E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reforma e inspektoriateve i dhuron vendit një nga format më të studiuara dhe të suksesshme të inspektimit

-          Sistemi i ri i inspektimit do të reduktojë numrin e inspektoriateve në vend, duke lenë vetëm 1/3 e atyre ekzistues.

-          Procesi i inspektimit për biznesin do të shkurtohet nga 45 ditë në 12 ditë.

-          Sistemi i ri i inspektimit rrit transparencën dhe lufton abuzimet në vendin  e inspektimit.

Në drejtimin e Kryeministrit Berisha  u zhvillua sot mbledhja e Task-Forcës për reformën e inspektoriateve, për të cilën kryeministri bëri të ditur se ndodhet në fazën e kurorëzimit ligjor të saj.

Duke e vlerësuar këtë reformë si një prej reformave më themelore dhe më të shumëpriturën për biznesin e vendit, kryeministri Berisha u shpreh se ajo hap një kapitull të ri në përpjekjet e maxhorancës për një klimë sa më miqësore dhe të favorshme kundrejt biznesit dhe mbi të gjitha për një konkurrueshmëri të lirë dhe të hapur.

Kryeministri bëri me dije se reforma kompletohet me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet, me miratimin  e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas miratimin në parlament të ligjit.

Kryeministri theksoi se reforma i jep vendit një nga format më të studiuara dhe më të suksesshme të inspektimit, duke reduktuar ndjeshëm numrin  e inspektoriateve ekzistuese dhe duke lenë vetëm 1/3 e numrit të tyre. Gjithashtu, mbi bazën e akteve ligjore  e nënligjore, si dhe të sistemit të ri do të shkurtohet procedura e inspektimit nga 45 ditë që është aktualisht në 12 ditë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën burokratike mbi biznesin.

Kryeministri tha se sistemi i ri i inspektimit do të vendosë një barrierë të fuqishme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke rritur transparencën, nëpërmjet ndjekjes në kohë reale të gjurmës së inspektorit, në vendin e inspektimit. “Gjurma  e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet.”, shpjegoi kryeministri.

Kryeministri falënderoi me mirënjohje të gjithë hallkat institucionale që bashkëpunuan për kompletimin e reformës, duke shprehur besimin se miratimi i ligjit dhe i akteve nënligjore të përgatitura do të zbatohen me vendosmëri dhe se në një kohë shumë të afërt Shqipëria do të ketë të instaluar sistemin e ri të inspektoriateve.

Në fjalën e mbajtur në nisje të mbledhjes, kryeministri Berisha u shpreh:

“Task forca për derregullimin e tregut dhe reformën ekonomike mblidhet sot për kurorëzimin ligjor të njërës prej reformave më të rëndësishme për ekonominë e tregut, funksionimin e saj, siç është reforma e inspektimit, inspektoriateve.

Kjo reformë është një ndër më të shumëpriturat dhe më themeloret për biznesin e vendit. Kjo reformë hap një kapitull të ri në përpjekjet e maxhorancës për një klimë biznesi miqësore, të favorshme, por mbi të gjitha për një kompetivitet të lirë, të hapur.

Reforma kurorëzohet sot me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet që ne miratojmë këtu, me miratimin  e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas në Parlament të ligjit.

Reforma i jep vendit një nga format më të studiuara, më të suksesshme të inspektimit. Duhet pranuar, duhet vlerësuar se sipas një studimi të bërë inspektorët e sistemit aktual të inspektorateve iu marrin rreth 45 ditë pune në vit, biznesit. Po të kemi parasysh vlerën e madhe dhe të paçmuar që ka koha për ta, kjo përbën një barrë shumë të rëndë financiare dhe burokratike mbi biznesin, ndaj dhe reformat pas një pune të gjatë, të shkëlqyer që ka bërë grupi i ngarkuar për hartimin e të gjitha akteve ligjore  e nënligjore i ministrisë së ekonomisë, Inspektori i Përgjithshëm në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Studimeve Bashkëkohore, i cili është dhe promotor kryesor i reformave të ndërmarra nga kjo Task-force, vjen sot në formën përfundimtare ku vendi do të ketë jo më shumë se 1/3 e inspektorateve ekzistuese, pra ka një reduktim thelbësor të numrit të inspektoriateve. Ajo çka është më pozitive, nga 45 ditë proces inspektorial që përjeton sot biznesi, mbi bazën e akteve ligjore e nënligjore dhe sistemin e ri, kjo do të reduktohet në ¼, pra në rreth 12 ditë dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe.

Në sistemin e inspektoriateve dhe në reformën e bërë natyrisht ka një përshtatje të plotë me tregun, degëzimet dhe funksionimin e tij. Një specifikë tjetër kryesore e kësaj reforme është gjurma. Gjurma  e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, gjurme  e cila do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka dhe kjo përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet.

Kjo reformë nuk ka qenë një reforme e thjeshte. Inspektoratet janë gjithnjë institucione të rëndësisë së dorës së parë. Nuk  ka qenë e thjeshtë sepse është bërë një shkëputje në kohë, është kaluar në e-inspektorate, nuk ka qenë e thjeshtë sepse janë ndryshuar me dhjetëra ligje me te cilat bazohej veprimtaria  e inspektoriateve ekzistuese. Por vjen tani si një kurorë e shkëlqyer do të thosha në përpjekjet për të konsoliduar më tej lirinë e tregut, në përpjekjet për të konsoliduar më tej funksionimin e ligjet, si kushtin më themelor të kësaj lirie, në përpjekjet për të lehtësuar më tej barrën burokratike mbi shpatullat e biznesit. Të mos harrojmë një gjë, ne jemi një ndër 10 administratat më të vogla të planetit dhe kjo përbën pa mëdyshje një nga arritjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të këtij vendi. Na takonte para së gjithash ne që të vendosim sistemin më transparent, por dhe të përmasave më të drejta dhe jo të stërmëdha të inspektorateve mbi biznesin.

Unë edhe njëherë dua tu falënderoj përzemërsisht; ministrinë  e ekonomisë, Inspektoriatin  e Përgjithshëm, Institutin e Studimeve Bashkëkohore dhe ekspertët e tij si dhe të gjitha anëtarët  e kësaj Task Force, ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kanë punuar me përkushtim në finalizimin e të gjitha akteve ligjore e nënligjore. Kam besim të madh se miratimi i ligjit dhe i akteve nënligjore të përgatitura që do të diskutohen këtu, do të zbatohen me vendosmëri të prerë dhe se në një kohë shumë të afërt Shqipëria do të ketë të instaluar sistemin e ri të inspektoriateve, reformë kjo jo e padhimbshme, por që nuk synon dhimbje ndaj askujt. Natyrisht në këtë sistem bien disa forma ekzistuese organizmi, vendosen disa forma të reja organizimi, bien disa praktika pune të pasuksesshme dhe zëvendësohen me praktika të suksesshme, por në fund të fundit, ky është qëllimi i reformave. Reformat kanë si synim kryesor përsosjen gjithnjë e më tej të veprimtarisë në fusha të caktuara, përshtatjen me kohën, qëndrimin në bashkëkohësi të zhvillimit.


28/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›