E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Buxheti i dytë suplementar, dëshmi e rezultatit të reformave

- Buxheti i dytë suplementar, në mbështetje të biznesit, rritjes së rrogave dhe pensioneve dhe të projekteve prioritare të vendit

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se tashmë qeveria po bën realitet buxhetin suplementar për vitin 2007 dhe kjo është dëshmi e rezultatit të reformave. Në sajë të rritjes ekonomike dhe të performancës më të mirë fiskale, theksoi Kryeministri, bëhet e mundur që nga ky buxhet, rreth 150 milionë lekë t'i kthehen sërish biznesit në ulje taksash dhe 200 milionë të tjera të shpërndahen në projektet më prioritare të vendit, rrugë, ura, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, etj.

"Është viti i dytë në historinë e vendit që një qeveri del me një buxhet suplementar, buxhet që vjen kryesisht nga rritja ekonomike, lufta kundër kontrabandës, lufta kundër evazionit fiskal, lufta kundër korrupsionit. Bazuar në këta faktorë të marrë së bashku, me gjithë uljen drastike që ne bëmë vitin e kaluar për taksat, për sigurimet shoqërore, u bë sërish e mundur që vendit t'i paraqitet në fund të muajit qershor një buxhet i dytë. Kjo është një dëshmi e rezultatit të reformave, e punës me përkushtim të administratës", u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se "ky buxhet krijon të gjitha kushtet për të përmbushur detyrimin shoqëror ndaj punonjësve të administratës shtetërore dhe pensionistëve. Ai mundëson konsolidimin e mëtejshëm të imazhit social, të politikës sociale, të shtetit social. Mbi bazën e tij po përllogaritet rritja e ndjeshme e rrogave, duke u interesuar natyrisht më shumë për arsimin, shëndetësinë, rrogat e ulëta, policinë, ushtrinë, për rritjen e pensioneve, si dhe sektorët e tjerë".

"Këtë vit, rrogat e larta nuk do të përfitojnë rritje, sepse ato përfitojnë nga ulja e tatimit mbi të ardhurat, ndërsa pjesa tjetër do të ketë rritje të ndjeshme, rritje realisht domethënëse. Sapo të përfundojnë përllogaritjet do të jeni ju, mediat, që do të jepni të parët lajmin e rëndësishëm të rritjes së rrogave, të rritjes së pensioneve", nënvizoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›