Kryeministri Berisha: Gara e dijes është dhe mbetet vendimtare për fatin e këtij vendi, për të kapur nivelet e vendeve të zhvilluara
- Stadi në të cilin jemi është i një rëndësie vendimtare, ku nga çdo student e pedagog, nga çdo shqiptar, kërkohet të punojë me përkushtim për një ëndërr të dytë të madhe: “Shqipëria një vend i zhvilluar”.
- Qeveria do të mbështesë fuqishëm botën universitare dhe akademike të vendit, në përmbushjen me dinjitet e përgjegjësi të madhe te misionit te tyre të pazëvendësueshëm
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e Godinës “Liria” të Universitetit të Tiranës, një godinë e rikonstruktuar që do të shërbejë për aktivitetin akademik të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale. Kjo godinë merr emrin “Liria”, në shenjë simbolike, pasi ajo ka qenë godina ku u zhvillua greva e urisë së studentëve të viteve ‘90’. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, dekanë, pedagogë e studentë të këtyre fakulteteve, ish studentë të ’90-ës, etj.
Kryeministri shprehu kënaqësinë për shndërrimin e kësaj ndërtese në një ndërtesë për Fakultetin Juridik dhe të Shkencave Sociale, pasi 20 vjet më parë, studentë të këtyre degëve ishin në krye të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor. Ai theksoi se kjo ndërtesë është frymëzuese për të ardhmen dhe ata të cilët e pagëzuan me emrin “Liri” nuk mund të zgjidhnin emër tjetër më domethënës.
Duke iu referuar rrugëtimit të shqiptarëve në 20 vitet e fundit, Kryeministri tha se sot, pas 20 vitesh, të gjithë ata studentë të viteve ‘90 duhet të ndihet krenar me rrugën që zgjodhën dhe sakrificën që bënë, sepse sot, pas 20 vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër dhe shqiptarët janë 20 vite drite larg viteve ‘90-’92.
Por Kryeministri theksoi se stadi në të cilin jemi është një stad kritik dhe i një rëndësie vendimtare, ku nga çdo student e pedagog, nga çdo shqiptar, kërkohet të punohet me një përkushtim të madh për një ëndërr të dytë të madhe: “Shqipëria një vend i zhvilluar”. Zhvillimi në thelb është një garë shumëplanësh, në rrafshin ekonomik, në rrafshin social, mjedisor, nënvizoi Kryeministri, por gara e të gjitha garave për kombin e vendin, për t’u vendosur në kurorën e vendeve të zhvilluara, është gara e arsimit dhe e dijes. Kryeministri renditi shumë arritje në këtë drejtim, por vuri theksin se vendimtare në këtë drejtim është cilësia në këtë fushë, cilësia e diplomave, e dijeve, e kualifikimeve, e ekspertizës së shkollave tona të larta, është liria e kërkimit shkencor si përcaktuese për cilësinë e universiteteve tona, si dhe liria akademike që ka si shtyllë themelore debatin e lirë e të hapur.
Kryeministri kërkoi nga universitetet të bëjnë gjithçka për të qëndruar në krye dhe për të ecur me dinjitet në garën e dijes, pa të cilën Shqipëria nuk do të mund të jetë një vend i zhvilluar. “Gara e dijes është dhe mbetet vendimtare për fatin e këtij vendi për të kapur nivelet e vendeve të zhvilluara. Unë kam besim shumë të madhe se ata që Shqipërinë në këto 20 vite e nxorën nga honet e historisë dhe e renditën sot në grupin e vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta, ata kanë vizionin, përkushtimin, shpresën, besimin dhe energjinë për ta renditur atë shumë shpejt në grupin e vendeve të zhvilluara”, tha Kryeministri.
Ai garantoi se qeveria do të mbështesë fuqishëm botën universitare shqiptare, botën akademike të vendit, në mënyrë që ata të përmbushin me dinjitet e përgjegjësi të madhe, misionin e tyre të pazëvendësueshëm.
Në fjalën e tij të plotë Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që ndaj me ju gëzimin e shndërrimit të kësaj ndërtese në një ndërtesë për Fakultetin Juridik dhe të Shkencave Sociale. Historia natyrisht është e shkuara dhe që më së shumti shërben për të parë kthjellët drejt të ardhmes, por nuk ka ndonjë ndërtesë tjetër në këtë qytet që të ketë histori më të bukur e më të rëndësishme për vendin, sesa kjo ndërtesë. Ndaj dhe gëzohem që sot këtu vendosen studentë të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale, sepse në të vërtetë, 20 vjet më parë, ata ishin në krye të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor. Sot kjo ndërtesë u kthehet atyre me auditore dhe me ambiente të tjera të mësimdhënies. Askujt nuk i takonte më shumë sesa studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale.
Ndërtesa është frymëzuese dhe falënderoj ata të cilët e pagëzuan me këtë emër, pasi edhe 1000 emra të përzgjidhje, më parë se emrin “Liri” për të, nuk mund të zgjidhje.
Të dashur studentë e pedagogë,
Djem e vajza, studentë e studente, pedagogë tuaj, disa prej të cilëve u ngujuan në sallat e kësaj ndërtese në një betejë legjendare me diktaturën, mbushën këto rrugë e sheshe si të rinjtë e kombit më të stërkequr, më të izoluar, më të vuajtur të Evropës, si të rinjtë e një vendi që nuk ishte streha varfërore, por ishte e strehëza e vërtetë e mjerimit të kontinentit. Ata, më së shumti, në shpirt e zemër kishin shpresën dhe energjinë rinore, besimin se liria do të funksiononte dhe do të punonte njësoj si për kombet e tjera.
Sot pas 20 vitesh secili prej tyre duhet të ndihet krenar me rrugën që zgjodhi dhe sakrificën që bëri, sepse sot, pas 20 vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër. Vërtetë 20 vite më parë ajo ishte strehëza e mjerimit të Evropës, ishte vendi më i izoluar i saj, 20 vite më parë shqiptarët ndanin të ardhura për frymë rreth 2004 dollarë, 20 vite më parë rroga mesatare e të punësuarve në Shqipëri ishte rreth 6 dollarë në muaj, sot, pas 20 vitesh, në memorien e atyre që dolën 20 vjet më parë, do të mbetet i pashlyer fakti se Shqipëria dhe shqiptarët janë 20 vite drite larg viteve ‘90-’92. Sot Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta. Të ardhurat për frymë në këtë vend janë rreth 7400 dollarë, janë rritur mbi 30 herë si në asnjë vend tjetër të Evropës. Në historinë e lirisë, asnjë komb, asnjë popull, nuk ka shënuar hapa më të shpejtë e të fuqishëm në rrugën e zhvillimit, sesa ne shqiptarët.
Por stadi në të cilin jemi ne është një stad kritik dhe i një rëndësie vendimtare. Sot nga ju, të dashur studentë e pedagogë, nga çdo shqiptar, kërkohet të punohet me një përkushtim të madh për një ëndërr të dytë të madhe. Ëndrra e dytë e madhe e jona është “Shqipëria një vend i zhvilluar”. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta rendisim Shqipërinë në kohën më të shpejtë të mundshme në grupin e vendeve të zhvilluara. Ne po ecim me shpejtësi në këtë drejtim. Ne që ishim në nivelet më të ulëta pak vite më parë, në fushën e komunikimit dhe internetit, po i afrohemi me siguri mesatares evropiane, për ta tejkaluar atë gjatë viteve që vijnë. Ne që 4 vite më parë ishim të paktën 4 herë më poshtë standardit të BE-së për studentë për frymë, sot ne jemi ngjitur me të dhe do ta tejkalojmë atë. Ne që ishim një vend tërësisht i panjohur në hartën e turizmit botëror, jemi sot destinacioni kryesor turistik dhe kjo, jo thjesht për ekzotikën, por për tërësinë e ofertës që ne paraqesim. Ne që ishim një ekonomi tërësisht e falimentuar, qëndrojmë në këto 3 vite në krye të rritjes ekonomike të Evropës, me një stabilitetit makroekonomik të pacenueshëm.
Këto janë arritje, por të tjera shumë të mëdha na duhen. Miljet e fundit janë edhe më të mundshme, miljet e fundit janë akoma më të lodhshëm, por ne kemi energjinë, kemi vizionin, kemi vendosmërinë t’i përshkojmë ato me një turravrap të pandalshëm.
Zhvillimi në thelb është një garë shumëplanësh, në rrafshin ekonomik, në rrafshin social, mjedisor. Pra, një garë që mbart në vetvete shumë gara. Por unë dua të ndalem këtu e të them se gara e të gjitha garave për kombin e vendin, për t’u vendosur në kurorën e vendeve të zhvilluara, është gara e arsimit, gara e dijes, më e rëndësishmja, më e vështira, më themelorja. Ndaj dhe për ne, ka pasur, ka dhe do të ketë, një rëndësi vendimtare reforma në arsim. Gjatë këtyre viteve jemi përpjekur të ngremë një ndërtesë që po rrokullisej në sistemin arsimor të vendit. Gjatë këtyre viteve, se bashku ia kemi dalë të arrijmë treguesit më të mirë për sa i përket rekrutimit në shkollat e mesme dhe universitetet e vendit, Ia kemi dalë të ndryshojmë tërësisht trajtimin e trupës pedagogjike të vendit.
Por këto janë në tërësi vetëm arritje fillestare sepse vendimtare është cilësia. Ndaj të gjithë së bashku duhet të bëjmë gjithçka për cilësinë, cilësinë dhe vetëm cilësinë e diplomave, e dijeve, e kualifikimeve, e ekspertizës së shkollave tona të larta. Sigurisht cilësia dhe rendja pas saj kërkon kushte, kërkon mjedise moderne, biblioteka moderne, laboratorë modern. Ne do bëjmë gjithçka që universitetet tona t’i kenë. Por ju garantoj se këto janë të mjaftueshme dhe nuk bëjnë që ne të realizojmë qëllimin tonë. Vendimtare në cilësinë është liria akademike. Atë e keni në dorë ju dhe vetëm ju. Liria e kërkimit shkencor është përcaktuese për cilësinë e universiteteve tona. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta nxisim atë. Qeveria është e vendosur të mbështesë universitetet materialisht, financiarisht, por qeveria me asgjë nuk mund të zëvendësojë vullnetin, liritë e kërkuesve për t’u angazhuar me përkushtim në qëmtimin e të vërtetave në fushat e tyre.
Liria akademike ka si shtyllë tjetër themelore debatin e lirë, të hapur. Universitetet tona duhet të jenë qendrat e debatit të fuqishëm. Askush nuk duhet të trembet nga kritikat e universiteteve. Intelektuali vetëm kritik duhet të jetë, njeriu modern në radhë të parë është vetëm kritik. Në shkollat tona të larta ne duhet të bëjmë që të ziejë debati, si kusht vendimtar për ta zhvilluar mendimin intelektual, elitar, mendimin që drejton kombin drejt horizonteve të reja. Liria e mësimit është një tjetër liri themelore.
Ndaj ju ftoj ju në këtë përpjekje të madhe të shqiptarëve të bëni gjithçka për të qëndruar në krye, për të ecur me dinjitet në këtë garë, pa të cilën çfarëdo që të bëjë Shqipëria, nuk do të mund të jetë një vend i zhvilluar. Gara e dijes është dhe mbetet vendimtare për fatin e këtij vendi për të kapur nivelet e vendeve të zhvilluara. Unë kam besim shumë të madhe se ata që Shqipërinë në këto 20 vite e nxorën nga honet e historisë dhe e renditën sot në grupin e vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta, ata kanë vizionin, përkushtimin, shpresën, besimin dhe energjinë për ta renditur atë shumë shpejt në grupin e vendeve të zhvilluara.
Edhe njëherë, ju uroj për këtë ndërtesë dhe ju garantoj se qeveria do të mbështesë fuqishëm botën universitare shqiptare, botën akademike të vendit , në mënyrë që ata të përmbushin me dinjitet e përgjegjësi të madhe, misionin e tyre të pazëvendësueshëm.
Faleminderit”.
13/06/2011