E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shoqëria civile, shtyllë e rëndësishme e demokracisë në vend

Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, ku u prezantua raporti vjetor i AMSHC. Kryeministri vlerësoi rolin e shoqërisë civile në Shqipëri si jetike për shoqërinë shqiptare në tërësi dhe për funksionimin e demokracisë në vend. Kryeministri u ndal në disa aspekte të kontributit dhe angazhimit të shoqërisë civile dhe kërkoi mbështetjen e donatorëve për të, në përmbushjen e këtij misioni.

Edukimi qytetar, solidariteti dhe vullnetarizmi, lufta kundër korrupsionit u vlerësuan nga Kryeministri si disa nga fushat, ku angazhimi i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm. Qeveria, - tha Kryeministri - ka bërë një përpjekje shumë të madhe. Por asgjë nuk është më e rëndësishme se zëri i ndershëm e neutral i shoqërisë civile në luftën kundër tij.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ky takim është një rast për mua të shpreh nderimin tim më të thellë për të gjitha organizatat e shoqërisë civile më Shqipëri, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë dhënë e japin në të gjitha problemet madhore të shoqërisë shqiptare, t’u shpreh mirënjohjen për përkushtimin e madh që dëshmojnë, t’i falënderoj donatorët për bujarinë e tyre në mbështetjen dhe sponsorizimin që i kanë dhënë veprimtarive shumë të rëndësishme të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri dhe t’ju garantoj se, krahas vlerësimit shumë të madh që qeveria ka për punën tuaj, ajo është e vendosur të rrisë ndjeshëm mbështetjen ndaj jush si shareholder në shoqërinë shqiptare, por edhe si shtyllë ndër më të rëndësishmet të demokracisë së këtij vendi.

Në vlerësimin real të rolit tuaj nuk mund të mohohet se në funksionimin e çdo demokracie është edhe shoqëria civile. Roli i saj është i pazëvendësueshëm. Think-tank-et e shoqërisë civile kanë një dallim nga katedrat dhe departamentet e universiteteve. Dallimi është se këto Think-tank-e janë më tokësore dhe më pak akademike. Jo se akademikja është qiellore, përkundrazi, por akademikja është e detyruar të ndjekë akademikët, ndërsa këta ndjekim me përkushtim të madh pulsin, ndjesitë e pjesës më në nevojë të shoqërisë, të problemeve më të mprehta, aty ku lindin.

Ju mblidhni këtë Konferencë për një çështje shumë themelore, për të cilën, në tërësi, shoqëria shqiptare ka nevojë jetike. Shoqëria shqiptare, në tërësi, vuan për fuqizimin e saj dhe ky është vullnetarizmi. I degraduar në të shkuarën në disa forma absurde, ky term fisnik humbi eufoninë e tij, ndërkohë që është i pazëvendësueshëm për një shoqëri dhe e bën një shoqëri më të njerëzishme. Unë jam mjek, kam kaluar dekada në spitale dhe shkoj sërish atje, por është një spital, ku unë impresionohem më shumë se kudo tjetër dhe ky është spitali i motrave të Nënë Terezës, të cilat derdhin lumenj djerse mbi parimet më njerëzore të vullnetarizmit. Ne shqiptarët kemi një bazë të shkëlqyer, ndër më solidet, të vullnetarizmit dhe këtë bazë, ne e kemi në solidaritetin e shkëlqyer, të lartë familjar. Askund si në Shqipëri ose pak kund sa në Shqipëri, anëtarët e familjes lehtësojnë njëri-tjetrin, i shërbejnë njëri-tjetrit, ndihmojnë njëri-tjetrit për t’i lehtësuar sëmundjet, vështirësitë ekonomike e të gjithanshme. Kjo përbën e ka përbërë një nga faktorët më kryesorë të zbutjes e zvogëlimit të dhimbjeve të pashmangshme të reformave dhe tranzicionit në këtë vend. Tani është e domosdoshme që këtë traditë të shkëlqyer, këtë solidaritet të madh familjar që ne kemi ta eksteriorizojmë, ta projektojmë bashkërisht në mbarë shoqërinë tonë. Ju dhe vetëm ju jeni vektorët më të sigurt. Ju jeni organizatat, njësitë më të shkëlqyera për ta organizuar këtë. Ne kemi nevojë dhe do duhet të bëjmë gjithçka që të ndajmë dashurinë tonë, të ndajmë shërbimin dhe përkushtimin tonë me ata që janë në nevojë. Numri i tyre është jo i vogël dhe natyrisht, lidhet me të ardhurat dhe jo vetëm me to. Ju e keni të qartë se kjo është komplekse.

Dua të ndalem edhe në disa aspekte të tjera. Vullnetarizmin duhet ta konsiderojmë një faktor jetik për të edukuar shoqërinë shqiptare. Të marrë në individë, e marrë në familje kemi tiparet, virtytet, pluset e minuset tona. Në shoqëri kemi probleme, të cilave duhet t’u japim zgjidhje. Një javë më parë, unë isha me një grup fëmijësh të quajtur vullnetarët e ujit. Ata bënin përpjekje për të edukuar shoqërinë tonë në mirëpërdorimin e ujit. Një përpjekje kjo jashtëzakonisht e rëndësishme. Më mbeti pa jua treguar një rast dhe po e rrëfej këtu. Një mik me të cilin kam punuar shumë vite, tani është jashtë dhe i rastisi të punojë me një nga personalitetet e shquara të atij vendi. Një natë, më tha, më mori mik në shtëpinë e tij. Të nesërmen në magjes, u ngrit të lahej dhe për të kursyer ujin vuri shtupën në lavaman dhe u la. Dhe ai ishte një milioner. E dhashë këtë shembull, se ne kemi nevojë të kontraktojmë disa qëndrime të reja. Ne kemi një shoqëri civile vibrante në fushën e mjedisit dhe unë e përshëndes atë për zërin që ngre dhe avokatinë që bën. Ne kemi shumë nevojë për të, por kemi nevojë për një vullnetarizëm të gjerë, masiv, në mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që shoqëria të ketë një edukatë tjetër e një qëndrim të ri. Atë qëndrim që mbajmë në shtëpi ndaj normave të pastërtisë, ta nxjerrim në rrugë e sheshe, ta dëshmojmë kudo. Shkollat janë institucione që duhet të punojnë shumë, por puna juaj është e pazëvendësueshme, sepse ju e keni më të zhvilluar se të tjerët ndjenjën e vullnetarizmit, keni ekspertizën më të madhe.

Unë u ndala në disa aspekte. Por të flasim për korrupsionin. Qeveria ka bërë një përpjekje shumë të madhe. Ju mund të imagjinoni një vend që kishte një nga treguesit më të ulët në botë për përdorimin e internetit dhe bëhet vendi i parë në botë në prokurimet elektronike. Dëshmi kjo e një vullneti, pasi të tjerët mund të bëheshin shumë herë para nesh. Apo në praktika të tjera. Por sërish ka korrupsion. Asgjë nuk është më e rëndësishme se zëri i ndershëm e neutral i shoqërisë civile në luftën kundër tij. Është jetik. Unë jam në kontakt me ekspertët më të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe në mënyrë të përsëritur, ata më njohin me rezultatet e mëdha në Gjermani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo, të angazhimit të shoqërisë civile në luftën kundër tij. Përse nuk nxjerrin mediat të parat, të cilat unë i përshëndes, por shoqërinë civile? Sepse shoqëria civile e bën atë jo me partipri, e bën në mënyrën më objektive, e bën këtë luftë më të besueshme. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ta bëjë këtë, në çdo komunë, në çdo bashki, në çdo drejtori, në çdo qelizë të funksionimit të kësaj administrate. Në rast se duam të krijojmë një vetëpërmbajtje – genet e babëzisë janë genet më fatkeqe të njeriut, të cilat ai i ka – me edukim e përpjekje të përbashkët, ne e bëjmë atë më të vetëpërmbajtur. Askush nuk mund ta bëjë më mirë se ju. Askush nuk mund ta bëjë më mirë se shoqëria civile, transparencën e plotë të asaj që ndodh. Askush nuk mund të kërkojë më me të drejtë se ju, transparencën e çdo akti qeveritar, administrativ në vend. Unë kam besim të madh se, në këtë stad të zhvillimit të vendit, shoqëria civile do të fuqizohet dhe do të përmbushë misionin e saj jetik për një demokraci. Nuk ka demokraci pa një shoqëri civile vibrante, sikundër nuk ka pa media të lira. Ndaj unë u bëj thirrje donatorëve, bujarisë së tyre, të ndihmojnë shoqërinë civile. Sidomos në këtë periudhë. Një periudhë krize, ku secili e ka më të vështirë vendimin për bujari. Por të mos harrojmë se bujaria dhe ndihma ndaj tyre është një ndihmë shumë  madhe, shumë e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, për ta bërë atë më transparente, më njerëzore e më të lirë.”  


11/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›