Kryeministri Berisha: Reforma rregullatore, hap i rëndësishëm për mënjanimin e barrierave burokratike ndaj biznesit
- Qeveria diskuton me biznesin në mbledhjen e Task Forcës për reformën rregullatore
U zhvillua sot pasdite nën drejtimin e Kryeministrit Berisha mbledhja e Task Forcës për Reformën Rregullatore për përmirësimin e klimës së biznesit, e cila miratoi planin e veprimit të Reformës Rregullatore për vitin 2007. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin ministrat Bode, Ruli, Rusmali, zëvendësministri Bozdo, si dhe zëvendësministri i Transportit dhe Punëve Publike, zëvendësministri i Brendshëm dhe Zëvendësministri i Bujqësisë. Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit.
Ministri Ruli, në cilësinë e koordinatorit të reformës bëri një paraqitje të përgjithshme të ecurisë së deritanishme të reformës rregullatore, duke theksuar se kjo reformë është reforma më orientuese dhe me impaktet më të ndjeshme që mund të ndërrmerret ndonjëherë në favor të biznesit dhe veprimtarisë së tij.
Me pas, ministrat pjesëmarrës prezantuan arritjet dhe angazhimet kryesore të sektorëve të veçantë për vitin 2007, në kuadrin e reformës rregullatore.
Duke marrë fjalën, Ministri Bode u shpreh se tërësia e masave të ndërrmarra nga Ministria e Financave, në kuadër të reformës rregullatore ka patur si objektiv themelor formalizimin e ekonomisë, krijimin e një tregu konkurrues, dhe shndërrimin e tij në instrument të zhvillimit të vendit.
Ministri Rusmali paraqiti masat e ndërrmarra nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të rishikimit tërësor të procedurës administrative dhe procedurave gjyqësore të lidhura me gjykimet administrative.
Duke diskutuar mbi masat për përmirësimin e kuadrit ligjor, zëvendësministri i Bujqësisë u ndal vecanërisht në ligjin e ri të ushqimit dhe në rishikimin dhe harmonizimin e të gjitha tarifave të shërbimeve në sektorin e bujqësisë. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se qeveria do të miratojë së shpejti një paketë masash për inkurajimin e prodhimit bujqësor vendas.
Në diskutimet e tyre, përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme të biznesit falenderuan kryeminisrin dhe qeverinë për nxitjen e reformës rregullatore, luftën kundër informalitetit dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Gjithashtu ata vlerësuan marrjen në konsideratë të sugjerimimeve të tyre në hartimin e projektligjeve të vecanta dhe ofruan bashkëpunimin me qeverinë, nëpërmjet ofrimit të ekspertizës, për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë në kuadrin e reformës rregullatore, e cila do të synojë në rradhë të parë lehtësimin e barrierrës burokratike mbi biznesin.
Kryeministri theksoi se suksesin e tërheqjes së investimeve dhe e realizimit me sukses të tyre, e garanton konsolidimi i standardeve dhe praktikave të thjeshta, të qarta dhe të shpejta për veprimtarinë e biznesit.
Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se roli i biznesit, këshillat dhe ekspertiza e përfaqësuesve të biznesit është e pazëvendësueshme në realizimin me sukses të reformës.
"Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht ju përfaqësuesve të biznesit të vendit, të shpreh vlerësimin dhe mbështetjen time për të gjitha grupet, për punën që kanë bërë, në reformën rregullatore e cila synon para së gjithash të lehtësoj barrën burokratike mbi biznesin. Agjencitë e qeverisë të pushtetit qendror dhe vendor janë të angazhauar seriozisht në këtë reformë, por duhet të njohin dhe të pranojnë se kjo është dhe më e vështira. Ne të gjitha përpjekjet e individit, ai vështirësitë më të mëdha i gjen në vehten e tij. Në këtë kontekst, përballja me veten është dhe përballja më e vështirë për individin. Në këtë kontekst, reforma regullatore është reforma më e vështirë për administratën sepse është përballje me vetveten. Në këtë reformë duhet të luftojmë me praktikat burokratike dhe të mundimshme që ajo ka instaluar, duhet të pranojmë se ato praktika duhet të zëvendësohen me praktika të lehta shumë më të përshtatshme dhe të shpejta.
Administrata duhet të pranojë të njohë se sa të mundimshme janë për biznesmenin por edhe për qytetarin, zvarritjet e saj dhe mbi të gjitha çfarë çmimi të tmerrshëm kanë këto zvarritje, mbi biznesin, mbi parashikimin dhe programimin e tij.
Në rast se do të binim dakort se koha është njësia më e çmuar se të gjitha të tjerat, atëherë do të binim dakort se kjo reformë është reformë e të gjitha reformave. Asgjë nuk përcakton suksesin e thithjes së investimeve, e realizimit të investimeve, sesa konsolidimi i standarteve dhe praktikave të thjeshta të qarta të shpejta, për veprimtarinë e biznesit. Është konsideruar revolucion instalimi i praktikës ONE Stop Shop, por është absolutisht i domosdoshëm që krahas saj me shpejtësi të madhe të shkurtohen në maksimum të gjitha afatet e lejeve, licensave, kushtet burokratike të panevojshme.
Administrata është e angazhuar në këtë betejë, duke luftuar me veten e saj. Dhe kjo është lufta më e vështirë e njeriut, i cili në konceptin më të mirë duhet të tejkalojë veten cdo ditë, në rast se do të qëndrojë me suksesin. Në këtë kontekst, roli i biznesit, këshilla e biznesit, presioni i biznesit, ekspertiza e përfaqësuesve të biznesit është e pazëvendësueshme , ndaj dhe unë ju ftoj ju të sugjeroni praktikat më të mira që ju njihni, duke ju garantuar se qeveria ka vullnet të plotë për instalimin e tyre të shpejtë. Nuk do të zgjatem më shumë, por dua tu siguroj se këtë reformë e konsideroj më të vështirën, më të rëndësishmen dhe se do të këmbëngul në avancimin e saj, sikundër jemi të hapur të pranojmë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, për të vendosur praktikat më lehtësuese të mundshme për ju, për ortakët tuaj, për biznesmenët shqiptarë dhe të huaj."
Pas diskutimeve me përfaqësuesit e biznesit të pranishëm në mbledhje, Kryeministri u shpreh: "Një nga konkluzionet e këtij takimi është se duhet të përshpejtohen afatet, si rruga më e sigurtë për të hapur më shumë hapësirat e biznesit. Edhe njëherë ministritë dhe agjencitë duhet që çdo rregullore ta shqyrtojnë për të përcaktuar afatet më të shkurtra të mundshme. Kjo është domosdoshmeri. Së shpejti do të instalohet ONE Stop Shop, por suksesi më i madh do të jetë atëherë kur ne do ta aplikojmë këtë për licensat, duke mundësuar kështu lehtësira shumë më të mëdha për biznesin.
Është e domosdoshme që Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë krahas kërtyre masave të nisë punën për paketën e insentivit.
Nuk mund të flasim këtu për kulaç dhe kërbac. Në konceptin tim më të thellë dhe në bindjen time ligji është interesi jetik i biznesit dhe tregut, por përsëri mbetem i bindur se insentivët janë të domosdoshëm sepse me insentiv të formave nga më të ndryshme me të cilat financat nuk janë kurrë dakort, por janë absolutisht në favor të tyre, mund të arrihen qëllime të caktuara dhe është shumë normale që në një process zhvillimi të përcaktosh qëllimet, të përcaktosh prioritetet.
Ne arijme në një stad të ri me të cilin uroj që rritja ekonomike të njohë nivele shumë më të larta se sat ë arritura deri tani. Sot kjo rritje ekonomike shënon 6 %, por duhet të synojmë që të arrijë 12 %"