E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takohet me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç

3 qershor 2012
Mostar, Bosnje-Hercegovinë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u takua sot me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në kuadër të Samitit të 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, i cili po zhvillon punimet në Mostar, Bosnje-Hercegovinë.

Duke vlerësuar rëndësinë e organizimit të takimeve të nivelit të lartë dhe konkretisht, të Samitit të 10-të rajonal që synon të forcojë lidhjet mes vendeve të Evropës Juglindore, të dy krerët e shteteve vlerësuan me këtë rast marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe shprehën dëshirën dhe vullnetin maksimal për intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, sidomos ato në kuadër të bashkëpunimit rajonal, me synim integrimin e përbashkët në strukturat evropiane.

Gjithashtu, Presidenti Topi dhe homologu malazez ndanë të njëjtat mendime lidhur me nxitjen e nismave të përbashkëta kryesisht ekonomike, të cilat do t’i hapin rrugë zhvillimit më të madh të vendeve tona, investimeve të ndërsjella, projekteve infrastrukturore, kulturore, artistike, atyre të turizmit e të tregtisë kufitare, etj. Presidenti Topi dhe Presidenti Vujanoviç theksuan se bashkëveprimi dhe koordinimi midis dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian përbën një nga kushtet e BE-së dhe i shërben objektivit të përbashkët të anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›