Projektligje dhe vendime të miratuara ne mbledhjen e Keshillit te Ministrave
P R O J E K T L I GJ
PËR
MASAT KUNDËR FINANCIMIT TË TERRORIZMIT
Në mbështetje të neneve 78, pika 1, dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton masat kundër financimit të terrorizmit, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara për propozimin, miratimin, kontrollin dhe zbatimin e tyre.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve dhe e atyre që mbështesin dhe financojnë terrorizmin, apo të atyre për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, po kryejnë apo kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla, nëpërmjet bllokimit, sekuestrimit të fondeve e pasurive të tyre, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuarara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, përveçse kur përcaktohet shprehimisht ndryshe në dispozita të veçanta të tij, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Bllokim i përkohshëm”, ndalimi i çdo transanksioni ose pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, sipas kushteve dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë të veprimeve të ndërmarra nga organet përkatëse, në përputhje me këtë ligj. Fondet dhe pasuritë e tjera, të bllokuara përkohësisht, mbeten në pronësi të personave që kanë të drejtë pronësie mbi to në çastin e vendosjes së masës të bllokimit të përkohshëm.
2. “Sekuestrim”, ndalimi i çdo transanksioni ose pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, sipas kushteve dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë të veprimeve të ndërmarra nga organet përkatëse, në përputhje me këtë ligj. Fondet ose pasuritë e sekuestruara mbeten në pronësi të personave që kanë të drejtë pronësie mbi to në çastin e vendosjes së masës të sekuestrimit.
3. “Fonde dhe pasuri të tjera”, pasuritë financiare, depozitat monetare dhe pronat e çdo lloji, të luajtshme ose të paluajtshme, pavarësisht nga mënyra e fitimit, si dhe dokumentet ligjore apo instrumentet e çdo lloji, përfshirë ato elektronike ose dixhitale, që provojnë pronësinë ose interesat në këto fonde dhe pasuri të tjera. Këtu përfshihen, por pa u kufizuar vetëm në to, kreditë bankare, çeqet bankare ose të udhëtarëve, urdhërpagesat, aksionet, letrat me vlerë, bonot, pagesat, letërkreditet dhe çfarëdo interesi, dividendi ose të ardhurat e tjera, si dhe vlerat që grumbullohen a gjenerohen nga fonde ose pasuri të tjera.
4. “Terrorist”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, person fizik apo juridik, që dyshohet se ka kryer ose ka tentuar të kryejë një apo disa nga veprat e parashikuara në nenin 230, të Kodit Penal.
5. “Person që financon terrorizmin”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, person fizik apo juridik, i çdo lloj forme apo emërtimi të regjistruar ose jo, që dyshohet se ka kryer ose ka tentuar të kryejë një apo disa nga veprat e parashikuara në nenet 230/a dhe 230/b, të Kodit Penal.
6. “Person i shpallur”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, person fizik apo juridik, i çdo lloj forme apo emërtimi të regjistruar ose jo,:
a) që është cilësuar dhe është përfshirë në listë si terrorist a person që financon terrorizmin, me vendim të Këshillit të Ministrave, në mbështetje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të akteve përkatëse të organizatave ndërkombëtare ose të marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
b) i cili, në bazë të Rezolutës 1373 (2001), të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutave të tjera të nxjerra në zbatim të saj ose rezolutave të tjera të ngjashme, që lidhen me luftën kundër financimit të terrorizmit, në përputhje me procedurat e brendshme të parashikuara në këtë ligj, shpallet i tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. “Person i interesuar”, çdo person që, në mirëbesim, ka ose pretendon se ka një të drejtë të ligjshme pronësie a pasurore në fonde dhe pasuri të tjera të personit të shpallur.
Neni 4
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet ndaj personave të shpallur dhe personave për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, mbi të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në çdo formë të terrorizmit dhe të financimit të tij, të kryera brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 5
Përfshirja në listën e personave të shpallur
1. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, miraton listën e personave të shpallur dhe marrjen e masave për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga këto rezoluta.
2. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Financave, në zbatim të Rezolutës 1373 (2001), të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të çdo marrëveshjeje ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, të vendimeve të Bashkimit Europian apo vendimit të një shteti tjetër, që lidhen me luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij, mund të vendosë përfshirjen e tyre në listën e personave të shpallur. Këshilli i Ministrave mund të refuzojë përfshirjen në listë të personave, kur ky veprim:
a) është në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik;
b) rrezikon të cenojë sovranitetin, sigurinë kombëtare, rendin publik ose interesa të tjera thelbësore të shtetit.
Neni 6
Masa për fondet dhe pasuritë e tjera
1. Ministri i Financave, deri në miratimin me vendim të Këshillit të Ministrave për përfshirjen në listën e personave të shpallur, mund të urdhërojë bllokimin e përkohshëm për fondet dhe pasuritë e tjera të personave për të cilët ka filluar procedura e shpalljes dhe për të cilët ka dyshime të bazuara për përfshirje, në çdo formë, në vepra të terrorizmit dhe të financimit të tij, të kryera apo që tentohet të kryhen, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Këshilli Ministrave vendos përfshirjen në listë të personave të shpallur, si dhe ndalimin për të kryer shërbime financiare e transaksione me fonde dhe pasuri të tjera të këtyre personave.
3. Ministri i Financave urdhëron sekuestrimin e fondeve dhe pasurive të tjera të personave të shpallur nga Këshilli i Ministrave, të evidentuara e të verifikuara nga organet përgjegjëse.
4. Masat e parashikuara vendosen për të gjitha fondet dhe pasuritë e tjera, ku personi i shpallur ushtron të drejta pronësie, kontrolli ose të drejta apo interesa të tjera, pavarësisht nga fakti se kush i ka në zotërim apo në përdorim fondet apo pasuritë e tjera, sikurse edhe për çdo fond dhe pasuri tjetër, që është gjetur në posedim ose mbahet nga persona të shpallur.
5. Zbatimi i masës së bllokimit të përkohshëm ose të sekuestrimit nuk pengon mbledhjen e interesave dhe marrjen e përfitimeve nga fondet dhe pasuritë e tjera. Këto masa shtrihen automatikisht edhe mbi fonde dhe pasuri të tjera që fitohen pas zbatimit të tyre.
6. Nuk lejohen veprime ose transaksione për fondet dhe pasuritë e tjera të bllokuara përkohësisht apo të sekuestruara, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj dhe përcaktimeve të bëra në bazë të tij në aktin përkatës të bllokimit të përkohshëm ose të sekuestrimit.
KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE DHE DETYRIMET E SUBJEKTEVE PËR TË BASHKËPUNUAR
Neni 7
Organet përgjegjëse për zbatimin e masave kundër financimit të terrorizmit
1. Organet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e masave të marra, të parashikuara në këtë ligj, janë:
a) Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për subjektet që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin;
b) Ministria e Drejtësisë, për Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe noterët;
c) Ministritë apo autoritetet përkatëse, për institucionet në vartësi dhe për subjektet që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin, që mbajnë ose administrojnë regjistra të fondeve dhe pasurive të tjera.
2. Organet përgjegjëse mbikëqyrin, nëpërmjet inspektimeve, përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin. Për qëllimin e këtij ligji, pavarësisht nga parashikimet e ligjeve të tjera, organet përgjegjëse mund të kërkojnë nga subjektet akses dhe vënien në dispozicion të çdo lloj informacioni e dokumenti që lidhet me përputhshmërinë e detyrimeve të subjekteve, në zbatim të këtij ligji.
3. Organet përgjegjëse kryejnë edhe këto detyra:
a) kontrollojnë zbatimin e masave kunder financimit të terrorizmit nga subjektet dhe sigurohen se këto masa janë të përshtatshme;
b) informojnë në kohë dhe bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, për çështjet e mospërputhshmërisë, rezultatet e inspektimeve të tyre, masat përmirësuese që do të merren dhe masat administrative, nëse ka pasur;
c) bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe ofrojnë asistencë të specializuar, sipas veprimtarisë së tyre, në fushën e zbatimit të masave kundër financimit të terrorizmit;
ç) përgatisin dhe shpërndajnë programe trajnimi për zbatimin e këtij ligji.
Neni 8
Mbledhja dhe administrimi i të dhënave
1. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave merr masa për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave për:
a) personat e shpallur apo personat për të cilët është filluar procedura e brendshme e shpalljes;
b) fondet dhe pasuritë e tjera që disponojnë ose lidhen me të drejta ose interesa të tjera të personave të shpallur apo në procedurë të brendshme për shpallje.
2. Mbledhja, përpunimi, analiza, ruajtja dhe përdorimi i të dhënave për zbatimin e masave kundër financimit të terrorizmit, sipas këtij ligji, bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Neni 9
Shkëmbimi i të dhënave
Ministri i Financave, ministri i Brendshëm, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Drejtësisë, ministri i Mbrojtjes, prokurori i Përgjithshëm, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, sipas fushës dhe përgjegjësive, shkëmbejnë informacione dhe të dhëna në nivel kombëtar e ndërkombëtar për personat e shpallur, për të cilët ka dyshime të bazuara për përfshirje, në çdo formë, në vepra të terrorizmit dhe të financimit të tij ose për të cilët ka filluar procedura e brendshme e shpalljes.
Neni 10
Detyrimi për raportim
1. Subjektet apo institucionet raportuese të parashikuara në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë të detyruara të raportojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave kur kanë të dhëna ose dyshime për veprime financiare, transanksione, fonde ose veprime të tjera, të kryera apo që tentohet të kryhen, që kanë për qëllim kryerjen apo finacimin e veprave terroriste , pavarësisht nga vlera e tyre.
2. Çdo person që ka dijeni për veprime financiare, transanksione, fonde ose veprime të tjera, të kryera apo që tentohet të kryhen, që kanë për qëllim kryerjen apo finacimin e veprave terroriste, është i detyruar të njoftojë menjëherë organet e zbatimit të ligjit ose Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
3. Njoftimi dhe raportimi duhet të përmbajnë të dhëna për identifikimin e fondeve dhe të pasurive të tjera, të dhëna për pronësinë dhe interesa të tjera rreth tyre, si dhe shpjegime për motivet ku mbështeten të dhënat e arsyeshme për financim të terrorizmit.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, kur ka arsye të bazuara në fakte apo rrethana konkrete për financim terrorizmi, i propozon menjëherë ministrit të Financave bllokimin e përkohshëm për fondet dhe pasuritë e tjera.
Neni 11
Mbrojtja e identitetit
Organet që marrin raportime sipas nenit 10 të këtij ligji, janë të detyruara të ruajnë identitetin e personave, subjekteve raportuese dhe të punonjësve të tyre që kanë raportuar.
Neni 12
Ndalimi i publikimit të të dhënave
1. Të dhënat e siguruara në zbatim të këtij ligji mund të përdoren vetëm për qëllimet e zbatimit të ligjit, për qëllime të ndjekjes penale ose për qëllime të tjera, të caktuara me ligj.
2. Organet përgjegjëse, subjektet raportuese dhe personat e punësuar pranë tyre, që marrin të dhëna, njoftime dhe raportime në zbatim të këtij ligji, nuk mund të bëjnë publike fakte për të cilat janë vënë në dijeni gjatë ose për shkak të detyrës.
3. Organet përgjegjëse, subjektet raportuese dhe personat e punësuar pranë tyre detyrohen t’i vënë në dispozicion gjykatës dokumentet e kërkuara, si dhe të dëshmojnë vetëm në rastet e lejuara në nenin 160, të Kodit të Procedurës Penale.
Neni 13
Mbrojtja e personave, subjekteve apo organeve përgjegjëse në mirëbesim
Personat, subjektet, drejtuesit, zyrtarët dhe punonjësit e subjekteve, të përkohshëm apo të përhershëm, që përmbushin ose kërkojnë të përmbushin në mirëbesim detyrimet, sipas dispozitave të këtij ligji, janë të përjashtuar nga përgjegjësia penale, civile ose administrative që vjen si shkak i njoftimit apo i raportimit.
KREU III
HARTIMI I LISTËS SË PERSONAVE TË SHPALLUR DHE MARRJA
E MASAVE KUNDËR FONDEVE DHE PASURIVE TË TJERA
Neni 14
Procedura e shpalljes mbështetur në rezolutat e Këshillit të Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara
1. Ministri i Punëve të Jashtme, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i propozon Këshillit të Ministrave përfshirjen në listën e personave të shpallur, duke njoftuar njëkohësisht organet përgjegjëse, organet e zbatimit të ligjit, shërbimet informative dhe ministrin e Financave, i cili mund të vendosë bllokimin e përkohshëm për fondet dhe pasuritë e tjera të këtyre personave.
2. Përcaktimet e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përbëjnë të dhëna të bazuara se personi është terrorist ose person që financon terrorizmin.
3. Këshilli i Ministrave, brenda 15 ditëve nga marrja e propozimit nga ministri i Punëve të Jashtme, vendos për përfshirjen e tyre në listën e personave të shpallur.
Neni 15
Procedura e brendshme e shpalljes
1. Organet përgjegjëse, organet e zbatimit të ligjit, shërbimet informative, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që gjatë ushtrimit të detyrave dhe funksioneve të tyre kanë marrë dijeni ose kanë dyshime të bazuara në indicie për përfshirje personash, në çdo formë, në vepra të terrorizmit dhe të financimit të tij, të kryera apo që tentohet të kryhen, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara t’i propozojnë menjëherë ministrit të Financave përfshirjen e tyre në listën e personave të shpallur si dhe marrjen e masave të parashikuara në këtë ligj.
2. Për shqyrtimin e rasteve të propozuara sipas pikës 1, të këtij neni, dhe ato të parashikuara në pikën 2, të nenit 5, të këtij ligji, ministri i Financave mund të thërrasë një komitet të posaçëm këshillimor, me përfaqësues në nivel të lartë drejtues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Prokuroria e Përgjithëshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
3. Ministri i Financave mund t’i propozojë Këshillit të Ministrave përfshirjen e personave të propozuar sipas pikës 1, të këtij neni, në listën e personave të shpallur.
4. Këshilli i Ministrave, brenda 15 ditëve nga marrja e propozimit nga ministri i Financave, mund të vendosë për përfshirjen e personave apo subjekteve të propozuara nga ministri i Financave, sipas pikës 3, të këtij neni, në listën e personave të shpallur.
Neni 16
Bllokimi i përkohshëm
1. Ministri i Financave mund të urdhërojë, pa njoftim paraprak, bllokimin e përkohshëm të fondeve dhe pasurive të tjera, përpara nxjerrjes së vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, kur kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar shmangien nga zbatimi i masave të parashikuara në këtë ligj dhe mund të njoftojë Prokurorin e Përgjithshëm për efekt të procedimit të mundshëm penal.
2. Urdhri i ministrit të Financave për bllokimin e përkohshëm të fondeve dhe të pasurive të tjera hyn në fuqi menjëherë dhe është i vlefshëm për një periudhë jo më shumë se 30 ditë pune, duke filluar nga dita e parë pas nxjerrjes së urdhrit. Ky urdhër u komunikohet për zbatim organeve përgjegjëse të parashikuara në nenin 7, të këtij ligji.
Neni 17
Ankimimi kundër bllokimit të përkohshëm
1. Kundër urdhrit të ministrit të Financave për bllokimin e përkohshëm të fondeve dhe të pasurive të tjera, personit të interesuar i lind e drejta të bëjë ankim në gjykatën kompetente brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.
2. Gjykata e shqyrton çështjen brenda 10 ditëve, duke zbatuar dispozitat për gjykimet administrative. Në çdo rast, ankimimi nuk pezullon ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit të ministrit të Financave.
3. Personi i interesuar ka detyrimin të provojë para gjykatës se:
a) ka një të drejtë të ligjshme në fondet dhe pasuritë e tjera të personit, të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Financave;
b) ka burime të justifikuara ligjërisht për të drejtat dhe interesat e tij në fondet dhe pasuritë e tjera;
c) fondet dhe pasuritë e tjera, objekt gjykimi, nuk kanë lidhje me terroristë, persona që financojnë terrorizmin ose persona të tjerë të lidhur me ta.
4. Personi i interesuar quhet i njoftuar për urdhrin e ministrit të Financave duke filluar nga data kur ka marrë dijeni. Në çdo rast, çështja shqyrtohet brenda afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.
Neni 18
Vendimi i Këshillit të Ministrave
1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme apo ministrit të Financave, vendos miratimin, ndryshimin ose revokimin e listës së personave të shpallur, për të cilët zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit.
2. Vendimi i Këshillit të Ministrave hyn në fuqi menjëherë, u komunikohet organeve përgjegjëse të përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji, dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
3. Ministri i Financave, brenda 5 ditëve nga botimi në “Fletoren zyrtare” të vendimit të Këshillit të Ministrave, njofton ministrin e Punëve të Jashtme për personat e shpallur me indicie brenda vendit.
4. Ministria e Punëve të Jashtme, pas marrjes së njoftimit sipas pikës 3, të këtij neni, brenda 15 ditëve, informon strukturat përkatëse pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe propozon përfshirjen e personave në listat përkatëse.
Neni 19
Ankimimi kundër vendimit të Këshillit të Ministrave
1. Personi i shpallur, në bazë të listave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mund të bëjë ankim të veçantë kundër vendimit të Këshillit të Ministrave në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve nga marrja dijeni. E drejta e ankimit mund të ushtrohet vetëm në rastin kur personi pretendon se është identifikuar gabimisht me personin e shpallur.
2. Për dëmet e shkaktuara, në zbatim të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të kërkohet dëmshpërblim nga shteti shqiptar, përveç rasteve kur dëmi është shkaktuar me qëllim apo me faj.
3. Personi i shpallur, sipas pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji, mund të bëjë ankim të veçantë kundër vendimit të Këshillit të Ministrave në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve nga marrja dijeni.
4. Gjykata e shqyrton çështjen duke zbatuar dispozitat për gjykimet administrative. Në çdo rast, ankimimi nuk pezullon ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit dhe të masave të tjera, që merren në zbatim të tij.
Neni 20
Pavlefshmëria e veprimeve mbi fondet dhe pasuritë e tjera
Veprimet apo transaksionet e kryera mbi fondet dhe pasuritë e tjera, pas hyrjes në fuqi të urdhrit të bllokimit të përkohshëm apo vendimit të Këshillit të Ministrave janë absolutisht të pavlefshme.
Neni 21
Verifikimi i identitetit, i fondeve dhe i pasurive të tjera
1. Ministria e Brendshme bën verifikimin e identitetit të personave që u nënshtrohen procedurave si person i shpallur apo për të cilët është filluar procedura e shpalljes dhe janë evidentuar fonde e pasuri të tjera.
2. Organet përgjegjëse të përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji, brenda 3 ditëve nga njohja me vendimin e Këshillit të Ministrave, ua përcjellin për zbatim institucioneve të varësisë, subjekteve që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin.
3. Institucionet e varësisë apo subjektet, brenda 10 ditëve nga njoftimi, verifikojnë dhe raportojnë te organi përgjegjës përkatës për fondet dhe pasuritë e tjera, të zotëruara në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë ose ku ata kanë ndonjë të drejtë a interes tjetër.
4. Fondet dhe pasuritë e tjera, për të cilat nuk ka qenë e mundur të evidentohen brenda afateve të mësipërme, raportohen menjëherë pas evidentimit te organi përgjegjës përkatës.
5. Organet përgjegjëse, menjëherë, por jo më vonë se 3 ditë nga marrja e njoftimit nga institucionet e varësisë, subjektet që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin, i paraqesin Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave një raport, me shkrim, ku jepen të dhënat që personi i shpallur ka të drejta dhe interesa në fondet dhe pasuritë e tjera.
6. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, brenda 3 ditëve nga marrja e njoftimit nga organet përgjegjëse për fonde dhe pasuri të tjera të evidentuara, i propozon ministrit të Financave nxjerrjen e urdhrit të sekuestrimit.
Neni 22
Sekuestrimi i fondeve dhe pasurive të tjera
1. Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, ministri i Financave, brenda 5 ditëve nga marrja e propozimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, nxjerr urdhër për sekuestrimin e fondeve dhe pasurive të tjera dhe kalimin në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe i komunikohet personit të shpallur, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
2. Urdhri i Ministrit të Financave i dërgohet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe institucioneve, subjekteve e organeve përgjegjëse në të cilat janë evidentuar fonde dhe pasuri të tjera, të cilat marrin masa për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij urdhri.
3. Pas vendosjes së masës të sekuestrimit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ushtron të gjitha të drejtat e kontrollit mbi fondet dhe pasuritë e tjera të sekuestruara, përfshirë posedimin, administrimin dhe veprime të tjera, që i çmon të nevojshme.
4. Procedurat dhe rregullat e marrjes në administrim, shpenzimet për administrim dhe kthim të fondeve e pasurive të tjera të sekuestruara sipas këtij ligji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 23
Shpenzime të lejuara nga fondet dhe pasuritë e tjera
1. Ministri i Financave, brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës, autorizon pagesa nga fondet dhe pasuritë e tjera të sekuestruara për t’i përdorur për nevoja jetese, mjekësore, familjare dhe vetjake të personit të shpallur, për pagimin e detyrimeve ndaj shtetit ose të atyre që rrjedhin nga puna e kryer dhe sigurimet e detyrueshme.
2. Kundër urdhrit të ministrit të Financave për refuzimin e autorizimit të kërkuar mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.
3. Ministri i Financave, me udhëzim të veçantë, vendos rregulla dhe procedura të hollësishme për shpenzimet e lejueshme, duke pasur parasysh kriteret e parashikuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Neni 24
Ankimimi ndaj urdhrit të sekuestrimit
1. Personat e shpallur dhe personat e interesuar, që pretendojnë se janë në mirëbesim, mund të bëjnë ankim ndaj urdhrit të ministrit të Financave për sekuestrimin e fondeve dhe pasurive të tjera në gjykatën kompetente jo më vonë se 30 ditë nga marrja dijeni për këtë urdhër sekuestrimi. Në çdo rast, ankimimi nuk pezullon ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit të sekuestrimit dhe të masave të tjera, që merren në zbatim të tij.
2. Personat e interesuar, që pretendojnë se janë në mirëbesim, zbatojnë detyrimet e parashikuara në pikën 3, të nenit 17, të këtij ligji.
Neni 25
Ndryshimi dhe revokimi i vendimit për personat e shpallur
1. Këshilli i Ministrave mund të vendosë ndryshimin ose revokimin e vendimit për listën e personave të shpallur brenda 15 ditëve nga paraqitja e propozimit të ministrit të Financave, ministrit të Punëve të Jashtme ose mbështetur në kërkesën e personit të shpallur, të shoqëruar me shpjegimet për ndryshimin e rrethanave përkatëse, që kanë motivuar nxjerrjen e tij.
2. Ministri i Punëve të Jashtme, mbështetur në ndryshimet dhe revokimet në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, brenda 5 ditëve nga publikimi i tyre, i propozon Këshillit të Ministrave ndryshimin ose revokimin e personave nga lista e personave të shpallur, duke njoftuar njëkohësisht ministrin e Financave.
3. Ministri i Financave, mbështetur në propozimet e organeve dhe institucioneve të parashikuara në pikën 1, të nenit 15, ose në vlerësimet e komitetit të posaçëm këshillimor, i propozon Këshillit të Ministrave ndryshimin ose revokimin e personave nga lista e personave të shpallur.
4. Ndryshimi ose revokimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për listën e personave të shpallur bëhet kur vërtetohen rrethana dhe fakte, që e bëjnë të panevojshëm zbatimin e mëtejshëm të tij,:
a) për shkak të një vendimi të mëvonshëm të strukturave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për rastet e parashikuara në pikën 1, të nenit 5, të këtij ligji;
b) për shkak të një detyrimi që i kërkohet ose i lind Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 25, të Kartës së Kombeve të Bashkuara;
c) për shkak të një vendimi përkatës të organizatave të tjera ndërkombëtare, të Bashkimit Europian ose sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
ç) për shkak të vendimit të heqjes nga lista të personit, nga vendi që ka kërkuar shpalljen;
d) për shkak të vendimit të formës së prerë të gjykatës kompetente, të marrë pas ankimit të personit të shpallur sipas pikave 1 dhe 3, të nenit 19, të këtij ligji;
dh) kur kanë ndryshuar rrethanat, faktet dhe arsyet mbi të cilat është bërë shpallja sipas nenin 15, të këtij ligji.
5. Heqja e masës së sekuestros ndaj fondeve dhe pasurive të tjera të personave të shpallur, si rezultat i ndryshimit ose i revokimit të listës për personat e shpallur, kryhet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave.
6. Kur hiqet masa e sekuestros ndaj fondeve dhe pasurive të tjera, zotëruesi i pasurisë ka të drejtë të kërkojë frutat e pasurisë, të realizuara gjatë administrimit. Ai ka të drejtë të kërkojë kompensimin në masën e pakësimit të vlerës së pasurisë ose të dëmit që, me faj, i është shkaktuar pasurisë.
Neni 26
Procedimi penal dhe pasuror
Pavarësisht nga zbatimi i dispozitave të këtij ligji, prokuroria dhe gjykata, në zbatim të dispozitave procedurale penale apo atyre të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, mund të procedojnë me sekuestrimin dhe konfiskimin e fondeve dhe të pasurive të tjera të bllokuara përkohësisht ose të sekuestruara, në zbatim të këtij ligji.
KREU IV
SANKSIONET
Neni 27
Kundërvajtjet administrative
1. Nëse nuk përbën vepër penale, mospërmbushja nga organet përgjegjëse dhe subjektet e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 10 000 000 (dhjetë milonë) 1ekë.
2. Autoritet Përgjegjës për kontrollin dhe mbikëqyrjen e përputhshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të ligjit me kërkesat e akteve ligjore dhe nënligjore për masat kundër financimit të terrorizmit do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
3. Dënimet administrative, sipas pikës 1, të këtij neni, vendosen nga ministri i Financave, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
4. Procedurat e shqyrtimit, ankimit dhe të ekzekutimit të vendimeve për kundërvajtjet administrative bëhen në përputhje me ligjin për kundërvajtjet administrative.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 28
Dispozita kalimtare
1. Aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të ligjit nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, do të mbeten në fuqi, për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë ligj.
2. Ky ligj zbatohet edhe për vepra penale të terrorizmit, si dhe për fondet e pasuritë e tjera që kanë shërbyer për financimin e terrorizmit, të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 29
Miratimi i akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 22, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri i Financave, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 23, të këtij ligji.
Neni 30
Dispozitë shfuqizuese
Ligji nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, shfuqizohet.
Neni 31
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MASAT KUNDËR FINANCIMIT TË TERRORIZIMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për masat kundër financimit të terrorizimit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN
ME KONCESION TË HIDROCENTRALIT “LAJTHI” DHE MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE,
QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3b, të ligjit, nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti Kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentralit “Lajthi” është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 2 (dy) % të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkuruese për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali, që i jepet shoqërisë “Al-Can Hydropoëer Energy”, sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Lajthi”, duhet të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të pellgut ujëmbledhës, i cili përfshihet në skemën e shfrytëzimit të këtij hidrocentrali.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT
TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË,
PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE
TË DREJTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit bashkëlidhur, këtij vendimi.

MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BULQIZË, TË QARKUT TË DIBRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të bashkisë Bulqizë, të qarkut të Dibrës, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj bashkie, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Lista me 64 (gjashtëdhjetë e katër) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 377 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë).
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe bashkia Bulqizë për zbatimin e këtij vendimi.

MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS DISHNICË, TË QARKUT TË GJIROKASTRËS

1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të komunës Dishnicë, të qarkut të Gjirokastrës, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj komune, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Lista e inventarit me 48 (dyzet e tetë) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 316 (treqind e gjashtëmbëdhjetë).
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe komuna Dishnicë për zbatimin e këtij vendimi.

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.431, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUATJSHME PUBLIKE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SË GRAMSHIT, TË QARKUT TË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike, që transferohen në pronësi ose përdorim të bashkisë Gramsh, të qarkut të Elbasanit, miratuar me vendimin nr.431, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, të disa pronave, sipas formularit dhe lidhjes 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, bashkia Gramsh dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikes së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

MIRATIMIN E ÇMIMIT TË TEKSTEVE SHKOLLORE PËR NXËNËSIT
E SHKOLLAVE TË ARSIMIT PROFESIONAL, NXËNËSIT E PAKICAVE KOMBËTARE DHE NXËNËSIT SHQIPTARË QË JETOJNË E ARSIMOHEN NË DIASPORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.10 296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, dhe të ligjit nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e çmimeve të teksteve shkollore për nxënësit që ndjekin arsimin profesional, nxënësit e pakicave kombëtare, si dhe për nxënësit shqiptarë që jetojnë e arsimohen në diasporë, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Çmimet e shitjes së teksteve shkollore të çertifikuara, të miratuara sipas tabelës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të vendosen në kopertinën e tyre. Për çdo ribotim, çmimet e teksteve shkollore të miratuara indeksohen në përputhje me rritjen vjetore të inflacionit, të publikuar nga INSTAT-i.
3. Tekstet shkollore u shiten ose u jepen falas nxënësve që ndjekin shkollat e arsimit profesional, nxënësve të pakicave kombëtare dhe nxënësve të familjeve shqiptare që jetojnë e arsimohen në diasporë, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
4. Të gjitha të ardhurat e realizuara nga shitja e teksteve shkollore arkëtohen në buxhetin e shtetit.
5. Efektet financiare të këtij vendimi të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË PËRGJEGJËSIVE E TË AFATEVE PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURËS SË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS*
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) të projekteve të caktuara private apo publike, si më poshtë vijon:
KREU I
ZHVILLIMI I PROCEDURËS PARAPRAKE TË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS
A. Fazat e procedurës paraprake të VNM-së
Procedura paraprake e vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) zbatohet për projektet që janë subjekt i kërkesave të nenit 8, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” dhe kalon në këto faza të njëpasnjëshme:
a) Paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues nga zhvilluesi në Qendrën Kombëtare të Licensimit (QKL) dhe përcjellja e tyre nga QKL në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM);
b) Konsultimi i AKM-së me institucionet e tjera dhe publikimi i kërkesës;
c) Marrja e vendimit nga AKM-ja, njoftimi i QKL-së, Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMAU), institucioneve të konsultuara si dhe publikimi i vendimit në Rregjistrin Kombetar te Lejeve dhe Licensave.
B. Paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues nga ana e zhvilluesit në QKL dhe përcjellja e dokumentaconit në AKM
1. Zhvilluesi, që synon të zbatojë një projekt i cili është subjekt i kërkesave te nenit 8, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, që në fazat fillestare të planifikimit të projektit (projektidesë), paraqet pranë QKL-së, përveç dokumentacionit të kërkuar sipas ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe dokumentacionin përkatës i cili përmban:
1.1. Përshkrimin e projektit të propozuar, ku përfshihen:
a) përshkrimi i qëllimit të projektit të propozuar;
b) planimetria e vendndodhjes së projektit ku të pasqyrohen në hartë topografike sipërfaqja e tokës së kërkuar, kufijtë e sipërfaqes së tokës së kërkuar, fotografi dhe të dhëna për përdorimin ekzistues të sipërfaqes së tokes që do të përdoret përkohësisht apo përherë nga projekti gjatë fazës së ndërtimit apo funksionimit të veprimtarisë së projektit;
c) informacioni për qendrat e banuara në zonën ku propozohet të zbatohet projekti, shoqëruar me distancën nga vendi ku propozohet projekti, fotografi si dhe njësinë e qeverisjes vendore (bashkia/komuna) që administron territorin ku propozohet projekti;
ç) skicat dhe planimetritë e objekteve të projektit dhe strukturave të projektit;
d) përshkrimi i proceseve ndërtimore dhe teknologjike, përfshirë kapacitetet prodhuese/përpunuese, sasitë e lëndëve të para dhe produktet përfundimtare të projektit;
dh) infoormacioni për infrastrukturën e nevojshme për lidhjen me rrjetin elektrik, furnizimin me ujë, shkarimet e ujërave të ndotura dhe mbetjeve, si dhe informacion për rrugët ekzistuese të aksesit apo nevojën për hapje të rrugëve të reja;
e) programi për ndërtimin, kohëzgjatjen e ndërtimit, kohëzgjatjen e planifikuar të funksionimit të projektit, kohën e mundshme të përfundimit të funksionimit të projektit dhe, sipas rastit, edhe fazën e planifikuar të rehabilitimit të sipërfaqes pas mbarimit të funksionimit të projektit;
ë) mënyrat dhe metodat që do të përdoren për ndërtimin e objekteve të projektit;
f) lëndët e para që do të përdorën për ndërtimin dhe mënyra e sigurimit të tyre (materiale ndërtimi, ujë dhe energji);
g) informacioni për lidhjet e mundshme të projektit me projekte të tjera ekzistuese përreth/pranë zonës së projektit;
gj) informacioni për alternativat e marra në konsideratë përsa i takon përzgjedhjes së vendndodhjes së projektit dhe teknologjisë që do të përdoret;
h) të dhëna për përdorimin e lëndëve të para gjatë funksionimit, përfshirë sasitë e ujit të nevojshëm, energjisë, lëndëve djegëse dhe mënyrën e sigurimit të tyre;
i) aktivitete të tjera që mund të nevojiten për zbatimin e projektit, si ndërtimi i kampeve apo rezidencave etj;
j) informacioni për lejet dhe licencat e nevojshme për projektin, të kërkuara nga legjislacioni në fuqi si dhe institucionet kompetente për lejimin/licencimin e projektit.
1.2 Raportin paraprak tё VNM-sё, ku përfshihen;
a) një përshkrim i shkurtër i mbulesës bimore të sipërfaqes ku propozohet të zbatohet projekti, shoqëruar dhe me imazhe;
b) informacioni për praninë e burimeve ujore në sipërfaqen e kërkuar nga projekti dhe në afërsi të saj;
c) një identifikim i ndikimeve të mundshme negative në mjedis të projektit, përfshirë ndikimet në biodiversitet, ujë, tokë dhe ajër;
ç) një përshkrim të shkurtër për shkarkimet e mundshme në mjedis, të tilla si ujëra të ndotura, gaze dhe pluhur, zhurmë, vibrime si dhe për prodhimin e mbetjeve;
d) informacioni për kohëzgjatjen e mundshme të ndikimeve negative të identifikuara;
dh) të dhëna për shtrirjen e mundshme hapësinore të ndikimit negativ në mjedis që nënkupton distancën fizike nga vendndodhja e projektit dhe vlerat e ndikuara që përfshihen në të;
e) mundësinë e rehabilitimit të mjedisit të ndikuar dhe mundësinë e kthimit të mjedisit të ndikuar të sipërfaqës në gjendjen e mëparshme, përfshi edhe kthimin e tokës bujqësore (në rast se përdorimi ekzistues është i tillë) dhe kostot financiare të përafërta për rehabilitimin;
ë) masat e mundshme për shmangien dhe zbutjen e ndikimeve negative në mjedis;
f) ndikimet e mundshme në mjedisin ndërkufitar (nëse projekti ka natyrë të tillë);
g) certifikatën dhe licencën përaktëse të QKL-së, të specialistit që ka har