Kryeministri Berisha mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Republikës së Italisë z. Enrico Letta, për humbjet e jetëve njerëzore në aksidentin tragjik të ndodhur në afërsi të qytetit të Avellinos
Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit Italian Enrico Letta, ku i shpreh ngushëllimet për humbjet e jetëve njerëzore në aksidentin tragjik të ndodhur pak ditë më parë në afërsi të qytetit të Avellinos.
Në mesazhin e tij kryeministri shprehet:
“I dashur zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave,
Me keqardhje të thellë kam mësuar për aksidentin tragjik të rrëzimit të autobusit të pasagjerëve në afërsi të qytetit Avellino, si pasojë e të cilit humbën jetën 38 qytetarë e u plagosen disa të tjerë.
Në këto çaste hidhërimi e dhimbjeje të madhe, në radhë të parë për familjet e viktimave, por edhe për ju, qeverinë Tuaj e popullin italian Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të qeverisë shqiptare dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor për humbjet e jetëve njerëzore, si dhe urimet për shërimin e plotë e të shpejtë të të lënduarve.
Shqiptarët u bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të kësaj tragjedie të rëndë të gjejnë paqen e amshuar.
Me sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë,
JUAJI,
SALI BERISHA”
02/08/2013