E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimi prej 1 miliardë euro, hap i madh drejt shndërrimit të Lezhës në superfuqi të vogël energjetike në rajon

-          Kryeministri Berisha: “Poli Energjetik rajoni i Lezhës”, hap i madh në vizionin e shndërrimit të saj në një superfuqi të vogël energjetike në rajon.

Kryeministri mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e nënshkrimit të projektit “Poli Energjetik, rajoni i Lezhës”, projekt i Grupit italian Marseglia, i mirënjohur në sektorin energjetik, agro - industrial, turistik - imobiliar, financiar, si dhe të projektimit e ndërtimit.  Në total, ky investim kalon shifrën 1 miliardë euro. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i Italisë në Shqipëri, zoti Saba D’Elia, Ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, Administratori Delegat i Grupit të Marseglia-s, Giuseppe La Grotta, etj.  Firmosja e projektit u bë nga Ministri  Ruli dhe z. Giuseppe La Grotta.   

Kryeministri Berisha u shpreh se firmosja e projektit prej rreth 1 miliardë euro, në Parkun Energjetik të Lezhës, përbën një ngjarje shumë të madhe për Shqipërinë, një hap të madh në vizionin e shndërrimit të saj në një superfuqi të vogël energjetike në rajon. Gjithashtu, përbën në hap të madh në përpjekjen e Shqipërisë për t’u shndërruar në një vend tërheqës për investimet e huaja dhe një ngjarje të madhe në marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore që ekzistojnë midis Italisë dhe Shqipërisë.

Ndërsa Ambasadori italian në Tiranë, zoti D’Elia, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, veçanërisht ato ekonomike, duke theksuar se vetëm në muajt e fundit mes dy vendeve janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ne sektorë kyç të ekonomisë. Përmes projekteve, theksoi ai, nuk forcohen vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por në radhë të parë kontribuohet në forcimin e ekonomisë shqiptare, në ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Nga ana e tij, Administratori Delegat i Grupit të Marseglia-s, Giuseppe La Grotta, falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Grupit Marseglia në lehtësimin e të gjitha procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore, për të ardhur deri në fazën aktuale të nisjes së realizimit të projektit.  Z. La Grotta theksoi se politika e rritjes së investimeve të ndjekur nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare, ka qenë një politikë e urtë, përmes një sistemi lehtësues fiskal dhe thjeshtëzimit të proceseve administrative. Ai siguroi se investime të mëdha të tilla si investimi i grupit Marseglia dhe investime të tjera që po nisin në Shqipëri, do të kontribuojnë edhe më tepër në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, nëpërmjet shpenzimeve që do të kryejnë gjatë ndërtimit të këtyre veprave dhe nga të ardhurat fiskale, pasi këto projekte të fillojnë të funksionojnë. 

Kryeministri tha se ky projekt përqendrohet në Lezhë dhe ky rreth, gjeografikisht ndër më të vegjlit në Shqipëri, në harkun mujor 2 mujor, ka firmosur kontrata që arrijnë vlerën 1.5 miliardë euro.  

Duke iu referuar vizitës së tij në Romë, rreth 4 vjet më parë dhe takimit me investitorët italianë, si dhe situatës së atëhershme ku qindra investitorë të huaj ishin larguar nga Shqipëria, Kryeministri tha se, sot, kjo situatë është shumë e favorshme dhe investimet e huaja në vend janë rritur në mënyrë shumë të kënaqshme. “Në takimin e organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga Instituti i Tregtisë së Jashtme të Italisë, takim të cilin nuk do ta harroj asnjëherë, u zotova para investitorëve italianë se do të bëj çdo përpjekje që ata të ktheheshin sërish në Shqipëri, të ndërtonin ëndrrat e tyre të bukura në vendin tim. Mendoj se duhet të jemi të kënaqur dhe kemi arsye për të qenë të tillë”, u shpreh Kryeministri.

Në këtë funksion, Kryeministri vuri në dukje se në një hark kohor prej dy muajsh, janë firmosur kontrata konçensionare mes Shqipërisë dhe Italisë, me vlerë rreth 3.5 miliardë euro. “Mendoj se tani mund të flasim për megakontrata, për megainvestime dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm fakti se projekte të tjera prej miliarda euro janë në përgatitje e sipër:, tha Kryeministri.

Kryeministri siguroi investitorët italianë, ata shqiptarë dhe të gjithë investitorët, se reformat e ndërmarra nga qeveria në të gjitha drejtime, nuk do të ndërpriten dhe se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që të zbatojë në vend praktikat më lehtësuese, më transparente dhe më të mira për biznesin e huaj dhe atë vendas.

Më tej, Kryeministri falënderoi drejtuesit e Grupit Marseglia-s për këmbënguljen dhe besimin e madh që kanë dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe vendosmërinë për realizimin e këtyre projekteve. Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin e Ambasadës italiane në Tiranë, veçanërisht të Ambasadorit D’Elia, duke u shprehur se z. D’Elia së bashku me stafin e tij,  “është një promotor i investimeve italiane në Shqipëri”.

Kryeministri përgëzoi ministrin Ruli dhe stafin e tij, i cili në një kohë të shkurtër arriti t’i japë vendit një kuadër ligjor rregullator shumë të përshtatshëm për investimet e huaja, si dhe autoritetet vendore të Lezhës, të cilët kanë ditur të mikpresin dhe mirëpresin investitorët, të zgjidhin të gjithë problematikën lokale për këtë projekt dhe të inkurajojnë banorët për zhvillimin e rajonit të tyre.

Kryeministri siguroi Grupin Marseglia se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e këtij projekti të madh. “Kjo, besoj se është përgjigjja më e shkëlqyer antikrizë”, u shpreh Kryeministri.

Projekti “Poli energjetik rajoni Lezhë” parashikon ndërtimin e një centrali me biomasa të lëngshme në Komunën e Shëngjinit, me fuqi prej 140 MË dhe ndërtimin e 2 parqeve me erë me fuqi prej 234 MË të vendosura në komunën e Balldrenit. Projekti kompletohet me ndërlidhjen e rrjeteve AAT të Italisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet kabllove nëndetare, stacionit të konvertimit  DC/AC dhe stacioneve përkatëse AAT, të vendosura në komunën Kallmet/Kolsh. Investimi në total do të kalojë shifrën 1 miliardë euro.


23/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›