E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Përpara, për një ‘22 mars’ të dytë në 23 qershorin që po vjen

22-03-2013 / Gazeta 55

“Zgjedhje të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë”

Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi festiv madhështor të organizuar nga Partia Demokratike, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, i uroi sot të gjithë shqiptarëve 22 marsin, ditën e parë të demokracisë shqiptare. Qindra e mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë vendi ishin mbledhur për të festuar së bashku 22 marsin, ditën në të cilën të rejat dhe të rinjtë, burrat dhe gratë e Shqipërisë, me votën e tyre të lirë u shkëputën përgjithmonë nga diktatura më e egër që kombi kishte njohur në historinë e tij.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët votuan për sistemin e bazuar në vlerat e lirisë, dinjitetin njerëzor, besimin te Zoti dhe te demokracia. “22 marsi është vepra e përjetshme e të rejave dhe të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi që në tërësi nuk kishin jetuar një ditë të vetme në liri, por me zjarrin e saj të pashuar në shpirt, me adhurimin për idealin e saj, me besimin te Zoti, me besimin te njëri – tjetri, te Shqipëria, nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pasi me uraganin e tyre të lirisë kishin shembur “murin e Berlinit”, me një akt guximi, vendosmërie, mençurie, shndërruan votën e tyre të bekuar në themel të demokracisë shqiptare”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se sot, më shumë se kurrë, 22 marsi na fton përpara, për Shqipërinë e potencialeve dhe shanseve të mëdha, për biznesin dhe punësimin e qytetarëve të saj. “Përpara, për konsolidimin dhe zgjerimin e pandërprerë të lirive dhe të drejtave njerëzore në shoqërinë tonë, për zgjedhje të lira dhe dinjitoze, për një ‘22 mars’ të dytë në 23 qershorin që po vjen”, tha Kryeministri.

“Ne jemi ndryshimi, - u shpreh Kryeministri, - sepse me reforma të thella, me sakrifica, me vepra dhe jo me fjalë, merituam statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokuan bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars, 21 vjet më parë. Le t’u themi atyre se ëndrra jonë evropiane nuk ka dhe nuk mund të ketë të ndalur. Në 23 qershor, me forcën e lirisë së votës sonë, ne do të shembim murin tuaj të bllokimit”.

Duke u shprehur se “ne jemi dhe do të mbetemi lokomotiva e fuqishme e integrimit”, Kryeministri theksoi se “zgjedhje të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë”.

Në këtë koncert festiv, përshëndeti dhe studentja Dajena Alushi, e lindur në 22 mars 1992. Ajo shprehu mirënjohje veçanërisht për mundësitë i janë dhënë asaj, si edhe çdo të riu shqiptar, për t’u shkolluar dhe për të studiuar në universitetet që dëshirojnë.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari, në emrin tuaj dhe të gjithë atyre që festojnë 22 marsin, le t’i urojmë Dajenës - gëzuar ditëlindjen! Le t’i urojmë asaj të ketë lumturi, jetë gjatë dhe suksese në tërë karrierën e saj që ka përzgjedhur. Gëzuar, Dajena!

Të dashur të reja dhe të rinj, qytetare dhe qytetarë, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra të mbledhur sot në këtë miting madhështor, për të festuar së bashku 22 marsin, ditën e parë të demokracisë, ditën në të cilën të rejat dhe të rinjtë, burrat dhe gratë e Shqipërisë, me votën e tyre të lirë firmosën për ndryshimin më të madh në historinë tonë kombëtare, ndanë epokat dhe sistemet, u shkëputën përgjithmonë nga diktatura më e egër që kombi kishte njohur në historinë e tij, nga sistemi i shtypjes mizore, sistemi i anti-vlerave dhe mbijetesës në një skllavëri shtetërore.

Më 22 mars të vitit 1992 qytetarët shqiptarë votuan për sistemin e bazuar në vlerat e lirisë, dinjitetin njerëzor, besimin te Zoti, besimin te demokracia.

Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, ne, asokohe njerëzit më të shtypur, më të varfër dhe më të izoluar të rruzullit tokësor, firmosëm për ndërtimin e të ardhmes sonë euroatlantike që meritojmë, të të ardhmes më të mirë për vete, për fëmijët tanë dhe gjeneratat që vijnë.

Gëzuar 22 marsin, ditën e parë të demokracisë, ditën e madhe, festën e lirisë dhe të ardhmes sonë.

Gëzuar Sulltan Nevruzin, ditën e bektashinjve!

Zoti e deshi që fitorja jonë të jetë në këtë ditë të shenjtë.

Gëzuar!

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra,

22 marsi është dita që ndan epokat, ndan sistemet. 22 marsi është vepra e përjetshme e të rejave dhe të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi që në tërësi nuk kishin jetuar një ditë të vetme në liri, por me zjarrin e saj të pashuar në shpirt, me adhurimin për idealin e saj, me besimin tek Zoti, tek njëri – tjetri, tek Shqipëria, nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pasi me uraganin e tyre të lirisë kishin shembur “murin e Berlinit”, me një akt guximi, vendosmërie, mençurie, shndërruan votën e tyre të bekuar në themel të demokracisë shqiptare.

Liria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pasioni i shpirtit tonë.

Përpara, për konsolidimin dhe zgjerimin e pandërprerë të lirive dhe të drejtave njerëzore në shoqërinë tonë, për zgjedhje të lira dhe dinjitoze, për një ‘22 mars’ të dytë në 23 qershor.

Ne do fitojmë!

Nder përjetë të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që në 22 mars të vitit 1992 themeluan demokracinë e re shqiptare.

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra,

Të dashur të reja dhe të rinj të Shqipërisë, kudo që jeni,

22 marsi është dira e triumfit të ëndrrës sonë të madhe. ‘Shqipëria në Evropë’ ishte ëndrra jonë fisnike. Shqiptarët, me vullnetin e tyre të lirë, vendosën të ndahen nga sistemi i izolimit më të thellë, të shkallmojnë bunkerin e izolimit dhe të ecin drejt hapësirës së tyre evropiane, hapësirës euro-atlantike, si e ardhmja e tyre më e ndritur.

Ne jemi ndryshimi, sepse në këto vite, me reforma të thella e të suksesshme, ne bëmë të vërtetë ëndrrën euro-atlantike të 22 marsit, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave.

Ne jemi ndryshimi, sepse ne, me reforma të thella dhe të gjithanshme, bëmë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë, pa viza, në mbarë Evropën.

Ne jemi ndryshimi, sepse ne, me reforma të thella, me sakrifica, me vepra dhe jo me fjalë, merituam statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokuan bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars, 21 vjet më parë. Le t’u themi atyre se ëndrra jonë evropiane nuk ka dhe nuk mund të ketë të ndalur. Në 23 qershor, me forcën e lirisë së votës sonë, ne do të shembim murin tuaj të bllokimit, do të bëjmë gjithçka. Shqipëria drejt Evropës, Shqipëria në rrugën e integrimit.

22 marsi është dita në të cilën shqiptarët, me votën e tyre të lirë, vendosën të shkëputen nga sistemi i barbarisë në të cilin jetonin jo si qenie shoqërore, por si qenie shtetërore, si skllevër të mjerë të sistemit hiperkolektivist totalitar. Ata vendosën të jetojnë jetën, punën, të ardhmen e tyre, të fëmijëve dhe të vendit të tyre, bazuar në iniciativën e lirë, në lirinë ekonomike dhe vlerat e saj.

Ne jemi ndryshimi, sepse në një hark të shkurtër kohor, në vendin ku koha kishte ndaluar dhe të ardhurat për frymë ishin të tretat më të ulëtat në botë, në vendin që kishte një papunësi 80 përqind, me reforma të thella, me iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptarë, ne ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në vendin me një ekonomi vibrante, që i rezistoi krizës; në vendin që shënoi ritmet më të shpejta të rritjes së të ardhurave për frymë; në vendin që në një hark të shkurtër kohor ka kapur tregues themelorë të vendeve të zhvilluara; në vendin që gjeneron mijëra e mijëra vende pune në vit; në vendin që sot, në kulmin e një krize të paprecedentë, e cila ka pllakosur rajonin dhe Evropën, jo vetëm nuk pati rritje, por pati ulje të papunësisë.

Sot, më shumë se kurrë, 22 marsi na fton përpara, për Shqipërinë e potencialeve dhe shanseve të mëdha, për biznesin dhe punësimin e qytetarëve të saj.

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra,

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

22 marsi na frymëzon ne që me iniciativën tonë të lirë, me mundin, djersën, mendjen, gjeninë tonë krijuese, me reforma të thella e të gjithanshme, ti shndërrojmë potencialet e mëdha të këtij vendi të bekuar dhe pasuritë e tij përrallore natyrore në pasuri për qytetarët shqiptarë, në burim të pashtershëm të punësimit të tyre dhe të rrogave më të larta të tyre.

Përpara, drejt 23 qershorit, për më shumë vende pune, për rroga më të larta, për mirëqenie më të madhe.

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra,

Qytetare dhe qytetarë të Tiranë dhe të mbarë Shqipërisë,

Sot, pas 21 vjetësh nga 22 marsi i ’92, Shqipëria është vite dritë larg Shqipërisë së 21 viteve më parë, por sot, për çdonjërin prej jush, për çdo qytetar shqiptar, për Shqipërinë, fitorja e 23 qershorit është vendimtare dhe përcaktuese për të ardhmen e saj. Fitorja e 23 qershorit dhe zgjedhjet e lira janë vendimtare për çdo të re dhe të ri shqiptar që do të shkollohet dhe të bëjë të vërtetë ëndrrën e tij të dijes, si dhe që kërkon të ketë një vend pune dinjitoz për vete, për familjen dhe për shoqërinë. Shkolla dhe shkollimi i të rinjve, punësimi i tyre me përparësi, janë objektivat tanë.

Përpara, për të realizuar ambiciet fisnike të të rinjve tanë. Sot, zgjedhje të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo qytetar të papunë që pret me padurim krijimin e vendeve të reja të punës; pret të shohë realitet premtimet tona, të cilave ai u beson, krijimit të 250 mijë vendeve të reja pune në katër vitet që vijnë.

Përpara, për krijimin e 250 mijë vendeve të punës, në mandatin tonë të ardhshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

Zgjedhje të lira dhe fitorja jonë janë vendimtare për çdo qytetar që punon sot dhe për çdo pensionist shqiptar, të cilët meritojnë rroga dhe pensione më të mira dhe që besojnë tek ne, sepse dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet e ulëta dhe duam të ecim përpara për rritjen e mëtejshme, më të madhe të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Zgjedhe të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë.

Ne jemi ndryshimi!

Ne jemi dhe do të mbetemi lokomotiva e fuqishme e integrimit.

Përpara, për një fitore të shkëlqyer më 23 qershor, fitoren e Shqipërisë së zhvilluar, fitoren e Shqipërisë evropiane.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin e saj krenar!

Gëzuar!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›