Kryeministri Berisha: Familjet shqiptare që mbrojtën hebrenjtë dëshmuan se vlerat morale të njeriut janë më të fuqishme sesa doktrinat raciste, makineritë më të egra luftarake të kohës

Kryeministri Berisha përshëndeti sot seancën e veçantë plenare në kujtesë të Holokaustit “Besa e Shqiptarit” të organizuar nën kujdesin e posaçëm të Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli, kushtuar viktimave hebreje të shfarosjes naziste, si dhe të gjithë familjeve shqiptare që ndihmuan dhe strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke nderuar kujtimin e të zhdukurve nga barbaria naziste, Kryeministri Berisha në fjalën e tij e cilësoi Holokaustin, si aktin më barbar në memorien e qytetërimit. “Holokausti pati mbi 6 milion viktima, ndaj dhe sot nderimi i parë shkon tek të gjithë ata, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, të sapolindur dhe ende të palindur, të cilët u flijuan për fajin e vetëm se i përkisnin etnisë hebreje, etni që kishte kontributet ndër më të mëdhatë në rrënjët e qytetërimit të sotëm dhe në të gjitha kohërat.”, tha kryeministri.
Kryeministri u shpreh se Holokausti, ky proces i egër e barbar ai nuk do të ishte kurrë i këtyre përmasave në qoftë se fqinjët shekullorë nuk do të ushqenin makinerinë naziste të vdekjes me spiunimet, me kallëzimet e qenieve të pafajshme. “Ndaj, vijoi kryeministri diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke, sepse janë ato, që burrat dhe gratë e njerëzishëm i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ njerëzishëm, sepse janë ato që burrat dhe gratë e qytetëruar i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ qytetëruar, sepse janë ato të cilat zgjojnë demonët nga subkoshienca njerëzore dhe i bëjnë njerëzit të ndërmarrin akte dhe barbari nga më të mëdhatë.”
Kryeministri kujtoi me nderim e respekt ato qindra familje të thjeshta shqiptare që në mes të terrorit nazist, me shumë humanizëm, trimëri dhe vetësakrifikim, strehuan, mbrojtën dhe shpëtuan nga vdekja mijëra hebrenj. “Jemi këtu për të shprehur nderimin tonë edhe për ata qindra, mijëra bura dhe gra që sakrifikuan veten, që s’pranuan indiferencën që nuk u përkulën nga frika, por mbrojtën qeniet e pafajshme njerëzore, mbrojtën hebrenjtë gjahu i të cilëve do të mbetet në histori si turpi më i madh i Evropës.”
Kryeministri vlerësoi aktin human të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogut, i cili u bë shtetari i vetëm që nuk i mbylli dyert dhe kufinjtë për hebrenjtë, por përkundrazi krijoi të gjitha lehtësirat që ata të hynin në Shqipëri. Në këtë kontekst, kryeministri shprehu nderimin për autoritetet shqiptare të kohës, të cilat ndonëse në kohë okupacioni, nuk pranuan asnjëherë të hynin në marrëveshje me nazistët për të dorëzuar hebrenjtë shqiptarë dhe ata që erdhën nga vende të tjera. “Duke nisur nga kryeministri Mustafa Kruja, nga ministrat, zëvendësministrat e Brendshëm, që të gjithë, pa përjashtim, qëndruan në anën e viktimave dhe bënë, së bashku me qytetarët shqiptarë, që ky vend, kjo tokë, të jetë e vetmja në të cilën numri i hebrenjve në fund të luftës, të ishte shumë më i madh se në fillim të saj. Ata shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj dhe renditën kombin në krye të shpëtimtarëve të qytetarëve me origjinë hebre.”
Më pas seanca vijoi me shfaqen e dokumentarit “Besa”, premiera e të cilit u shfaq në Holocaust Memorial Museum, Washington DC, gjatë vizitës së para pak ditëve të kryeministrit Berisha në SHBA.
Në përfundim të ftuarit vizituan ekspozitën me dokumenta origjinalë të arkivit të shtetit për mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Zonja Kryetare e parlamentit,
Zotërinj deputetë,
Të nderuar anëtarë të familjeve që gjatë luftë së II botërore strehuat mbrojtët hebrenjtë e Shqipërisë dhe ata që erdhën nga vende të tjera për ti shpëtuar ndjekjes dhe persekutimit të egër nazist,
Të nderuar studiues,
Të dashur qytetarë e qytetare,
Së pari dua tu falënderoj ju zonja kryetare për organizimin e kësaj seance nderimi për miliona e miliona viktima të holokaustit, procesit më barbar që qytetërimi perëndimor ka njohur në tërë shekujt e fundit, gjahut kolektiv, ndaj etnisë hebre, në Gjermaninë naziste dhe 21 vendet e pushtuara prej saj. Holokausti është akti më barbar në memorien e qytetërimit, ai u bazua në doktrinën rraciste të nazistëve mbi epërsinë e rracës së tyre ariane dhe kërcënimin e kësaj rrace nga rraca të tjera inferieore ,në krye të të cilave sipas çmendurisë së tyre renditej njëra pre rracave më fisnike të njerëzimit, ajo e hebrenjve.
Javën e kaluar unë pata rastin të vizitoj muzeun e Holokaustit, tek kaloja dhe vizitoja galeritë e tij, e para gjë që mund të më vinte ndër mend mua ishte se diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke. Holokausti kjo barbari që filloi në vitin ‘33 dhe vazhdoi deri në vitin ‘45 vërtetë pati në bazë doktrinën monstruoze të epërsisë rracore ariane, por holokausti nuk do të mund të ishte kurrë i këtyre përmasave pa një indiferencë të madhe, të pafalshme të burrave dhe grave që mbase dhe në shpirtin e tyre, jo që se donin, por e urrenin ndofta nazizmin, pra Holokausti nuk mund të ndodhte kurrë në ato përmasa në qoftë se fqinjët shekullorë nuk do të ushqenin makinerinë naziste të vdekjes me spiunimet, me kallëzimet e qenieve të pafajshme. Kthehem pra sërish tek ajo që shpreha më sipër se më të këqijat e kësaj toke janë diktaturat sepse janë ato, që burrat dhe gratë e njerëzishëm i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ njerëzishëm, sepse janë ato që burrat dhe gratë e qytetëruar i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ qytetëruar, sepse janë ato të cilat zgjojnë demonët nga subkoshienca njerëzore dhe i bëjnë njerëzit të ndërmarrin akte dhe barbari nga më të mëdhatë. Holokausti pati mbi 6 milion viktima, ndaj dhe sot nderimi i parë shkon tek të gjithë ata, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, të sapolindur dhe ende të palindur, të cilët u flijuan për fajin e vetëm se i përkisnin etnisë hebreje, etni që kishte kontributet ndër më të mëdhatë në rrënjët e qytetërimit të sotëm dhe në të gjitha kohërat.
Por, sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë edhe për ata qindra, mijëra bura dhe gra që sakrifikuan veten, që s’pranuan indiferencën që nuk u përkulën nga frika, por mbrojtën qeniet e pafajshme njerëzore, mbrojtën hebrenjtë, gjahu i të cilëve do të mbetet në histori si turpi më i madh i Evropës.
Ndaj dhe sot për ne është një ditë nderimi të madh, së pari për mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogun, i cili ishte shtetari i vetëm që nuk mbylli dyert dhe kufijtë për hebrenjtë që gjuheshin në të katër anët e kontinentit, që hapi kufijtë dhe konsulloret e tij për të bërë atë që mund të bënte mbreti i vendit më të varfër të Evropë për shpëtim të tyre.
Sot ne përulemi me nderim të madh para atyre burrave dhe grave nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë, që me një trimëri të rrallë, me burrëri të jashtëzakonshme, me një humanizëm ekzemplar, u dëshmuan para vetes, fëmijëve të tyre, para kombit dhe mbarë botës, si zotërit më të mirë të shtëpive të tyre, në këtë planet. Ne përulemi me nderim të madh para tyre, sepse ata i dhanë kombit një trashëgimi të jashtëzakonshme. Ata u dëshmuan, të vetmit, se ishin të gatshëm të digjeshin në anën e viktimës, të sakrifikonin veten e tyre.
Por sot është një ditë nderimi dhe për të gjitha ato autoritete shqiptare të cilat, në kohë okupacioni, nuk pranuan kurrë një marrëveshje me nazistët për të dorëzuar hebrenjtë shqiptarë dhe ata që erdhën nga vende të tjera. E kundërta është e vërtetë. Duke nisur nga kryeministri Mustafa Kruja, nga ministrat, zëvendësministrat e Brendshëm, që të gjithë, pa përjashtim, qëndruan në anën e viktimave dhe bënë, së bashku me qytetarët shqiptarë, që ky vend, kjo tokë, të jetë e vetmja në të cilën numri i hebrenjve në fund të luftës, të ishte shumë më i madh se në fillim të saj. Ata shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj dhe renditën kombin në krye të shpëtimtarëve të qytetarëve me origjinë hebre.
Zonja e zotërinj,
Një nobelist dhe shkrimtar i madh, i mbijetuar i Holokaustit, Elie Wiesel, thotë; “të mos kujtosh do të thotë të vrasësh për së dyti”. Ndaj dhe ne duhet të kujtojmë e rikujtojmë Holokaustin, jo sepse nuk ka pasur barbari të tjera. Në Luftë e Dytë Botërore, miliona rusë, bjellorusë, ciganë etj., ushqyen makinerinë e vdekjes, por doktrina raciste më ekstreme ishte ajo antisemite. Ne nuk duhet ta harrojmë Holokaustin, sepse genocide, krime kundër njerëzimit, spastrime etnike, kemi përjetuar në këtë gadishull edhe pak vite më parë. Kemi përjetuar ne shqiptarët, vetëm 13 vjet më parë.
Presidenti amerikan Barack Obama, në javën e nderimit të viktimave të Holokaustit, shpalli se do të krijonte Bordin kundër mizorive dhe genocidit. Ai ftoi kombe të tjera që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Shqipëria do t’i bashkohet kësaj nisme. Kjo është mënyra më e sigurt që shpirtrat e atyre që ranë si viktima të një doktrine raciste, të ndriçojnë mendjen e njerëzve të qytetëruar dhe barbari të tilla të mos përsëriten më. Kjo është mënyra më e mirë për të garantuar se doktrinat raciste nuk kanë të ardhme. Sërish sot, në Evropë, antisemitizmi shfaqet në forma nga më të egrat dhe më të ndryshmet. Sërish sot ka shtete që kërcënojnë të fshijnë nga faqja e dheut njërën nga demokracitë më të konsoliduara të planetit, Izraelin.
Por sot ka një vetëdije tjetër njerëzore, ka një vetëdije tjetër qytetare. Sot, pësimet e mëdha të diktaturave janë drita dhe mësimi më i madh për të ndërtuar një të ardhme në liri.
Ne shqiptarët, krahas nderimit të madh që kemi për viktimat e Holokaustit në vende të tjera, në memorien tonë kemi, në mënyrë të padiskutueshme, barbaritë e një regjimi i cili sërish, burrat dhe gratë e qytetëruar i shndërronte në burra e gra të çqytetëruar, burrat e gratë e njerëzishëm i shndërronte në burra e gra të çnjerëzishëm. Nuk ndiqte ndoshta linja etnike, por ndiqte linja të egra klasore, në një luftë me pasoja nga më të rëndat kombëtare. Ndaj edhe ne, sërish dy herë nuk duhet të harrojmë, por duhet të rikujtojmë, pasi prapë ne vuajmë nga pasojat e kësaj diktature. Po i referohem rastit të Bahri Omarit dhe e marr si shembull atë për faktin se, që në vitet e para të rinisë së tij në SHBA dhe deri në fund, qëndroi në anën e atdheut të tij, të vendit të tij. Sërish ai qëndron aty ku e murosi, pas ekzekutimit, diktatura komuniste. Pra, ne kemi shumë për të bërë, në mënyrë që sakrifica, dhimbja dhe vuajtja jonë kombëtare, të na bëhet dritë për të ardhmen që meritojmë.
Edhe njëherë, një nderim të madh për ju, familjet shqiptare, që mbrojtët nderin tuaj, nderin e kombit shqiptar dhe që dëshmuat se vlerat morale të njeriut janë më të fuqishme sesa doktrinat raciste, makineritë më të egra luftarake të kohës.
Faleminderit!”
02/05/2012