Kryeministri Berisha: Ministria e Bujqësisë, të konsiderojë kërkesën e autoriteteve vendore të komunave për bashkëpërgjegjësi me shoqatat e përdorimit të ujit
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të marrë në konsideratë kërkesën e autoriteteve vendore të komunave për të pasur bashkëpërgjegjësi me shoqatat e përdorimit të ujit.
“Nga shumë biseda me kryetarët e komunave, ata nuk shprehen kundër shoqatave, të cilat vërtet janë të pazëvendësueshme, por se duhet të gjendet mënyra për t’u dhënë autoritet qeveritarëve vendorë mbi rezervuarët dhe kanalet vaditëse. Në mënyrë absolute, nuk ka të ardhme pa konsolidimin e ujdisë së ujit, - aty ku përdoret kanali apo rezervuari - sepse ajo është ujdia ndër më të vjetrat e njeriut. Por në qoftë se i japim autoritet komunës, natyrisht autoriteti nuk jepet vetëm me ndryshim ligjor, por duhet të shoqërohet edhe me një mekanizëm financiar ose një mekanizëm të pranueshëm në mënyrë që komunat të kenë bashkëpërgjegjësi me shoqatat për të gjitha veprat e shumta të ujit, që në Shqipëri janë të shumtë, rreth 600 rezervuare. Ministria e Bujqësisë po i studion rezervuarët për sa i përket sigurisë - që në fakt duhet të jetë çështja e parë që duhet të studiohet - por, nga ana tjetër, duhet të studiohet edhe mundësia e përdorimit të gjerë të tyre për vaditje, funksion për të cilin ato janë ngritur, si dhe të mbrojtjes së sistemit të kanalizimit të tyre,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e konsideroi ujitjen dhe shfrytëzimin e rezervuarëve një çështje me rëndësi për zhvillimin e bujqësisë.