E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lidhja e Prizrenit, tempulli që do tu ndriçojë rrugën shqiptarëve në të gjitha kohërat

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbushi sot, 134 vjet nga formimi i saj.  Kryeministri Berisha i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, mori pjesë sot në manifestimin qendror të organizuar  në komunën e Prizrenit me rastin e 134 Vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Të pranishëm në këtë aktivitet festiv, i cili u zhvillua në shtëpinë muze të Lidhjes së Prizrenit, ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, personalitete të tjerë të lartë të Kosovës, Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, deputetë, ministra, intelektualë nga Shqipëria dhe Kosova, etj. Pas ekzekutimit te himnit tonë  kombëtar dhe atij shtetëror të Republikës së Kosovës dhe përshëndetjeve të personaliteteve, të pranishmit ndoqën një program artistik.

Ky përvjetor i 134 i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vjen si një kontribut në kuadër të aktiviteteve dhe festimeve, në nderim të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 10 qershor 1878, mbi 300 përfaqësues nga gati të gjitha viset shqiptare, në Prizrenin historik, artikuluan kërkesat legjitime për pavarësi të shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar.  Kjo Lidhje, paraqet bashkimin më të rëndësishëm të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut, pasi të gjithë shqiptarët u bënë bashkë në kërkesat e tyre kombëtare. Lidhja e Prizrenit i parapriu edhe aktit të ardhshëm madhor, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.


Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

I dashur z. Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

I dashur z. Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Të dashur zotërinj zv. kryeministra, ministra të qeverisë së Kosovës.

I dashur z. Ali Ahmeti, udhëheqës i Partisë Bashkimi për Integrim të Republikës së Maqedonisë.

I dashur z. Kryetar i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Prizrenit, Kosovës, Shqipërisë, shqiptarë kudo që jeni sot.

Së pari, me shumë mirënjohje, dua t’ju falenderoi për nderin e madh që më bëtë duke më ftuar mua, që të kremtojmë sëbashku 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë ndoshta më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Lidhja e Prizrenit shënon ngjarjen më kulmore, pas luftërave të Skënderbeut në historinë e kombit tonë. Ngjarje, në të cilën shqiptarët që jetonin dhe shtriheshin në territoret më të gjëra të Ballkanit, që kishin qenë objekt dhe subjekt sulmesh, pushtimesh, barbarish, ndarjesh të shumta, do të mblidheshin këtu, do të mblidheshin në këtë tempull me kushtrimin, “Një Komb një Qëndrim”, do të mblidheshin këtu, do të zgjoheshin si anteu me idealin e bashkimit kombëtar, me idealin e lirisë, dinjitetit të shqiptarëve. Kohërat, në të cilën udhëheqësit e të gjitha trevave shqiptare u mblodhën në këtë tempull, ishin orët më të vështira të kombit shqiptar. Europa gjendej në orën e padrejtësive të saj më të mëdha. Superfuqitë e asaj kohe po vendosnin eliminimin e shqiptarëve si nocion politik, po vendosnin copëtimin e kombit që i kishte dhënë Europës  Perandorë dhe Papë që kishin themeluar krishtërimin dhe qytetërimin e tyre, po vendosnin që trojet e shqiptarëve të shndërroheshin në plaçkë tregu për armiqtë dhe barbarët që kishin ushtruar ndaj tyre genocide dhe programet më të egra. Këto ishin rrethanat në të cilat u mblodhën këtu, Iliaz Pashë Dibra, Omer Prizreni, Abdyl Frashëri, Zija Prishtina, Abedin Dila dhe burra të tjerë, nga të gjitha trevat shqiptare. Ata do të mblidheshin këtu të bindur se, bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për tu përballuar me mynxyrat që gatuheshin  në Shën Stefan, në Berlin dhe kancelaritë e tjera të Europës të asaj kohe.

Lidhja e Prizrenit ia doli të përballet me pushtetin dhe vullnetet e liga të Superfuqive të kohës, të krijojë ushtrinë shqiptare pas katër shekujsh të ushtrisë së Skënderbeut, të krijojë diplomacinë shqiptare, katër shekuj pas diplomacisë së Skënderbeut. Lidhja, shpalli integritetin e territoreve shqiptare dhe i tha botës se për shqiptarët për trojet e tyre do të vendosim ne, do të vendosim vetë ne shqiptarët.

Ndaj dhe sot, çdo shqiptar kudo që është, përulet me nderimin më të thellë, para këtij tempulli. Tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik, tempulli ku lindi ideali i bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, tempulli ku lindi ideali kombëtar , “Një Komb një Qëndrim”, tempulli që do tu ndriçojë rrugën shqiptarëve në të gjitha kohërat për të sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e tyre.

Vëllezër dhe motra,

Sot është një ditë nderimi të madh për Kosovën, për Prizrenin. Çdo shqiptar ka vetëm një fjalë, faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do tu printe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në 134 vjet me radhë.

Faleminderit Kosovë, se në Kosovë, pas saj u organizua Lidhja e Pejës. Faleminderit Kosovë, se këtu lindi ushtria e shqiptarëve, e cila u përball me superfuqitë, dogji ushtri të tëra për tu dalë zot trojeve të veta.

Faleminderit Kosovë se këtu u organizuan kryengritjet e mëdha, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë.

Faleminderit Kosovë, se nuk u përkule kurrë edhe pse mbete në robëri, qëndrove me një rezistencë, e cila solli në fund të fundit çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj.

Faleminderit Kosovë se nxore burra të mëdhenj si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, nxore luftëtar të mëdhenj të lirisë, si Azem dhe Shote Galica, Shaban Polluzha, legjendë të trimërisë njerëzore si Adem Jashari, Agim Lladani, Shefqet Berisha, Remzi Ademi, vëllezërit Hajredinaj dhe qindra e mijëra të tjerë.

Faleminderit Kosovë, se nxore burra mendje ndritur si Ibrahim Rugova, i cili organizoi rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Europa ka njohur në tërë historinë e saj dhe çështjen tënde të drejtë, çështjen e drejtë të shqiptarëve nga një barakë në qendër të Prishtinës, e dërgoi deri në dhomën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Faleminderit Kosovë, se djemtë dhe vajzat e tua, vaditën me jetën, me rininë, me gjakun e tyre lirinë mbi të cilën qëndrojmë ne sot të lirë, bënë luftën çlirimtare të fundit në Europë, çliruan Kosovën njëherë e përgjithmonë. Bënë të mundur që të mblidhemi sot, si gra dhe burra të lirë, të shohim në sy njeri-tjetrin si njerëz të lirë, të këndojmë këngën e lirisë, të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.

Dua të përcjell mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për të gjithë veprën e madhe të qytetarëve të Kosovës, në historinë tonë kombëtare, por ne kremtojmë këtë ngjarje në një ditë të shënuar, ditë në të cilën, kohë në të cilën, trupat e bekuara të Aleancës më të fuqishme të lirisë hynë në Kosovë, në emër të lirisë të të drejtave të qytetarëve të tyre. Ata ishin dishendent të atyre që kishin firmosur Shën Stefanin, që kishin firmosur kongresin e Berlinit.

Zoti i bekoftë ata, popujt, ushtritë, forcën e tyre. Mirënjohjen më të thellë kanë nga të gjithë shqiptarët dhe një mirënjohje të përjetshme mikut më të madh të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit, qeverisë, Kongresit Amerikan, presidentit  Obama, për përkrahjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë çështjes së drejtë të lirisë së shqiptarëve.

Nga Prizreni dhe njëherë dua të ftoj fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve, të lënë mënjane betimet mbi ne, se dhe të tjerë kanë bërë mjaft të tilla dhe ju kanë shkuar huq.  Të përpiqemi sëbashku të ndërtojmë atë të ardhme të cilën kërkojnë popujt tanë. Të përpiqemi sëbashku të ndërtojmë të ardhmen Europiane, si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve, malazezëve, serbëve të gjithë banorëve të këtij Gadishulli.

Dhe njëherë lavdi atyre që organizuan, që mblodhën këtu Kuvendin e shpëtimit shqiptar, lavdi luftëtarëve të lirisë së Kosovës në të gjitha kohërat, që bëtë të mundur me sakrificën e tyre sublime, të mblidhemi sot në këtë shesh, të nderojmë sot këtë tempull, si burra dhe gra të lirë të vendeve tona.

Faleminderit.


10/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›