Kryeministri Berisha: Dokumentet elektronike të identitetit, jashtëzakonisht të rëndësishme për lëvizje e lirë të qytetarëve shqiptarë
Kryeministri Berisha, duke folur në mbledhjen e qeverisë për rëndësinë e dokumenteve elektronike të identitetit, tha se këto dokumente janë jashtëzakonisht të rëndësishme për lëvizje e lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se dëshmia, ndër më kryesoret, e përshtatshmërisë se këtij kombi për të hequr vizat është pajisja e tyre me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se qytetarët shqiptarë, duke u pajisur me këto dokumente, kontribuojnë, më shumë se në çdo gjë tjetër, në këtë proces.
“Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se është në dorën e tyre, më shumë se çdo gjë tjetër, të kontribuojnë në këtë proces, duke u pajisur me këto dokumente. Ne jemi në një proces vlerësimi, por dua të rikujtoj se jemi në një proces vlerësimi me vende, të cilat kanë 6 apo 7 vite që janë të pajisura me dokumente elektronike, por ne kemi avantazhin se janë më të avancuara. Ne, si qytetarë, duhet të tregojmë përgjegjësinë e plotë dhe nuk duhet të pretendojmë, në asnjë rrethanë, që të na jepet ajo që nuk meritojmë. Gjithnjë, duhet të bëjmë detyrat tona, të pajisemi me këto dokumente dhe kjo përbën premisën më të madhe, sepse reforma të tjera janë bërë, krimi i organizuar është luftuar me efikasitet të madh, kontrolli i integruar i kufijve është realizuar plotësisht. Ka një seri kriteresh dhe janë të shumta, por të mos mendojmë se, ministri i Jashtëm i një vendi mund të thotë po, kur të dëgjojë se ne nuk i kemi këto dokumente,” u shpreh Kryeministri.
08/04/2009