Kryeministri Berisha: Ngrihet Task Forca për përshpejtimin e mëtejshëm të procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik
- Task Forca do të parashikojë lehtësi për transportin e organizuar të banorëve të fshatrave, që ndodhen larg nga qendra e komunës. Gjithashtu, Kryeministri informoi se qendrat e aplikimit do të funksionojnë edhe në ditët e shtuna dhe të diela.
Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e qeverisë, krijimin e një Task Force për përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik.
“Procesi po ecën me ritme të shpejta, por, për ta përshpejtuar më tej, sot do të krijohet një Task Force, e kryesuar nga Zëvendëskryeministri,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se Task Forca do të parashikojë lehtësi për transportin e organizuar të banorëve të fshatrave, që ndodhen larg nga qendra e komunës. Gjithashtu, Kryeministri informoi se qendrat e aplikimit do të funksionojnë edhe në ditët e shtuna dhe të diela.
“Tani që qendrat e aplikimit fillojnë aktivitetin edhe në ditët e shtuna dhe të diela, kërkon që edhe kryetarët e komunave, këshillat e komunave të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit, me autobusë, apo me mikrobusë kur janë lagje të shkëputura, në mënyrë që t’i krijojmë lehtësi çdo qytetari shqiptar, i cili do të marrë pjesë në votime, të aplikojë.”
Në kuadër të lehtësimit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik, Kryeministri Berisha tha se edhe komuniteti rom, që janë shtresa më e varfër, do ta marrin letërnjoftimin elektronik njëlloj si kategoria e paraplegjikëve dhe të verbërve.
08/04/2009