Kryeministri Berisha: Do të rimodelojmë shtëpitë e fëmijës sipas konceptit shtëpi-familje, frymëzuar nga kujdesi njerëzor i Nënë Terezës
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit tërësor të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Kryeministri u angazhua se qeveria do të bëjë gjithçka, për rindërtimin e të gjitha shtëpive të fëmijëve, bazuar në konceptin bashkëkohor funksional e të dobishëm shtëpi-familje, ndërsa theksoi se frymëzim për qëndrimin ndaj atyre që janë në nevojë, duhet të jetë rruga e bamirësisë dhe e kujdesit njerëzor e Nënë Terezës.
Kjo shtëpi, nën kujdesin e Kryeministrit, iu nënshtrua jo vetëm rikonstruksionit të ambienteve, por edhe rikonceptimit të modelit të shtëpisë së kujdesit për fëmijë, duke ndërthurur elemente të akomodimit, familjes, edukimit, me një financim 50 milionë lekë të qeverisë shqiptare dhe 40 milionë lekë të Agjencisë Turke të Ndihmës Ndërkombëtare, për pajisjen e saj.
“Dua të shpreh angazhimin - u shpreh Kryeministri - se një transformim të tillë do ta pësojnë të gjitha shtëpitë e fëmijëve në Shqipëri. Ne do të bëjmë gjithçka që ato të jenë sa më afër kushteve të familjes, që brenda tyre të ketë sa më shumë elementë të familjes”.
Kryeministri Berisha tha se ky inaugurim që bëhet në një ditë të shënuar për shqiptarët, ditën e vendimit të Papa Gjon Pali II për lumturimin e shqiptares më të madh të të gjitha kohërave, Nënë Terezës.
“Nderimi i saj, duke inauguruar një model të ri të shtëpive të kujdesit për fëmijët, është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë sot. Nënë Tereza ishte një jetë e tërë e shkrirë në ndihmë të fëmijëve, në ndihmë të të sëmurëve, në ndihmë të qenieve të braktisura njerëzore”, - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha vizituan ambientet e brendshme të akomodimit, u takuan me fëmijët, edukatoret e mësuesit. Më pas, Kryeministri ndoqi koncertin e fëmijëve të shtëpisë së fëmijës dhe të nxënësve të shkollës “Jordan Misja”.
Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.
“Ne kemi ardhur për të disatën herë, për t’u takuar me fëmijët e kësaj shtëpie, por këtë herë vijmë për të inauguruar transformimin e saj, sistemimin e fëmijëve në këtë shkollë e në apartamente bazuar në konceptin shtëpi-familje. Ky është edhe koncepti aktual më njerëzor dhe unë dua të përgëzoj Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, drejtoreshën e punonjësit, firmën që ka realizuar rindërtimin e plotë të brendshëm të kësaj shtëpie, duke nderuar në këtë mënyrë, themeluesin e saj, kryetarin e bashkisë së Tiranës Zyber Hallulli, i cili 95 vjet më parë ngriti strehën vorfnore të Tiranës dhe sot e inaugurojmë atë të rindërtuar plotësisht, me një koncept të ri shumë më funksional, shumë më të njerëzishëm e shumë të dobishëm.
Me këtë rast, dua të shpreh gjithashtu, angazhimin se një transformim të tillë do ta pësojnë të gjitha shtëpitë e fëmijëve në Shqipëri. Ne do të bëjmë gjithçka që ato të jenë sa më afër kushteve të familjes, që brenda tyre të ketë sa më shumë elementë të familjes. Këtu, në shtëpi, sot kemi 28 nxënës dhe 38 punonjës. Ne nuk do të kursejmë asgjë që këtyre fëmijëve t’u jepen shërbimet më të mirë të edukimit, të trajtimit të gjithanshëm psikologjik e të kushteve të tjera të jetesës.
Sot, ne e inaugurojmë këtë shtëpi, në një ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët. Ditë, në të cilën ne nderojmë vendimin e madh të Papës Gjon Pali II për lumturimin e Nënë Terezës, shqiptares që i dha emër, më shumë se kushdo tjetër, këtij vendi, në shekullin që jetoi, shqiptares më të madh të të gjitha kohërave. Në këtë aspekt, nderimi i saj, duke inauguruar një model të ri të shtëpive të kujdesit për fëmijët, është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë sot. Nënë Tereza ishte një jetë e tërë e shkrirë në ndihmë të fëmijëve, në ndihmë të të sëmurëve, në ndihmë të qenieve të braktisura njerëzore, të braktisura nga familja, të braktisura nga shoqëria, të braktisura nga mjekësia, të braktisur nga gjithë të tjerët, përveç saj e urdhrit të saj, e cila përfaqësonte me dhembshuri të madh, përkushtim të jashtëzakonshëm, njeriun e njerëzoren aty ku ajo mungonte, besonte se dashuria është forca më e madhe e njeriut për të përmirësuar për mirë jetën e tjetrit.
Duke u përulur me nderim të madh para veprës e kujtimit të saj, unë ftoj që të jetë një frymëzim i madh për ne e të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e bamirësisë, në rrugën e kujdesit për ata që janë në nevojë, si rruga më e drejtë, më njerëzore, si detyrim madhor i çdo individi, i shoqërisë në tërësi, për të lehtësuar vuajtjet e dhimbjet e pashmangshme të një udhëtimi në kushtet e tregut. Një udhëtim, i cili në një mënyrë apo tjetër krijon pabarazitë e veta, në një mënyrë apo tjetër ka pasoja, ndaj të cilave shoqëria duhet të qëndrojë fuqishëm për t’i përballuar ato, për t’i zbutur ato.
Dua me këtë rast të falënderoj Agjencinë Turke të Ndihmës Ndërkombëtare, e cila, krahas investimit mbi 50 milionë lekë të qeverisë, ka investuar në pajisjet e saj mbi 40 milionë lekë dhe me bujarinë e vet ka bërë që kjo shtëpi të shndërrohet në një strehë bashkëkohore edukimi, jetese, mësimi, argëtimi për banorët e saj.
Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo shtëpi të fëmijëve ta modelojë sipas koncepteve më të mira, do të bëjmë gjithçka që fëmijët, të cilët nuk mund të jetojnë dot në familjet e tyre, të gjejnë një familje të dytë në shtëpitë kujdesit për ta.”
19/10/2012