Kryeministri Berisha: Dhënia e tokave të papunuara në përdorim dhe me qera rrit ndjeshëm punësimin në sektorin bujqësor
Kryeministri Berisha foli sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur me lehtësimin e procedurave për dhënien në përdorim dhe me qera të tokave të papunuara, nga autoritetet lokale.
Duke e cilësuar këtë si një proces shumë të rëndësishëm, kryeministri iu bëri thirrje qeveritarëve vendorë, kryetarëve të komunave dhe të bashkive që kanë në territorin e tyre fshatra që ta shohin këtë vendim si një mundësi të re, të madhe për krijimin e mijëra vendeve të punës për banorët e këtyre zonave.
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga qeveritarët vendorë që të bëjnë gjithçka që tokat e papunura të territorit të tyre tu jepen atyre që kanë vullnetin për të punuar, natyrisht duke mos e humbur pronësinë, por duke zbatuar dhënien e taksës prej 1/10-tën pronarëve të tokës.
Duke vlerësuar ecurinë e deritanishëm të procesit, kryeministri theksoi se potencialet janë për të bërë shumë më tepër. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që të përgatisë një ekip, i cili do të monitorojë ecurinë e procesit, për të gjetur një zgjidhje për pengesat burokratike, por edhe për të organizuar trajnimet e nevojshme apo promovimet në media. “Është i nevojshëm një monitorim i këtij procesi, ku pengohet, çfarë e pengon, ndofta duhet të organizohet edhe një seminar në shkallë rajoni me ta, duhet bërë dhe një promovim më i madh në mediat lokale të këtyre potencialeve. Nuk duhet për asgjë të neglizhojmë një gjë të tillë. Çdo toke e dhënë, çdo parcelë e dhënë , e papunuar janë vende pune të krijuara. Ministria të përparësojë në grantet që jep përfituesit e këtyre parcelave nga autoritetet vendore për zhvillimin e tyre. Sepse këtu ministria, jo vetëm që inkurajon punësimin, por kontribuon në zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore të mbjella, të përdorura, në zhvillimin e plantacioneve të ullinjve, mollëve, vreshtave sipas rastit. Ka një rëndësi shumë të madh të mund të nxisim iniciativën e lirë “Toka duhet ti jepet atyre që e punojnë, jo atyre që u kthejnë shpinën”
Më hollësisht mbi këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:
Dy janë çështjet kryesore që doja të sillja në vëmendjen e qeverisë, njëra lidhet me një vendim shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me lehtësimin e procedurave për dhënien në përdorim dhe me qera të tokave të papunuara, nga autoritetet lokale.
Ky proces, sot ka një rëndësi shumë të madhe. Sot ka rëndësi kryesore që të përdorim çdo mundësi për të krijuar vende të reja pune dhe e vërteta është që bujqësia ka një potencial shumë të madh në qoftë se kalohen në zhvillime intensive dhe ne qoftë se kalohet në krijime te fermave të reja, të përdorimit të sipërfaqeve te papunuara të tokës, të kreditimit të sipërmarrjeve të përpunimit të prodhimeve bujqësore.
Ndaj dhe unë ju bëj thirrje te gjithë qeveritareve vendore, kryetareve te komunave dhe bashkive që kanë në territorin e tyre fshatra të shohin këtë vendim si një mundësi të re, të madhe për krijimin e mijëra vendeve pune, të shohin këtë vendim si një mundësi e madhe që ju jepen atyre për të adresuar problemet themelore te familjeve dhe të qytetarëve të komunave të tyre apo nga komuna të tjera për të punësuar veten apo njerëzit e tyre.
Në rast se ne konsiderojmë dhe e kemi konsideruar qytetarin të parin, nuk mund të ketë asnjë mëdyshje se synimi i të gjithë reformave tona është që të mbështesim, të ndihmojmë, ta bëjmë atë më të begatë nëpërmjet punës së tij, ta bëjmë atë më të lirë nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor dhe garantimit të lirive të tij dhe ta bëjmë më të sigurtë nëpërmjet garantimit të rendit publik. Në këtë kontekst janë marrë një seri masash që kanë lehtësuar dhe lehtësojnë biznesin e vogël, që kanë lehtësuar biznesin në tërësi, por suksesi i arritur ne koncesionet në HEC-e duhet të jetë frymëzues, duhet të frymëzojë çdo degë të ekonomisë sonë, çdo sektor, duhet të frymëzojë çdo kryetar komune dhe bashkie te vendit. Potencialet janë të jashtëzakonshme. Unë ftoj kryetarët e komunave dhe të bashkive të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara të territorit të tyre tu jepen atyre që kanë vullnet për të punuar, kur ato kanë të zotin, natyrisht pronësia nuk humbet, por jepen me te dhjetën, një taksë kjo e drejtë, e ndershme, e shkruar edhe në librat e shenjta, mijëra vjet më parë. Aty ku toka është djerrinë, apo komunale tja u japin me një euro kundrejt kushteve për të zhvilluar plantacionin apo fermën blegtorale, apo fermën me bime mjekësorë apo çfarë projektesh të tjera kanë ndër mend për të zhvilluar dhe ti mbështesin. Kërkuan një vit më parë t’ja u japim atyre këtë kompetencë dhe ja u kemi dhënë, por janë gjithsej 250 qytetarë që kanë përfituar nga kjo , ndërkohë që duhet të ishin së paku 2500, për të mos thënë që mund të shkohet pa asnjë lloj hezitimi drejt shifrave shumë më të larta. Le të rendim ne pas kësaj.
Zoti Ruli është e domosdoshme që një ekip i Ministrisë së Bujqësisë, pas këtij vendimi i cili synon të lehtësoje dhe me shumë procedurat, u jep dhe me shumë autoritet këshillave, kryetarëve të bashkive dhe të komunave, por duhet një monitorim i këtij procesi, ku pengohet, çfarë e pengon, ndofta duhet të organizohet edhe një seminar në shkallë rajoni me ta, duhet bërë dhe një promovim më i madh në mediat lokale të këtyre potencialeve. Nuk duhet për asgjë të neglizhojmë një gjë të tillë. Çdo toke e dhënë , çdo parcelë e dhënë, e papunuar janë vende pune të krijuara. Ministria të përparësojë në grantet që jep për përfituesit e këtyre parcelave nga autoritetet vendore për zhvillimin e tyre. Sepse këtu ministria, jo vetëm që inkurajon punësimin, por kontribuon në zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore të mbjella, të përdorura, në zhvillimin e plantacioneve të ullinjve, mollëve, vreshtave sipas rastit. Ka një rëndësi shumë të madhe të mund të nxisim iniciativën e lirë “Toka duhet ti jepet atyre që e punojnë, jo atyre që u kthejnë shpinën” Toka kërkon djerse, do të punohet, në rast se nuk e punon dot, kemi vendosur ligjin e të dhjetave që ka ekzistuar në të gjithë brezat, në të gjitha kohërat. Ne vend që të lihet djerre dhe të mos i hiqen as gurët për ta pastruar, le të jepet për ta punuar dhe pronari të përfitojë një të dhjetën e vlerës së atij prodhimi.
Zoti Ministër i bujqësisë, unë do të kërkoja që e gjithë ministria të ndërmarrë një veprim të fuqishëm në zbatim të këtij vendimi, të studiohen sipërfaqet dhe tu ofrohen, të nxiten , të bëhet një promovim të mediat lokale me spote për sipërfaqet ekzistuese. Të vjen keq se akoma sot, ne rrethe me njerëz punëtorë që kanë bërë investime të shumta në tokën e tyre, pra kodra të tëra që dikur gjyshërit e tyre i kishin kryesore në prodhim, sot janë djerrina. Sigurisht ato kërkojnë një mund më të madh. Edhe njëhere dua të theksoj këtu çështjen e rracave . Duhet te përqendrohemi me te gjithë potencialin për përmirësimin me shpejtësi të rracave të gjedhit, të dhive, të deleve. Siç po ecim shumë mirë në disa varietete, në prodhimin e zarzavateve, në prodhimin e frutave, detyra jonë është të bëjmë gjithçka për transformime te mëdha rracore në vend. Pse dhia e Zvicrës, të prodhojë 700 litra qumësht dhe lopa në Shqipëri të prodhojë 600 litra? Atëherë ne duhet ti ndihmojmë ata dhe të sjellim rracat më të mira të dhive dhe të lopëve. Bujqësia ka një ngjitje të vërtetë, ka një ngjitje reale të fuqishme, por potenciali i saj gjithnjë duhet ta kemi të qartë se është 10 herë më i madh. Ky është postulati i sotëm për bujqësinë dhe kjo është shumë e vërtetë dhe ne duhet të përcaktojmë objektivat më ambicioze duke patur parasysh gjithnjë punësimin e qytetarëve.
18/07/2012