Kryeministri Berisha: Mbështesim vendosjen e plotë dhe të shpejtë të EULEX-it si një moment shumë të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe integrimin
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Dy kryeministrat ndodhen në Shkup për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Dy kryeministrat diskutuan gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe zhvillimet më të fundit në Kosovë. Ata shprehën vendosmërinë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat.
Pas takimit mes tyre, Kryeministrat Berisha dhe Thaçi në një prononcim për mediat bënë të njohura bisedimet me tyre:
Kryeministri Berisha: Me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e Kosovës diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe shprehëm vendosmërinë për t’i nxitur dhe fuqizuar ato në të gjitha fushat.
Diskutuam për zhvillimet në rajon dhe natyrisht, për zhvillimet fundit në Kosovë. Të dy palët mbështesim vendosjen e plotë dhe të shpejtë të EULEX-it si një moment shumë të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe integrimin.
Qeveria shqiptare po i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime dhe konstaton se janë paraqitur dy projekte, një projekt me 6 pika dhe projekti i qeverisë së Kosovës me 4 pika. Ne besojmë se çdo projekt që krijon përshtypjen për një ndarje në veri përbën një rrezikshmëri të madhe për paqen dhe stabilitetin. Së dyti, qeveria shqiptare mendon dhe beson se është në detyrimin absolut të saj, të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë qeverive të tjera të japë garanci të madhe për liritë e minoriteteve. Në këtë kontekst, autoritetet e Kosovës janë shprehur qartë se kanë të gjithë përkushtimin, por edhe autoritetet ndërkombëtare kanë të drejtë të mbikëqyrin rreptësisht garantimin e lirive dhe të drejtave të serbeve në Kosovë. Natyrisht, është iluzive të mendohet se ato mund të garantohen ndryshe, përveçse nga autoritetet legjitime të Kosovës. Ndaj dhe një lloj problemi i krijimit të një pushteti të posaçëm për pakicën të çon ndërmend një ide shume joproduktive jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, idenë e një super pakice. Tani këtu, në Ballkan, jemi të mbushur me pakica dhe jemi krenarë. Ato janë një pasuri e gjithanshme, por ideja për super pakicë është një ide jashtëzakonisht kundërproduktive dhe që nuk i shërben as pakicës. Qeveria e Beogradit duhet të heqë dorë, në interesin më të mirë të serbëve në Kosovë, nga pretendime të cilat janë jorealiste.
Në Ballkan gjenden kudo tre komuna homogjene, siç është Mitrovica, ka në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi, ka kudo dhe qeveritë demokratike kanë të gjithë përkushtimin për t’u garantuar pakicave standardet më të mira. Presidenti Ahtisari i ka dhënë Kosovës një dokument të shkëlqyer, i cili garanton standarde të pashkruara për pakicat në ndonjë vend tjetër në Europë. Ndaj dhe uroj që midis planit 6 pikash dhe planit 4 pikash të gjenden pikat e përbashkëta dhe dokumenti të jetë një dokument që t’i shërbejë paqes e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë.
Kryeministri Thaçi: Dëshiroj ta falënderoj Kryeministrin Berisha për kontributin dhe rolin që ai vete dhe qeveria që udhëheq ka dhënë në këtë proces të rëndësishëm që po kalon Kosova, në procesin e ndërtimit të shtetit, të njohjeve dhe integrimeve.
E informova Kryeministrin Berisha edhe për arritjet e Kosovës, për situatën aktuale dhe për zotimin e qeverisë së Kosovës dhe vullnetin e populli për të imlpementuar dokumentin e Presidentit Ahitsari, një dokument ky bazë, mbi të cilën u shpall edhe Kosova shtet sovran, i pavarur dhe demokratik dhe procesin tjetër impelementues për ndërtimin e Kosovës demokratike me shoqëri shumë etnike, por edhe aktualitetin deri në prezantimin për 4 pikëshin. Prandaj unë dua të besoj se Kosova, institucionet e saj, me gjithë partnerët ndërkombëtar, SHBA-të dhe BE-në, duke çmuar dhe rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të ketë ecje të shpejtë përpara, ecje të suksesit, të mbështetjes së plotë të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën si shtet, por edhe duke kryer të gjitha obligimet që na dalin përpara për standardet perëndimore.
Shembulli i Kosovës si shtet është një histori e suksesit të plotë, sepse ka sjellë më tepër paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Prandaj edhe bashkëpunimi i dy qeverive tona do të jetë një bashkëpunim shumë miqësor, por dhe në interes të të dy vendeve dhe qytetareve të Shqipërisë e të Kosovës.
Sot, ne nuk jemi rastësisht në Shkup. Ky vit ka qenë viti i madh i Kosovës shtet, viti i ftesës së Shqipërisë për në NATO, por dhe i Kongresit të Manastirit. Prandaj jemi këtu së bashku e do të vazhdojmë të ecim bashkërisht në orientimet tona euroatlantike.
A mendoni se Eulex është funksional në Kosovë duke qëndruar neutral ndaj statusit të Kosovës?
Kryeministri Berisha: Mendoj se EULEX ka qëllim vlerat dhe në këtë kontekst, jam i sigurt se do të jetë një mision i vyer, i dobishëm, i çmuar. EULEX ka qëllim kryesor kontributin për konsolidimin e atyre vlerave që janë të domosdoshme në procesin tonë të integrimit në BE dhe në NATO.
22/11/2008