Kryeministri Berisha; Për 45 vjet shqiptarët kishin Stalinin e klonuar
Si një ndër lexuesit e studimeve të një vendi ish-komunist si Rusia, Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në dy librat e tij: “Stalini: Në oborri i Carit të kuq” dhe te libri më i fundit “Jeruzalemi”. “Vepra e zotit Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut që ndërtoi sistemin, që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që kushtoi ndofta qindra milionë jetë, një eksperiment që, ashtu siç thotë Bernard Henri Levy u servir me fytyrë njerëzore, një barbari me fytyrë njerëzore. E vërteta është se ky sistem është hedhur sot poshtë me vendosmëri nga kombet në Europë. 20 vjet më parë, regjimet e këtij sistemi ranë njëra pas tjetrës, u shembën nga një seri faktorësh, por përmasat e barbarisë së këtij sistemi janë qartësisht të pavlerësuara sa duhet. Një përpjekje e madhe po bëhen në Shtetet e Bashkuara me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Europë është vendosur pothuajse jo censura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq, madje shpesh të krijohet përshtypja se ai pluhur toksik i ideologjisë e propagandës është shpërndarë më i holluar, por sërish qarkon në kontinentin tonë. Z.Montefiore, Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një komb i vogël, por ju garantoj se në ndjenja apo thellësi, askund veprat tuaja nuk vlerësohen më shumë, sesa tek shqiptarët, të cilët për 45 vjet kishin Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha. Diktator që imitoi në mënyrën më autentike egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij. Hoxha ka një specifikë tjetër. Pasi historianë, shkrimtarë, publicistë dhe partitë e majta europiane filluan ta denoncojnë atë, Hoxha botoi një libër “Miku im i mirë Stalin”, të cilin nuk dilte se e kishte takuar ndonjëherë, përveçse mundet në tribunën e Sheshit të Kuq, gjatë parakalimeve. Hoxha e dinte se ky libër e ky titull do të përqeshej dhe përçmohej kudo në botë, por ai nuk e kishte për botën, këtë poshtërim e kishte për ne. Hoxha e tejkaloi Stalinin në ndonjë aspekt të qëndrimeve të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që u bëri lirive fetare ishte dhunimi më ekstrem i Stalinit shqiptar ndaj qytetarëve të këtij vendi. Këtu, sot paraqitet një seri kryeveprash të tjera, një prej të cilave Jerusalemi, themelues i të cilit është familja e autorit të librit. Në udhëtime, vizitori shijon e viziton shumë gjëra në botë, të njohura e të panjohura, por nuk mund të vizitojë asgjë më mbresëlënëse se Jerusalemi, me trashëgiminë, historinë e me ndarjet e tij. Në tërësi jam i bindur se sa më shumë të shkruhet e vizitohet ky qytet, aq më shumë do mund të zgjerohet mirëkuptimi dhe përpjekja për të dalë mbi ndarjet e dasitë e shumta të kohëve të sotme”, - tha Kryeministri Sali Berisha.