përfitimeve në një shoqëri, nënkupton barazinë gjinore ligjore, nënkupton barazinë në vendimmarrje politike.
Si proces është ndër më kompleksët. Nuk dua të harrojmë se shkaku më themelor, faktori më kryesor i kësaj pabarazie në një shoqëri të lirë është muri i patriarkizmit, murin e patriarku burrë, mashkull, ndërtoji në 5 mijë vitet e fundit. Mur ky, i cili u lartësua nga doktrina të shumta, mjerisht duke filluar nga librat më të mira të njerëzimit, që janë librat e Shenjtë, e duke përfunduar te doktrinat shkencore dhe pseudoshkencore, do të thosha. Nuk mund të injorohet që Frojdi në thelb kishte një dimension shkencor, por ky u shndërrua, gjithashtu, në një levë absolutisht të disa të pavërtetave të mëdha që kjo doktrinë u përpoq t’i argumentojë. Duke mos u ndalur në shkaqet e këtij muri që ndan padrejtësisht bashkëshortin nga bashkëshortja, nënën dhe babanë, motrën dhe vëllain. Kjo edhe brenda familjes, miqësisë, bazë të ndërtimit të shoqërisë njerëzore. Ne, qeveria, agjencitë e saj, shoqëria civile dhe shoqëria në tërësi duhet të kenë motivin, përkushtimin, vendosmërinë për të mundësuar realizimin e barazisë së burrit me gruan, nënës me babanë, motrës me vëllain, në shoqërinë shqiptare.
Theksoj se kjo barazi nënkupton para së gjithash barazinë në burime dhe përfitime, ku pabarazia është reale në këtë fushë. Në Shqipëri, për të njëjtin vend pune, si rregull gratë dhe burrat kanë të njëjtën pagesë, por problemi është se kur vjen puna te shpërndarja e vendeve të punës, atëherë kjo bëhet e pabarabartë. Kjo bën që, sipas studimeve, në vitin 2005 diferenca në pagën mesatare midis burrave e grave në Shqipëri ka qenë 34 përqind. Kjo kryesisht për shkak të sektorit privat, ku drejtuesit e sipërmarrjeve në tërësi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burra. Por këtu kontribut ka pasur dhe sektori publik. Gjatë këtyre viteve mendoj se kjo përqindje nuk ekziston, por nuk mund të them në asnjë mënyrë se është zhdukur pabarazia. Më ndërhyrjen që qeveria ka bërë në rroga, si në rrogat e mësuesve, infermjerëve, mjekëve, profesione këto të dominuara gjerësisht nga vajzat dhe gratë, ka sjellë një ngushtim të dallimit në rroga midis burrave e grave, por jam i sigurt se nuk e ka zhdukur atë, jam i sigurt se kjo diferencë ekziston dhe duhet me vendosmëri të madhe të bëjmë çdo gjë për zhdukjen e saj.
Por në rast se me rrogat në sektorin publik është ecur dhe ka një progres, sikundër ka një progres të qartë në përqindjen e grave që drejtojnë biznese në Shqipëri dhe që i drejtojnë ato me sukses të plotë, përsëri dallimet janë reale dhe nuk mund të themi se i kemi shfrytëzuar të gjitha potencialet e domosdoshme. Në mënyrë të veçantë një rëndësi të jashtëzakonshme ka sistemi i kreditimit.
Zotërinj ministra,
Çdo ndikim i qeverisë në sistemin e kreditimit, në ato shuma që ajo disponon, duke filluar nga grantet që jepen, mbështetja qe u jepet Sipërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla (SME), kreditë që u jepen këtyre sipërmarrjeve, fondi i konkurrencës, fondi i eksporteve, të gjitha burimet publike duhet të përparësojnë në mënyrë të qartë si kristali veprimtarinë e grave. Kjo jo për diskriminuar burrat, por për të bërë të mundur shënimin e disa hapave përpara në drejtim të barazisë gjinore. Të gjitha grantet që u jepen fermerëve shqiptarë duhet t’u adresohen zonjave të shtëpisë. Populli ka krijuar bashkëkryesi, thotë zoti dhe zonja. De facto dhe de jure kjo do të thotë bashkëkryetar në familje. Ndaj dhe le t’i shkojë kjo gjysmës më të përgjegjshme të familjes, si një përpjekje e jona për tu barazuar aksesin në burime dhe përfitime. Të bëjmë gjithçka në mënyrë që nëpërmjet kësaj përpjekje vajzat e gratë të mund të shpalosin të gjitha potencialet e tyre, të iniciativës së lirë, potencialet e tyre krijuese, në shoqërinë shqiptare.
Për një shoqëri rëndësi përcaktuese ka vlerësimi i karrierës së vajzave dhe grave. Duhet të bëjmë cdo gjë që me përparësi të mbështesim karrierën tyre, si një kusht përcaktues dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të barazisë gjinore. Një kujdes më i veçantë duhet bërë sepse në traditën shekullore të shoqërive nuk shprehet kush për burrë shtëpiak, por shprehet për grua shtëpiake. Gruaja shtëpiake është gruaja e dënuar nga shoqëria të vërtitet si një automat dhe të topitet në të gjitha aftësitë e saj, ndaj dhe ne do të bëjmë cdo gjë që zonjës së shtëpisë ti krijojmë të gjitha mundësitë që të shpalosë vizionin e ve,të shpalosë aftësitë e saj krijuese, në fushën ku ajo mund të japë më shumë, në profesionin që ajo mund të japë më shumë. Është e faktuar nga studime te pakundërsshtureshme se çdo doktoratë, çdo diplomë, çdo gradë, degradon në mënyrë të pamëshirë në orbitën shtëpiake. Kusht shumë i rëndësishëm që gratë dhe vajzat të shpalosin të gjithë potencialet e tyre krijuese, mendore intelektuale, është që ato të ndjekin karrierën, ndaj dhe ne në këtë aspekt fondet e qeverisë përpjekjet e qeverisë duhet te jene shumë serioze në të gjithë procesin e kualifikimeve ne duhet ti japim përparësi grave dhe vajzave. Sa më shumë ti nxjerrim ato nga orbita shtëpiake aq më të drejtë bëjmë ne, familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë.
Studimet janë të shumta bë vendet më të zhvilluar ku faktohet se kjo orbitë është produkt i patriarkisë. Krijesë e saj , e justifikuar e motivuar nga dogma dhe të pavërteta të shumta . Problemi i barazisë gjinore ka disa aspekte te tjera jashtëzakonisht të dhimbshme, ka dhunën në familje, që është dhe krimi më i shëmtuar. Po në hijen e murit të patriarkisë dhunë ndaj grave dhe vajzave është parë si diçka e zvogëluar , por në fakt ajo përbën formën më të rëndë të dhunimit të lirive dhe të drejtave njerëzore ne një shoqëri.
Ne jemi dëshmitarë se kjo dhunë në Shqipëri ka dhe forma nga më tragjiket. Shoqëria akoma ka një predispozitë të papranueshme për tu vërsulur verbërisht ndaj një gruaje apo vajze, për një krim, për një faj për një problem , gjë që nuk e bën për burrin apo për djalin sa që ndonjëherë më rikujton shekuj të shkuar kur gratë demonizoheshin nga motive më primitive. Dhe këto janë reminishenca të asaj psikologjie. Ndaj dhe është e domosdoshme një qëndrim ligjor i rreptë, nga më të rreptët ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave. Përpjekje po bëhen, janë miratuar ligje shumë të mira por që ende duhet të përmirësohen , ligje që duhet të shpallin vepër të rëndë penale, dhunën ndaj grave dhe vajzave, në mënyrë ato të shërbejnë si ckuarajues ndaj potencialit agresiv të burrave, çfarëdo që të jenë ato bashkëshortë, fëmijë, etj.
Pra kjo është një strategji shumëplanëshe, e cila duhet të zbërthehet nga të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë në varësi të kësaj qeverie. Natyrisht nuk është një betejë afatshkurtër por është dhe një betejë e përditshme për të arritur qëllimin e madh , emancipimin e shoqërisë.
Në barazinë gjinore qëndrojnë potencialet e mëdha njerëzore të një shoqërie, shpalojsja e të cilave, jo vetëm e bën shoqërinë më të drejtë, por e bën atë shumë më të zhvilluar , më të begatë , më të lirë. Ndaj duke përgëzuar ministritë e linjës dhe të gjithë ata faktorë që morën pjesë në hartimin e saj kërkoj nga ju zotërinj ministra dhe ministër që kjo të shndërrohet në agjendën program të secilës ministri, të secilës agjenci. Të përcaktojmë objektiva , të përcaktojmë monitorimin e realizimit të këtyre objektivave.
Atë që shoqëria njerëzore ka bërë gabim në 5 mijë vite nuk e cbëjmë në 5 vjet, por ajo përbën një motiv madh për të gjithë ata që i besojnë barazisë gjinore, për të gjithë ata që besojnë se njerëzit lindin të barabartë dhe nuk duhet të ketë dallime midis burrit dhe gruas, nënës dhe babait, motrës dhe vëllait.
16/06/2011