E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vjet luftuam me zero tolerancë krimin e organizuar dhe korrupsionin

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e takimit rajonal të drejtuesve të Agjencive Kombëtare të Sigurisë dhe të Doganave të vendeve të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në qytetin e Vlorës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet Agjencive të zbatimit të ligjit dhe policive financiare, në mënyrë që të luftojnë me më shumë efikasitet krimin ndërkufitar, është tepër i rëndësishëm dhe ndihmuese për të gjitha vendet tona të lira. “Asgjë më shumë sesa korrupsioni nuk e cenon mbarëvajtjen e demokracive tona. Ai është dhe mbetet armiku kryesor i kombeve tona. Këto janë kërcënime të vërteta për demokracinë tonë dhe për këtë arsye përballja me to në aspektin rajonal ka rëndësi themelore”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha përmendi rezultate konkrete të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Agjencitë tona të ligjit arritën të luftojnë me tolerancë zero krimin famëkeq të organizuar shqiptar, i cili nxinte imazhin e kombit dhe të vendit në Evropë dhe më gjerë. Më shumë se 206 organizata kriminale, ndër më agresivet, të krimit të organizuar u arrestuan dhe më shumë se 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u kapën dhe janë vendosur përpara drejtësisë. Mendoj se kemi bërë progres tepër të madh taksa dhe tatime. Për shkak të reformave, të ardhurat në këtë vend u rritën me 80 për qind në katër vjet, gjë e cila ishte e pa parashikuar. Kemi dërguar në Parlament një buxhet të dytë në këto 3 vite, çdo muaj qershor. Në katër vitet e kaluara kemi pasur 5.2 miliardë dollar të ardhura më shumë sesa në 4 vitet e mëparshme dhe kjo, duke ulur taksat dhe duke e shndërruar vendin në vendin me barrën fiskale më të ulët në Evropë, si dhe duke eliminuar një pjesë të madhe të licencave dhe duke i ulur shumë të tjera në 1 euro”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri u shpreh se rajoni ynë në vetvete ka potenciale të jashtëzakonshme, por ka gjithashtu nevojë për siguri dhe për transparencë, dhe se shumë shpejt do të jetë një nga shembujt më të mirë të zhvillimit në të gjithë kontinentin.

Fjala e Kryeministrit Berisha;

“Së pari, dua t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe t’ju përshëndes që keni zgjedhur Shqipërinë dhe në veçanti Vlorën, për këtë takim shumë të rëndësishëm rajonal.  Të kesh këtu Komitetet e Bashkëpunimit të Përbashkët të Rajonit, duke debatuar për forcën e bashkëpunimit ndërmjet Agjencive të zbatimit të ligjit, policive financiare, në mënyrë që të luftojnë me më shumë efikasitet krimin ndërkufitar, është tepër e rëndësishme dhe ndihmuese për të gjitha vendet tona të lira. Asgjë nuk e cenon më shumë mbarëvajtjen e demokracive tona sesa korrupsioni. Ai është dhe mbetet armiku kryesor i kombeve tona. Këto janë kërcënime të vërteta për demokracinë tonë dhe për këtë arsye përballja me to në aspektin rajonal ka rëndësi themelore, në mënyrë që t’ia dalim me sukses kësaj lufte. 

Qeveria ime premtoi katër vite më parë luftën me zero tolerancës kundër krimit të organizuar dhe gjithashtu një luftë pa kompromis kundër korrupsionit ekonomik. Katër vite më parë, në qoftë se do të më kishit pyetur se cili është problemi themelor politik me të cilin ne përballeshim, do të thosha se ishte zgjidhja e këtij problemi. Katër vite më parë ne vendosëm të luftojmë krimin e organizuar  me përkushtim. Por, më lejoni t’ju jap disa fakte. Në vitin 2004, ky vend u vizitua nga gjithsej 300 mijë vizitorë, ndërsa në vitin 2008 numri i vizitorëve u rrit në 2.7 milionë dhe nuk u regjistrua asnjë incident. Qartësisht, faktori kryesor në këtë rritje të jashtëzakonshme të numrit të turistëve ishte siguria në vend.

Agjencitë tona të ligjit arritën të luftojnë me tolerancë zero krimin famëkeq të organizuar shqiptar, i cili nxinte imazhin e kombit dhe të vendit në Evropë dhe më gjerë. Më shumë se 206 organizata kriminale, ndër më agresivet, të krimit të organizuar u arrestuan dhe më shumë se 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u kapën dhe janë vendosur përpara drejtësisë.

Mendoj se kemi bërë progres tepër të madh taksa dhe tatime. Për shkak të reformave, të ardhurat në këtë vend u rritën me 80 për qind në katër vjet, gjë e cila ishte e pa parashikuar. Kemi dërguar në Parlament një buxhet të dytë në këto 3 vite, çdo muaj qershor. Në katër vitet e kaluara kemi pasur 5.2 miliardë dollar të ardhura më shumë sesa në 4 vitet e mëparshme dhe kjo, duke ulur taksat dhe duke e shndërruar vendin në vendin me barrën fiskale më të ulët në Evropë, si dhe duke eliminuar një pjesë të madhe të licencave dhe duke i ulur shumë të tjera në 1 euro. Megjithatë, krimi dhe korrupsioni mbeten probleme për shoqërinë tonë. Por, jam i lumtur që ne jemi këtu së bashku për të koordinuar dhe organizuar më mirë agjencitë tona, të cilat duhen reformuar në mënyrë që të sigurojmë bashkëpunimin më perfekt ndërmjet tyre, së pari brenda vendit, por edhe ndërmjet vendeve tona. Nuk ka asnjë problem ndërkombëtar më të madh se sa krimi, sepse është i nëndheshëm, përdor të gjitha metodat dhe unë mendoj se nuk ka mënyrë tjetër përveçse një përballje rajonale dhe ndërkombëtare me këtë problem.

CETI  është përmirësuar shumë dhe është shndërruar në një iniciativë rajonale shumë të frytshme, por unë mendoj se në të ardhmen CETI duhet të bëhet një organizatë mendimprodhuese shumë të fuqishme për reformat, jo vetëm për përgatitjen e tyre, por edhe për realizimin. Është e vërtetë që koha nuk premton, por është po aq e vërtetë që agjencitë tona të sigurisë kanë nevojë të bashkëpunojnë shumë më ngushtë. Trafiku i drogës ishte një problem i tmerrshëm, por mund t’ju them se dy vite më parë doganat shqiptare nuk dinin asgjë për të, megjithëse ato ishin organizmat më të mëdhenj që mbikëqyrnin trafikun ndërkufitar. Ne filluam t’i rishpërndajmë forcat tona, sepse nuk mund të përballeshim me një problem kaq madhor vetëm duke shtuar numrin e agjentëve policorë që mbikëqyrnin kufijtë. Është e nevojshme që në këtë përballje të angazhohen të gjitha agjencitë e sigurisë. Nuk mund të përballesh me trafiqet vetëm me një njësi antitrafik në doganë. Ata duhet ta kryejnë detyrën e tyre .por le të shohim përpara, për një reformë të së ardhmes për agjencitë tona të sigurisë. Rajoni ynë, në vetvete ka potenciale të jashtëzakonshme, por rajoni ynë ka gjithashtu nevojë për siguri dhe transparencë dhe ai do të jetë shumë shpejt një nga shembujt më të mirë të zhvillimit në të gjithë kontinentin. Është një rajon me burime jashtëzakonisht të mëdha, me njerëz punëtor të cilët duan të ndërtojnë projektin e tyre. Por, asgjë nuk është më rëndësishme sesa puna që po bëni këtu, forcimi i shtetit ligjor.

Edhe njëherë unë dua t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj që keni zgjedhur Vlorën për këtë aktivitet, një qytet madhështor, një qytet me një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike dhe me ujërat më të pastra në rajon. Sot inaugurova një port të madh energjetik, shumë shpejt ky qytet do të ketë edhe një port të madh mallrash, ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe. Pra, një qytet me avantazhe të mëdha.

Faleminderit!” 


03/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›