Kryeministri Berisha: Procedurë dixhitale në blerjet e vogla dhe publikimi i numrave jeshilë hapat e rinj që rrisin transparencën

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e qeverisë, aplikimin e standardeve të reja që rrisin transparencën, me zgjerimin e procedurave administrative dixhitale dhe komunikimit me publikun. Kryeministri bëri të ditur vendosjen së shpejti të procedurës dixhitale për të gjitha blerjet e vogla deri në 400 mijë lekë.
Gjithashtu, Kryeministri paralajmëroi publikimin brenda 10 ditëve, nga të gjitha ministritë të numrave jeshilë, pa pagesë, për qytetarët, për të denoncuar korrupsionin. Kryeministri kërkoi që krahas numrit jeshil, në faqen zyrtare të institucioneve të publikohet edhe numri i celularit, kur ai subvencionohet në minuta, nga shteti, të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë.
“Ne e nisim vitin me dy hapa të përshtatshëm, në një përpjekjeje për një transparencë më të madhe. Pasi kemi realizuar prokurimet dixhitale, ne e nisim vitin me kompletimin e sistemit dixhital për blerjet e vogla. Ne jemi nga të paktat qeveri që çdo shpenzim që bëhet sot, nesër gjendet online në thesarin e shtetit. Po ashtu të instalojmë një dialog konstant me qytetarët, për të vjelë sa më shumë mendimet e tyre.”
Lidhur me këto masa të reja, Kryeministri u shpreh:
“Sot është dita e parë e mbledhjes për këtë vit. Çdo hap dhe përpjekje e jona duhet të synojë para së gjithash, transparencën e veprimtarisë sonë. Ne kemi vendosur disa nga standardet më të shkëlqyera të transparencës që ekzistojnë: kemi vendosur sistemin e prokurimit elektronik, kemi vendosur një seri sistemesh të tjera dixhitale, si në pranimin në universitete, në hipotekën e Tiranës, në sistemin e drejtësisë etj.. Këto ditë vendoset sistemi dixhital i blerjeve të vogla. Agjencia e Prokurimeve Publike ka punuar me përkushtim të madh dhe tani, edhe për blerjet e vogla, në shumën deri në 400 mijë lekë, do të vendoset procedura dixhitale që është standardi më i mirë që ekziston në një vend. Kjo është një arritje madhe.
Ajo që kërkoj nga ju, zotërinj ministra, zëvendësministra dhe të gjithë zyrtarët që kanë telefon të subvencionuar për minuta nga qeveria, është të afishoni numrin celular në faqen zyrtare të ministrisë. Kjo është pozitive, pasi këto numra i kemi për publikun dhe afrojmë qytetarin.
Ju sugjeroj, por kjo nuk është detyruese, të shfrytëzoni Facebook-un, këtë mjet mahnitës komunikimi. Natyrisht, kjo do t’u kushtojë kohë, por çdo formë e mundshme komunikimi me qytetarët është jashtëzakonisht e dobishme. Ndonjëherë më shkruajnë e më pyesin se si ka mundësi që na përgjigjesh. Dhe unë, nga bindjet e mia më të thella, kam një përgjigje për ta: Po, kryeministri është i detyruar të përgjigjet, sepse ajo që ju keni bërë e bëni për kryeministrin, çfarëdo të bëjë kryeministri nuk arrin dot t’ju dalë borxhit. Ky është një raport konstant që duhet të kemi me qytetarët.
Në mënyrë të veçantë është e domosdoshme të funksionojnë linjat falas. Zoti Sekretar i Përgjithshëm, të merren masat që të gjitha ministritë të lenë linjë falas për qytetarët, për të paraqitur ankesat e tyre për korrupsionin, ai që njihet si numri jeshil. Kjo duhet të vendoset brenda 10 ditëve. Krahas tij, të jetë i afishuar edhe numri i celularit të zyrtarëve, i subvencionuar nga shteti.
Në këtë mënyrë mendoj se ne e nisim vitin me dy hapa të përshtatshëm, në një përpjekjeje për një transparencë më të madhe. Pasi kemi realizuar prokurimet dixhitale, ne e nisim vitin me kompletimin e sistemit dixhital për blerjet e vogla. Ne jemi nga të paktat qeveri që çdo shpenzim që bëhet sot, nesër gjendet online në thesarin e shtetit. Po ashtu të instalojmë një dialog konstant me qytetarët, për të vjelë sa më shumë mendimet e tyre. Ju garantoj se një pjesë e mirë e vendimeve që marrim e kanë burimin tek qytetarët. Një qytetar më pyeste nëse do të aplikohej masa e miratuar në parlament për makineritë e marra me qira për prodhim. Sigurisht, vendimi i qeverisë do ta përfshijë atë. Ne vetëm sa pasurohemi nga mendimet pozitive të qytetarëve në të gjitha fushat.”
04/01/2013