Kryeministri Berisha: Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, në funksion të programit të qeverisë. “Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian”, tha Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se financat shqiptare janë financa transparente. “Dua të theksoj edhe një herë se financat shqiptare janë financat më transparente. Çdo qindarkë që hyn në buxhetin e këtij vendi kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe është lehtësisht e kontrollueshme dhe e publikuar”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha, gjithashtu, se gjendja ekonomike është solide dhe kjo, natyrisht, në qoftë se nuk e sulmon me shpenzime. “Kryeministri ka të drejtë të emërojë ministër cilin të dojë. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë”, tha Kryeministri Berisha.
Lidhur me publikimin e emrave të kabinetit të ardhshëm qeveritar, Kryeministri Berisha nënvizoi se nuk ka çfarë të komentojë për atë kabinet, pasi ai është një kabinet që flet vetë, por vlerësoi se prania e disa zonjave më shumë në të përbën një hap qartësisht pozitiv.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra,
Zonja ministre,
Rendi i ditës i kësaj mbledhje është i ngjeshur, ka një seri vendimesh, rreth 20 vendime dhe projektligje, në funksion të programit të qeverisë.
Zoti Kosova, sapo u shpall kabineti i ardhshëm, ku famozi Ilir Beqja do të ulet në karrigen tende për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqiti shqiptarëve. Natyrisht nuk mund të them se është më pak i lumtur zoti Bode që në karrigen e tij do të ulet Çimi, se kështu e thërriste deri dje, i cili i hyri në zemër Rami Alisë vetëm se i tha të mbjellim patate. Kjo është e vërteta e Shkëlqim Canit dhe e karrierës së tij. Aldo, Sul Bushati në timon. Nuk më takon mua të komentoj në këtë mbledhje kabinetin, sepse flet ai vetë. Ai është kabineti që flet vetë. Majlinda e shoh që je e kënaqur. “Hermes” të ndjek pas. Ndërsa një pjesë të zotit Pollo, “kushërira”. Edhe ajo është një risi e këtij kabineti që do të vijë pas datës 7 shtator. Megjithatë këto janë disa nga çudirat, sepse të tjerat do të vlerësohen vetvetiu. Asgjë të re nga fronti i perëndimit - thotë Erih Maria Remark. Asgjë të re nga fronti i 1 prillit. Asgjë e re, të themi atë që është, përveç faktit që prania e disa zonjave më shumë në qeveri përbën një hap qartësisht pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet. Për të tjerat, shih e shkruaj.
Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian.
Unë dua të theksoj edhe një herë se financat shqiptare janë financat më transparente. Çdo qindarkë që hyn në buxhetin e këtij vendi kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe është lehtësisht e kontrollueshme dhe e publikuar. Çdo qindarkë që shpenzohet, shpenzohet nëpërmjet thesarit të cilin mund ta lexojë çdo qytetar shqiptar online. Se sa është borxhi, me përgjegjësi absolute ia thotë Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave që nuk kanë as edhe një qindarkë kundërshti nga njëra – tjetra në vlerësimin e borxhit. Pra ‘gropa’ në qoftë se është borxhi, ai është 62 përqind dhe është në përputhje me parashikimin. Natyrisht për shpenzimet, cilido që sheh katërmujorin e fundit, kanë qenë të reduktuara në minimum, sepse gjithnjë shpenzimet bëhen në katër muajt e parë. Kjo ka qenë një nga praktikat më të mira të qeverisë shqiptare. Ne nuk bëmë rishqyrtim të buxhetit, sepse kjo kërkonte një ujdi midis kësaj qeverie dhe qeverisë që vjen. Kërkonte që të uleshin së bashku, por kjo, siç e patë, me të gjithë gatishmërinë tonë atje pati vetëm revansh, revansh, revansh. E përjashtuan këtë mundësi, sepse në shtator normalisht duhet të shkonte buxheti i rishqyrtuar për katër muajt e fundit. Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo, ne vendosëm siç kemi vendosur çdo vit që asnjë lloj prokurimi të mos mund të bëhet pa autorizim të Këshillit të Ministrave. Natyrisht me autorizim të Këshillit të Ministrave do të bëhet.
Pra gjendja ekonomike është solide. Natyrisht, në qoftë se nuk e sulmon me shpenzime. Kryeministri ka të drejtë të emërojë cilin të dojë ministër. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë. Pavarësisht se disa lakej dhe servilë duan t’u mbushin mendjen se ministrat socialistë hanë më pak dhe se do të kushtojë më pak qeveria. Kjo është e kundërta. Janë 21 ministra. E thash që emërimet janë në tagrin e Kryeministrit dhe po ashtu edhe ndërtimi i ministrive. Ato ndërtohen sipas vendimit dhe konceptit të tij. Nuk është ai problemi, përveç ‘kushërirës’. Problemi është se mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë do të rëndojë qeveria më e madhe. Aktualisht ia kalon vetëm Bjellorusia. Bjellorusia ka një qeveri më të madhe se qeveria që u shpall sot nga Kryeministri i ardhshëm. Unë uroj që të mos ndjekë rrugën e tij edhe në drejtime të tjera, siç e filloi me qeverinë. Unë jam kundërshtari i tij dhe në asnjë rrethanë nuk do të jem këshilltari i ndokujt.
Në rendin e ditës ka një projektligj “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”; një projektligj “Për sigurinë në tunelet rrugore në Republikën e Shqipërisë”, i cili sjell sigurinë sipas standardeve evropiane; një projektligj “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Po e përsëris ashtu si në çdo mbledhje, çfarë të ketë ligje në hartim e sipër ti shpejtojnë, në mënyrë që të jenë si lëndë pune për Parlamentin që fillon dhe të mos ketë vakum në ligje e marrëveshje.
Këto ishin disa nga vendimet dhe ligjet, të tjera do t’i merrni në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.”
31/07/2013