Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në Kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, ne Bukuresht

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Bukuresht, ku zhvilloi punimet Kongresi Statutor i Partisë Popullore Europiane (EPP), mori pjesë pasditen e së enjtes në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore tek Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, aktivitet i organizuar nga ambasada shqiptare në Bukuresht, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Kjo kishë, e vendosur në qendrën e Bukureshtit, bën pjesë edhe në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo është vënë në shërbim të Komunitetit Ortodoks Shqiptar nga viti 1911-1945. Pikërisht në këtë kishë, krahas shërbesave fetare, shqiptarët e Rumanisë kanë festuar për vite me radhë 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së vendit të tyre. Në kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi” ka dhënë meshën në gjuhën shqipe kleriku dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare Fan S. Noli.
Të pranishëm në këtë event ishin kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, zoti Sorin Oprescu, ish presidentet rumun Iliesku dhe Kostandinesku, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë.
Të pranishmit ndoqën fillimisht meshën e mbajtur me këtë rast, e më pas Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit mbajti një fjale ku i shprehu mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, si dhe uroi mbarë shqiptarët me rastin e festës së shënuar të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, duke falënderuar të pranishmit për prezencën e tyre u shpreh se ceremonia ka një simbolikë shumë të domethënëse për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Kryeministri tha se Bukureshti është një qytet i lidhur ngushtësisht me evenimente, fakte dhe personazhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe do të kujtohet gjithmonë nga shqiptarët si një nga qendrat më të rëndësishme të organizimit dhe përpjekjeve të tyre për krijimin e shtetit të pavarur. Kryeministri vlerësoi rolin përcaktues të komunitetit shqiptar në këtë qytet, në vendimin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali.
* * *
Pas këtij aktiviteti dhe në mbyllje të vizitës në Rumani, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, zoti Sorin Oprescu organizuan një pritje për nder të Kryeministrit Berisha.
Pritja u organizua në Grand Hotel Continental, për të përkujtuar një gur kilometrik të historisë shqiptare, nisjen e rrugëtimi të themeluesit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë. 100 vjet më parë, Ismail Qemali qëndroi në këtë hotel dhe takoi përfaqsues të bashkësisë shqiptare në Rumani dhe diskutoi me ta për shpalljen e Pavarësisë. Ky moment përkujtohet me një pllakë përkujtimore në ambientet e hotelit.
Në pritje morën pjesë ish presidenti Iliesku, At Vasile, drejtues i Kishës “San Nicola Dintro Zi”, ambasadorë, përfaqësues të komunitetit të vjetër shqiptar që jeton në Rumani, studentë shqiptarë, etj.. Pritja kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore.
Fjala e kryeministri Berisha mbajtur në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në Kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, ne Bukuresht
“Së pari më lejoni tu falënderoj shumë përzemërsisht për nderin që me keni bërë, duke qenë të pranishëm në këtë ceremoni me një simbolikë shumë të madhe për kombin dhe vendin tim. Mesha në të cilën ne asistuam ishte meshë e një ngjarje të vërtetë, e një ngjarje të shënuar në historinë shqiptare. Ndaj dhe më lejoni ti shpreh falënderimet më të sinqerta patriarkut Daniel për mesazhin e tij të përzemërt, për mesazhin e tij miqësor që dërgoi, korit të patriarkut rumun për këtë këngë të mrekullueshme që interpretuan sot këtu.
I dashur zoti kryetar i bashkisë,
Të falënderoj për fjalët që thatë në fjalimin tuaj dhe dua të theksoj këtu, se pas Shqipërisë në këtë qytet janë zhvilluar ngjarjet e mëdha për pavarësinë e vendit tim.
Në shekuj këtu ka jetuar një komunitet shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut thelbësor në historinë e vendit dhe të kombit tim. Këtu janë shkruar dhe shtypur abetaret e para të shqiptarëve.
Në këtë qytet të bekuar komuniteti shqiptar luajti një rol përcaktues në vendimin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali.
Kryeministri i asaj kohe Take Ionescu ishte kryeministri i parë që do të kontribuonte me një shumë të konsiderueshme në buxhetin e qeverisë së parë shqiptare. Dhe vendi juaj do të ishte i pari që do të njihte qeverinë e pavarur dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Këtu do të këndohej për herë të parë himni i vendit tim, himni kombëtar që këndohet që nga viti 1912.Ne sot këtu nderojmë në një kishë kaq të bukur një ngjarje tjetër, Meshën që At’ Fan Noli ka mbajtur në gjuhën shqipe në vitin 1912.
Për dekada ky tempull ka shërbyer si shtëpi e Zotit për komunitetin shqiptar. Kurse At’Fan Noli ishte themelues i Kishës Autoqefale shqiptare. Bilbili i letrave shqipe, është shkrimtar dhe diplomat i shkëlqyer, një atdhetar i flaktë që një jetë të tërë ia kushtoi në shërbim të vendit të tij.
Të dashur miq,
Në Shqipëri prej një shekulli jeton një komunitet arumun, që ka një kontribut thelbësor në kulturën dhe në jetën e historinë në tërësi të vendit tim. Shekuj më parë ata ndërtuan në Voskopojë një nga qendrat më të zhvilluar atë arsimit, dijes në mbarë Evropën Juglindore. Dhe me pas ata do të spikasnin në të gjitha fushat në jetën kulturore, politike, artistike të vendit tim. Nga ky komunitet është i madhi Viktor Eftimiu, por edhe personalitete të tjera të jetës kulturore, artistike, por edhe politike të Rumanisë.
Ne kremtojmë këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë. Unë ndihem krenar dhe mirënjohës për marrëdhëniet që dy vendet dhe kombet tona kanë pasur për 100 vjet me radhë. Ato janë marrëdhënie miqësie, respekti dhe mbështetjeje të plotë ndaj njëri-tjetrit.
Pas daljes nga daljes nga diktatura të dy vendet tona bënë përpjekje të mëdha për një zhvillim të fuqishëm të miqësisë dhe bashkëpunimit. Unë kam këtu para meje dy miq të çmuar të kombit tim dhe dy burra të shquar të kombit rumun Presidenti Iliesku dhe presidentin Kostandinesku, të cilët kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë dhënë një kontribut thelbësor në thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe kombeve tona. Me ndershmëri dhe vendosmëri, në një Ballkan të trazuar, ata kanë vendosur kombin dhe vendin tuaj në anën e paqes, stabilitetit dhe të rregullit.
Sot marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera. Rumania e ka mbështetur fuqishëm Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe mbështet atë në rrugën e integrimit në BE.
Edhe njëherë ju falënderoj me shumë mirënjohje për praninë tuaj sot këtu dhe shpreh mirënjohjen më të madhe ndaj vendit tuja, ndaj kombit tuaj për qëndrimet dhe mbështetjen e fuqishme që ju ka dhënë shqiptarëve në të gjitha kohërat.
19/10/2012