Simon Sebag Montefiore; Shqiptarët janë përballur me diktaturën më të egër
Shkrimtari, historiani dhe gazetari Simon Sebag Montefiore, studiuesi i një prej figurave më të përfolura të shekullit të kaluar, por jo vetëm, prezantoi dje në Tiranë pesë librat e tij në gjuhën shqipe, botuar nga Shtëpia Botuese “55”; “Stalini: Në oborrin e Carit të Kuq”, “Stalini i ri”, “Sashenka”, “Katerina e Madhe dhe Potemkini” dhe librin më të fundit “Jerusalemi”. Një ceremoni promovimi ndryshe nga të tjerat, ishte ajo e Montefiores, organizuar nga Botimet 55. Mes lexuesve të zakonshëm të librave të tij, Montefiore “zbuloi” se në Shqipëri një nga lexuesit e tij ishte dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ftuar në promovimin e librave të tij, ashtu si dhe trupa diplomatike e Britanisë së Madhe, studiues, historianë etj.
“Jam i lumtur që sot, në promovimin e 5 librave, ndodhet midis nesh vetë autori Simon Sebag Montefiore. Njohja me veprat e Montefiores ka qenë një fat i madh për mua si intelektual dhe botues, si dhe një privilegj për botuesit shqiptarë. Rekomandimin e parë për botimin e veprës së tij e mora prej një nga viktimat e stalinizmit, nga një i përvuajtur i diktaturës enveriste, z. Abdulla Sallaku, i cili u bë dhe përkthyes i librit “Stalini: Në oborrin e Carit të kuq”” - tha ndër të tjera presidenti i Shtëpisë Botuese “55”, Fahri Balliu. Ndërsa kryeministri Sali Berisha përshëndeti botimin e librave të z. Montefiore, duke i konsideruar ato një pasurim cilësor që i bëhet bibliotekës së lexuesit shqiptar. Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi z. Montefiore si “një nga penat më të shquara të historisë” të kohëve të sotme. Dhe anglezi Montefiore nuk e ka ndjerë veten më të vlerësuar dhe më krenar në një mjedis kaq të zgjedhur për të.
“Ju falënderoj ngrohtësisht për pritjen dhe sidomos Kryeministrin e vendit për fjalët e ngrohta që tha sot (dje). I nderuar z. Kryeministër, ju folët vërtet me shumë elokuencë këtu për liritë në këtë botë, por unë do të dëshiroja t’i kthehesha periudhës së 20 viteve më parë, kur ju ishit në krye të gjithë lëvizjeve demokratike. Ne në atë kohë ju ndiqnim, ju simpatizonim, ju mbështesnim, prandaj dhe sot 20 vjet më vonë, unë jam vërtet shumë i lumtur dhe krenar që ndodhem këtu në krahun tuaj”, – iu drejtua historiani Montefiore, Kryeministrit Berisha, duke i shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet e tij për presidentin e Shtëpisë Botuese “55”, z. Fahri Balliu. Montefiore nuk u ndal në librat e tij, por në mesazhin që sipas tij ato përcjellin te lexuesi shqiptar. “Unë nuk kam dëshirë të ndalem më shumë te librat e mi sepse mendoj se zoti Kryeministër dhe zoti Balliu folën drejt e mirë për to, por dua të theksoj se ne në Perëndim, jemi të ndërgjegjshëm dhe e vlerësojmë Shqipërinë si një vend që është djepi i kulturës Perëndimore dhe Europiane, pjesë përbërëse e kësaj kulture e kësaj bote të kulturës. Nëpërmjet librave të mi, shpresoj që të kem nxjerrë sa më shumë në dritë të kaluarën dhe sidomos krimet që janë bërë në atë periudhë, dhe kjo shpresoj tu shpërbejë njerëzve që të rrisin vigjilencën e tyre, që gjëra të tilla të mos përsëriten më. Këtë mesazh e kam sidomos për ju shqiptarët sepse ju u është dashur të ndesheni dhe të përballoni me diktaturën më të egër të hoxhizmit të më shumë se gjysmë shekulli”, - tha ndër të tjera shkrimtari Simon Sebag Montefiore.
Libri i tij “Jeruzalemi” është përkthyer në shqip nga Etleva Sakajeva, ndërsa “Stalini: Në oborrin e Carit të kuq” nga Abdullah Sollaku. “Stalini i Ri” është përkthyer nga Blendi Lami, “Sashenka” nga Ergys Petriti, kurse “Katerina e Madhe dhe Potemkini” nga Abdullah Sollaku dhe Ergys Petriti.
Ministria, Xhaferaj pret biografinë e Stalinit
Shkrimtari Simon Sebag Montefiore është pritur në një takim të posaçëm edhe nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Ministri shprehu kënaqësinë e tij që priste një personalitet të studimeve të problematikës që sjellin diktaturat e tipit stalinist dhe vlerësoi 5 botimet e tij, që janë sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese “55”. Në takimin me ministrin Xhaferaj, shkrimtari Montefiore u ndal te mbresat e forta që po i shkaktonte vizita në një vend kaq interesant si Shqipëria, me një histori të pasur e me një energji të brendshme, e cila ia vlen të zbulohet.
Universiteti i Tiranës i jep “Doctor Honoris Causa” shkrimtarit
Shkrimtari Simon Sebag Montefiore u nderua dhe me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke vlerësuar studimet e historianit anglez u shpreh se tashmë ai është pjesë e stafit të jashtëm akademik të Universitetit të Tiranës. Shumë i suprizuar për këtë çmim, Montefiore u shpreh i nderuar për titullin.