Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit 2011 realizoi me sukses objektivat e përcaktuara në të gjitha fushat

- - Buxheti i vitit 2011 i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit në të katër anët e tij, nga Konispoli deri në Vermosh në mijëra km rrugë të ndërtuara dhe të rindërtuara.
- - Buxheti i vitit 2011 bëri që të realizohet 6 muaj para afatit tuneli i Kërrabës, segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan
- - Buxheti i vitit 2011 bëri të mundur rritjen e rrogave dhe të pensioneve, rriti të ardhurat familjare të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë.
Këshilli i Ministrave mori sot në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit, të vitit 2011”.
Në diskutimin e tij për projektligjin në fjalë, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria në vitin 2011 ekzekutoi një buxhet që mbështeti plotësisht në kushtet më të vështira stabilitetin makroekonomik të vendit, rritjen ekonomike të tij, si dhe projektet madhore infrastrukturore, siç është përfundimi 6 muaj para afatit i Tunelit të Kërrabës, segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan që do të inaugurohet së shpejti.
Duke shprehur falënderimet e tij për të gjithë ata që bënë të mundur që buxheti i vitit 2011 të ishte një buxhet i vërtetë suksesi, kryeministri renditi një sërë fushash, në të cilat buxheti i vitit të kaluar u përdor me sukses të plotë, duke shënuar arritje të rëndësishme në dobi të qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se suksesi i buxhetit të vitit 2011 do të shërbejë si një bazë e fuqishme për buxhetin e vitit 2012, i cili do të japë transformimet më të mëdha në këtë vend.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot miratojmë buxhetin faktik të vitit 2011. Duhet të jemi shumë mirënjohës ndaj të gjitha atyre që në vitin 2011 bënë që Shqipëria të realizojë të ardhurat dhe shpenzimet e saj, në një mënyrë siç u përcaktua në ligjet e parlamentit.
Shqipëria në vitin 2011 ekzekutoi një buxhet që mbështeti plotësisht në kushtet më të vështira stabilitetin makroekonomik, rritjen ekonomike të vendit, mbështeti projektet madhore, siç është autostrada Tiranë-Elbasan, tuneli i Kërrabës që do të inaugurohet këto ditë, do të inaugurohet pra, 6 muaj para afatit.
Ky buxhet dhe mos harroni kurrë natën, në të cilën qeveria dhe kryeministri i vendit u detyrua të qëndrojë në parlament, për here të parë në historinë e atij parlamenti, deri në orën 5 të mëngjesit për të bindur opozitën që ta votonte dhe ajo nuk ndodhi vetëm e vetëm se këtë sukses nuk duhet ta kishte kjo qeveri, por buxheti kaloi dhe në një nga zërat e tij u shndërrua në tunelin e Qaf Kërrabës. Por nuk është vetëm tuneli, buxheti i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit në të katër anët e tij, nga Konispoli deri në Vermosh në mijëra km rrugë të ndërtuara dhe të rindërtuara.
Buxheti ishte një buxhet i bekuar sepse bëri të mundur rritjen e rrogave të dhe të pensioneve, rriti të ardhurat familjare të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë dhe kjo në një kohë kur vende të tjera në tërësi dhe pa përjashtim, përveç Polonisë dhe ndonjë vendi tjetër, u detyruan të bëjnë shkurtime ndër më të mëdha të pensioneve dhe te rrogave.
Buxheti bëri të mundur rritjen e ndihmës ekonomike. Unë jam i vetëdijshëm se qytetarët shqiptarë meritojnë gjithnjë e shumë dhe ne i përmbahemi kësaj, por stuhitë e kësaj krize kanë krijuar në mbarë Evropën një situatë shumë të vështirë. Shqipëria ka mbetur si një ishull, ekonomia e së cilës perfomon. Shqipëria ka realizuar dhe vazhdon të realizojë investime të mëdha, duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh për qëllime të tjera, përveç investimeve.
Pra ka shumë arsye të shpreh falënderimet e mija të përzemërta për të gjithë ata të cilët bënë të mundur realizmin e të ardhurave, për të gjithë ata që bënë të mundur realizmin e projekteve, realizmin e kontrollit të shpenzimeve dhe bënë buxhetin e vitit 2011, një buxhet të vërtetë suksesi; bënë të mundur që ky buxhet të shërbejë si një bazë e fuqishme për buxhetin e vitit 2012, i cili do të japë transformimet më të mëdha në këtë vend.
Nuk është se nuk ka vështirësi, ka vështirësi serioze, por e vërteta është se përsëri ekonomia shqiptare e cila po perfomon dhe do të performojë, u përball me një situatë të jashtëzakonshme tre muajt e parë të saj dhe një paralizë totale në dy të tretat e saj nga një dëborë e paparë, u përball me një thatësirë në digat që nuk e kishin njohur ndonjëherë me parë. Unë dua ti informoj shqiptarët se nga 31 marsi i viti 2011 deri në 31 mars 2012 prodhimi i energjisë në HEC tona ra nga 7.2 miliard që ishte një vit më parë, në 3.1 miliard dhe ne bëmë gjithçka që të mos kishte ndërprerje të programuara të energjisë për mungesë të saj. Ne kaluam jo një test, por një cunam për sa i përket prodhimit të energjisë. Ajo ra në nivelet më të pabesueshme, por megjithatë mobilizuam të gjitha mjetet, importuam në mënyrë të pandërprerë, nuk deklaruam se linjat tona nuk mbajnë siç bënin më parë. Linjat tona mbajtën dhe mbajnë dhe linjat tona janë të atilla sa që nuk do të lejojnë ndonjëherë që qytetarët shqiptarë të kenë ndërprerje të programuara të energjisë për mungesë të saj.
Buxheti ndoqi të gjitha objektivat e përcaktuara në shëndetësi, turizëm, arsim , bujqësi, në të gjitha fushat, prandaj dhe ka shumë arsye të shprehim vlerësimin tonë më të mirë për performancën buxhetore të vitit të kaluar.
06/06/2012