Kryeministri Berisha: "Shqipëria në punë", motoja jonë
- Rruga e nxjerr Vlorën në lartësinë e zhvillimit më të madh në historinë e saj , se rruga e bën portin e Vlorës , portin më të fuqishëm, të brigjeve të të gjithë rajonit, që era e Vlorës të fryjë jo vetëm në trojet shqiptare, por në Ballkan dhe mbarë Europën.
"Qytetare e qytetarë të Vlorës,
Vëllezër e motra,
Zonja e zotërinj,
Së pari, dëshiroj të shprehem para jush se ndjehem shumë i emocionuar në këtë takim, sepse ne mblidhemi sot në këtë shesh që është edhe kryesheshi i historisë sonë kombëtare, kur Vlora, Shqipëria janë anëtar të NATO-s. Më 28 nëntor, krahas flamurit tonë kombëtar do valëvitet në këtë shesh edhe flamuri i NATO-s, flamuri i Aleancës së lirisë më të madhe të kohërave. Ëndrrën e rilindësve tanë, ëndrrën e Ismail Qemalit, sakrificën e kombit ne e ngritëm në piedestalin që ai meriton. Rroftë Vlora! Rroftë Shqipëria!
Qytetarë të Vlorës,
ne mblidhemi sot në këtë shesh, pasi në katër vite, me reforma, përkushtim, punë dhe djersë bashkërisht ia dolëm të lartësojmë si asnjëherë tjetër emrin e Vlorës, emrin e Shqipërisë. Sot, ne takojmë njëri-tjetrin në këtë shesh si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, për të shndërruar në realitet ëndrrën tonë të bukur europiane.
Ne mblidhemi në këtë shesh sëbashku, pasi shohim drejt e në sy të moshuarit tanë, sepse ne i premtuam atyre se do të kujdesemi për ta. Ne premtuam se do të nderonim ata dhe djersën e tyre dhe në mbarë vendin, pensionet e tyre në qytet janë 50 deri në 70 përqind më shumë, ndërkohë që në fshatrat e mbarë vendit janë dy herë më të larta.
Ne takohemi sot në këtë shesh dhe shohim drejt e në sy njëri-tjetrin. Katër vjet më parë, ne bashkërisht u zotuam zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ku është Vlora dhe Shqipëria sot? Vitin e kaluar ju dhe mbarë Shqipëria pritët 2.7 milion turistë dhe i përcollët ata me dinjitetin që na ka hije si vlonjatë dhe si shqiptarë.
Ne mblidhemi sot në këtë shesh dhe shohim në sy njëri-tjetrin, sepse 4 vjet më pare ne premtuam luftën kundër korrupsionit dhe sot, pas 4 vitesh, ne jemi të vetëdijshëm se ia dolëm të çmontojmë sistemin e kleptokracisë, të shpëtojmë nga kthetrat e zeza të tij 4.2 miliard dollarë. Qeveria shqiptare, qeveria që ju mandatuat arriti të shpallet kampione në këtë luftë nga institucioni më prestigjioz i botës.
Ne mblidhemi sot në këtë shesh së bashku pasi Vlorën e kemi shndërruar një kantier të vërtetë ndërtimi. Në katër vite në këtë qark janë investuar më shumë se 500 milion euro.
Qytetarë të Vlorës!
Sigurisht këto përbëjnë për ne arritje të mëdha, arritje që i kanë vlerësuar lider të mëdhenj të botës së lirë, aritje që i kanë vlerësuar parlamentet e 27 vendeve të lira të BE-së, arritje të cilat i kanë vlerësuar dhe i vlerësojnë të gjithë. Por ne sot jemi këtu për të kërkuar votën e shqiptarëve, jo për atë që kemi bërë, por ne duam besimin e tyre, votën e tyre, që mandatin e dytë së bashku të ndërtojmë ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj Vlorën evropiane, Shqipërinë evropiane.
Qytetarë të Vlorës
Katër vjecari që vjen do të jetë katër vjeçari i shqiptarëve. Vlora sot është në prag të shndërrimit të saj në një nga metropolet më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit.
Vërtetë që në katër vite janë ndërtuar apo po rindërtohen rreth 300 km autostrada, rrugë rurale, rrugë dytësore etj. Janë ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla, ujësjellësa, kanalizime, qendra shëndetësore, por në katër vitet që vijnë Vlora do të jetë kantieri i madh i Ballkanit. Në katër vitet që vijnë Vlora do të ketë portin më të madh të rajonit.
Porti dhe rruga e kombit janë të lidhur me njëri-tjetrin si shpirti me trupin dhe dua tu them këtu se armiqtë e rrugës janë armiqtë e Vlorës. Rruga e nxjerr Vlorën në lartësinë e zhvillimit më të madh në historinë e saj , se rruga e bën portin e Vlorës , portin më të fuqishëm, të brigjeve të të gjithë rajonit, që era e Vlorës të fryjë jo vetëm në trojet shqiptare, por në Ballkan dhe mbarë Evropën.Ne rrugën nuk e kërkuam për të zvogëluar portet e askujt, por rrugën e ndërtuam për Vlorën , Tiranën, Prishtinën, shqiptarët kudo që janë. Atë rrugë, atë gjigand do ta ndërtojmë edhe sikur vetëm Kosovës ti shërbente sepse jemi vëllezër, se kemi ndaj njëri-tjetrit, detyrime të përjetshme .
Katër vitet që vijnë janë vitet e Vlorës metropol rajonal. Në këto katër vjet, ju qytetarë të Vlorës dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, gëzojini ato të drejta, atë begati, atë zhvillim që kanë jo dy,por gjashtë vende anëtare të BE-së . 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e punës, e mundit, e djersës sonë më të madhe. “Shqipëria në punë”, do të jetë motoja jonë. Shumë flasin për punën, por ku do ti punësojnë . A mund të punësojnë ata të dashur vlonjatë që votuan kundër marrëveshjeve koncesionare, me të cilat punësohen së paku 100 mijë shqiptarë?
Vetëm porti i Vlorës do të punësojë 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë. Në datën 8 qershor në kaskadën e Devollit nisin punimet për projektin hidroenergjetik më të madh të Evropës, i cili do të punësojë 5 deri në 7 mijë punëtorë.
Dua tu siguroj këtu, se veprat gjigande janë në interes kombëtar, por po kaq rëndësi për mua ka punësimi juaj, po kaq rëndësi ka mirëqenia jua.
Qytetarë të Vlorës, Vlora evropiane, Shqipëria evropiane do të thotë që vlonjatët, shqiptarët kudo që janë të udhëtojnë në rrugë evropiane dhe unë ju jap fjalën se Shqipërinë do tua jap në pëllëmbë të dorës, me rrugë më të më të bukura, më të shpejta,që do të ndërtohen në Shqipëri. Unë e kam mbajtur fjalën time, hidhni sytë drejt bregut dhe shihni se rruga ndjek autostradën me katër korsi që lidh Vlorën me Tiranën, Vlorën me Shkodrën, që lidh Vlorën me Prishtinën. Evropianë për mua do të thotë që ju të keni ujë 24 orë. Ne që sollëm drita 24 orë , ne do të sjellim ujë në shtëpitë tuaja 24 orë.
Për mua Vlorë evropiane do të thotë asnjë shqiptar në mjerim. Ju jap fjalën se në mandatin tim të dytë nuk do të ketë asnjë qytetar të këtij vendi me të ardhura nën dy dollarë në ditë . Vlorë evropian dhe shqipëri evropiane do të thotë se punonjësit e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë të paguhen njëlloj me punonjësit në vendet anëtare të BE.
Unë kam dëshirë të zjarrtë që rrogat dhe pensionet tuaja të paguhen si evropianët. Katër vitet që shkuan me punën dhe djersën tonë lamë prapa dy vende anëtare të BE-së dhe shkuam deri në 30 % rroga më të larta dhe do lemë pas 6 vende anëtare të BE-së, kjo është sfida evropiane.
Qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Shqipëria evropiane dhe Vlora evropiane është që ju të dashur qytetarë të lëvizni në mbarë Evropën pa viza. Unë zotohem para jush se vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizni në mbarë Evropën pa viza. Unë shpreh mirënjohjen time më të thellë 1 milion e 300 mijë shqiptarëve që aplikuan për dokumentet e reja të identitetit, dokumentet evropiane.
Ne nuk e kemi patur të lehtë rrugën tonë, por me punën, përkushtimin dhe ndihmën e miqve tanë ne themi me ballin lart se kemi ndryshime më shumë se çdo herë. Ne sot jemi të sigurte se në katër vite që vijnë Vlorën dhe mbarë Shqipërinë do ta bëjmë nuse, anëtare të BE-së. Sheshi i flamurit është sheshi i nderit, i dinjiteti të qytetarëve të kombit. I bëj nga ky shesh thirrje zotit Rama. Vendose emrin në krye të listës së partisë tënde. Dil në shesh të burrave, mos bëj atë që nuk e ka bërë ndonjë lider partie i një vendi të lirë. Eja këtu dhe në këtë shesh dhe mburrju këtyre qytetarëve dhe thuaju se cili lider evropian nuk ka pranuar pavarësisht nga humbja që e pret të mos jetë në krye të listës. Ti me këtë kthehesh mbrapa shumë. Këngën “çohu, çohu” e ke marrë nga internacionalja socialiste, apo këngë të çetnikëve serbë, këtë nuk e di.
Shqipëria po ndryshon, Vlora po ndryshon, ne do vazhdojmë ndryshimin, rruga jonë është pa kthim. Rruga jonë është Evropa.
Rroftë Vlora! Rroftë Shqipëria! Fitore!"
03/06/2009