Kryeministri Berisha: Do shfrytëzohet çdo burim që fuqizon kapacitetet e prodhimit të energjisë ujore, si energjia me koston më të ulët
Kryeministri Berisha tha sot, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të shfrytëzuar çdo burim që fuqizon kapacitetet e prodhimit të energjisë ujore, si një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm. Kryeministri Berisha, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, mbi ecurinë e procesit të ndërtimit të hidrocentraleve, prezantoi edhe vendimet e reja për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të pesë hidrocentraleve.
Kryeministri theksoi se rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme do të ulë koston e energjisë elektrike dhe mundëson çmimin më të leverdishëm të saj, për qytetarët shqiptarë, sikundër e konsideroi ndërtimin e HEC-eve edhe një faktor të rëndësishëm për rritjen e të ardhurave lokale dhe punësimit.
“Hidrocentralet, me efektin e tyre pozitiv, trashëgohen nga gjeneratat dhe nuk lënë asnjë faturë negative për to. Përkundrazi, ato përbëjnë një nga asetet më të mira, më pozitive e më me vlerë, që ata, që vijnë pas nesh, do t’i kenë,” – u shpreh Kryeministri.
Nga ndërtimi i këtyre veprave energjike, në total 443 hidrocentrale të parashikuar, me një investim mbi 2 miliardë euro, tha Kryeministri, Shqipëria do të fitojë një kapacitet prodhimi të energjisë prej mbi 1400 megavat, apo 20 përqind më të madh se kapaciteti ekzistues.
Duke komentuar deklaratat e njëpasnjëshme të opozitës lidhur me mosnjohjen e marrëveshjeve të ndryshme koncesionare, Kryeministri Berisha i konsideroi ato, deklarata “ziliqare dhe keqdashëse”, absurditeti i të cilave nuk është përfillur nga investitorët vendas e të huaj. Kryeministri theksoi se në themel të këtij procesi qëndron gara transparente dhe klima më e favorshme për investime.
Fjala e Kryeministrit në prezantimin e pesë vendimeve në fushën e energjisë , në mbledhjen e qeverisë:
“Sërish kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë energjia e rinovueshme, pasi sot, në projektvendimet e qeverisë, pesë janë për hidrocentrale, për të cilat përcaktohet autoriteti kontraktues për dhënien me koncesion dhe miratimi i bonusit. Me këto pesë hidrocentrale shkon në rreth 330 numri i hidrocentraleve, për të cilët janë firmosur kontratat, kanë përfunduar ndërtimin, kanë filluar ndërtimin apo janë në procesin e marrjes së lejes. Nga 443 hidrocentrale, të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, që parashikohen të ndërtohen në mbarë territorin e vendit, është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 330 prej tyre dhe ky interes vazhdon në rritje.
Konkretisht, ndër këto hidrocentrale, për të cilat Ministria e Ekonomisë ka firmosur mbi 115 kontrata, kanë përfunduar ndërtimin 72 prej tyre dhe e vërteta është se kjo shifër është e tre javëve më parë, ndërkohë mund të kenë përfunduar edhe të tjerë. Hidrocentralet që kanë përfunduar ndërtimin kanë kapacitet prej 125 megavat. Pritet që në shtator t’u bashkëngjitet edhe projekti më i madh që ndërtohet deri në tani, projekti i Ashtës. Ky hidrocentral përbën risi botërore në llojin e tij, pasi ka numrin më të madh të turbinave tubulare që përdoren ndonjëherë në këto kushte.
Këto vepra, të cilat fuqizojnë çdo ditë e më shumë sistemin tonë energjetik, kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Së pari, ato janë sipërmarrje të fuqishme punësimi. Janë në ndërtim edhe mbi 50 të tjera, në të cilat janë të punësuar mijëra punëtorë, inxhinierë e teknikë të fushës. Për ne, punësimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Por punësimi i shpërndarë falë këtyre veprave që ndërtohen është edhe më i mirëpritur, sepse në tërësinë e tyre këto vepra janë të vendosura në zonë malore, në atë verilindore e juglindore të vendit. Zonë me problemet më të mëdha me të ardhurat e punësimin.
Krahas vendeve të punës, këto hidrocentrale rrisin ndjeshëm edhe të ardhurat në komunitet lokale. Por efekti dhe rezultati i tyre më i qëndrueshëm, më afatgjatë është se ato gradualisht garantojnë që, pavarësisht nga çmimet gjithnjë në rritje të energjisë në botë, të cilat, fatkeqësisht, përcaktohen kryesisht nga çmimi i naftës, Shqipëria, me shtimin e këtyre veprave shkëputet në mënyrë përfundimtare nga ndikimi konjukturor i çmimit të energjisë dhe shqiptarët do të kenë mundësi të marrin energji me çmimin më të leverdishëm, se çdo vend tjetër. Kjo sepse energjia ujore është në rrafshin afatgjatë, energjia me koston më të ulët që ekziston.
Duke fuqizuar kapacitetet e prodhimit të energjisë së ujit, ne konsolidojmë në mënyrë të shkëlqyer një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Hidrocentralet, me efektin e tyre pozitiv, trashëgohen nga gjeneratat dhe nuk lënë asnjë faturë negative për to. Përkundrazi, ato përbëjnë një nga asetet më të mira, më pozitive e më me vlerë, që ata, që vijnë pas nesh, do t’i kenë.
Në Shqipëri ka një specifikë jashtëzakonisht të rëndësishme e pothuaj unike. Nga e gjithë kjo veprimtari, me kontratat e arritura gjer më sot është firmosur ndërtimi i veprave energjike me një prodhim total prej 1400 megavat, pra, rreth 20 përqind më të madh se kapaciteti ekzistues. Ato kapin një investim mbi 2 miliardë euro. Ne do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë çdo burim të mundshëm ujor, për shndërrimin e tij në energji elektrike. Gjithë këto ujëra, në shekuj janë derdhur në det, të fjetura e pa vlerë, përveçse rasteve të kufizuara kur janë përdorur për vaditje. Ndërsa sot marrin një vlerë të jashtëzakonshme.
Kjo veprimtari ka një histori të shkurtër që nisi në vitin 2007 me miratimin e një ligji të shkëlqyer. Ligj, i cili u jep garanci investitorëve privatë, i nxit ata dhe i ka bindur se në Shqipëri ia vlen të konsiderosh hartimin e projekteve, për ndërtimin e hidrocentraleve. Këto gara vazhdojnë para së gjithash, se ato kanë qenë gara transparente dhe se në to ka dominuar transparenca maksimale. Cilido që dëshiron, le t’i hedhë një sy këtij procesi të paprecedent në historinë e një vendi. Nuk ka ndonjë vend tjetër që në një hark të shkurtër kohor të ketë firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 330 hidrocentraleve.
Kjo garë vjen me ‘lakmi’ në rritje. Edhe pse kjo kohë nuk është koha më optimale. Sigurisht, pasojat e krizës në Europë janë të ndjeshme dhe ajo nuk do të jetë afatshkurtër, por e vërteta është se nga viti 2010 e në vazhdim ka pasur interes të madh për ndërtimin e tyre. Shqipëria po i zhvillon kapacitet e saj ujore energjetike tërësisht të bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. Është absolutisht një nga rastet më të rralla, për faktin që ligji, mjedisi që kemi krijuar, one stop shop që po konsolidojmë janë shndërruar në një magnet të vërtetë, për investitorët në fushën e energjisë.
Përballë kësaj gare të pashembullt në ndonjë vend, në intensitetin e saj të madh, qëndrojnë deklaratat ziliqare, deklarata keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do të njohim këtë apo atë marrëveshje, se po jepen ujërat me koncesione. Shpifje e trillime të pandershme! E vërteta është se absurditeti i tyre, fatmirësisht, nuk është përfillur aspak nga investitorët vendas e të huaj, të cilët janë të ndjeshëm, por janë të ndjeshëm ndaj çështjeve që qëndrojnë dhe jo ndaj marrëzive. Dalin e i kërcënojnë çdo tre ditë, se nuk do të njohin marrëveshjet. Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërinj, ju garantoj se largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga horizonti i pushtetit. Kush është ai që mund të votojë për ata që thonë se do të kthejmë kohën mbrapa, për ata që duan t’i privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krocera. Tani janë bërë edhe virtualë. Rroftë ciu-ciu! Por Shqipërinë dixhitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Shqipërinë dixhitale e nisëm që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre, të kenë shërbimet më të shkëlqyera, të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale janë rrjete sociale dhe nuk duhet t’i deformojmë qëllimet e tyre. Ato janë për të shumuar plazmën e njerëzisë e komunikimit midis njerëzve.”
22/08/2012