Kryeministri Berisha: Suksesi i reformës së pronësisë, kushti më themelor për suksesin e qëndrueshëm të reformave të tjera

- Kryeministri Berisha: Transparenca dhe paanësia, dy shtylla kryesore në procesin e verifikimit të titujve të pronësisë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në një takim të zgjeruar me prefektët e vendit, për të diskutuar dhe ndarë detyrat, në zbatim të ligjit “Për verifikimin e titujve të pronësisë.”
Në këtë mbledhje e cila u drejtua nga Zv/Kryeministri, zoti Genc Pollo, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e titujve të pronësisë, merrnin pjesë prefektë, anëtarë të Komisionit Qendror të rivlerësimit të titujve të pronësisë, si dhe ministra të kabinetit qeveritar.
Zëvendëskryeministri Pollo në fjalën e tij, u shpreh se ky takim i jep nismën një procesi shumë të rëndësishëm, tashmë të organizuar mbi një bazëligjore që është ligji për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili u miratua në Kuvend, në korrik të këtij viti. Zoti Pollo u shpreh se ky proces synon të rishikojë me lupën e këtij ligji të gjitha abuzimet që kanë ndodhur me ligjin 7501 dhe me ligje të tjera, në ndarjen e tokës.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha e cilësoi çështjen e verifikimit të titujve si një nga problemet më madhore të vendit. Duke inkurajuar prefektët në marrjen e detyrës së re që parashikon ligji, Kryeministri theksoi se kontributi i tyre në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm. “Në tërësinë e detyrave shumë të rëndësishme që ju keni, ju siguroj se kjo detyrë e re që ju jep ligji, verifikimi i titujve është detyra e të gjitha detyrave, më e rëndësishmja e juaja, është problemi realisht më madhor i vendit. Është çështja, zgjidhja e së cilës do ti japë përgjigje përfundimtare, pronësisë në Shqipëri.”
Duke vënë në dukje se çështja e pronësisë, është çështje e rendit qeverisës, Kryeministri theksoi se ky rend dhe ky sistem që bazohet në pronën private nuk mund të gjejë stabilitetin e tij pa zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronësisë.
Kryeministri solli në vëmendje se nga tetë vitet pararendëse, Shqipëria trashëgoi një kaos të vërtetë të dokumentacionit mbi pronën, i cili e komplikoi së tepërmi çështjen e titujve. “Ne trashëguam nga tetë vitet e shkuara shkallën më të lartë të ekstralegalitetit në Evropë dhe ndoshta në botë. Të gjitha këto komplikuan në mënyrë ekstreme çeshtjen e titujve.Fabrika e falsifikimit të dokumenteve funksionoi në mënyrë tmerrësisht të dëmshme për titujt e pronësisë.”
Duke garantuar se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për ti dhënë përgjigjen e duhur këtij problemi, Kryeministri theksoi se nuk do të lejohet më, që praktika abuzive nga zyrtarë të pandërgjegjshëm të pengojnë ecjen përpara të këtij procesi.
“Kaosi për titujt është i lidhur me falsifikimin gjigant që i është bërë titujve, para së gjithash nga njerëz të pushtetit. Mëkatarët e mëdhenj janë pushtetarët e te gjitha niveleve, të cilët bënë çdo gjë për tu titulluar për vete, diku me 5 apo me 10 hektarë, për raste të caktuara edhe me 100 hektarë toka që su kanë përkitur kurrë. Mëkatarët e titujve janë pushtetarët e të gjitha niveleve, të cilët shitën në kundërshtim me të gjitha ligjet toka për të mbushur xhepat e tyre.”
Kryeministri kërkoi nga strukturat përkatëse pajisjen e të gjithë pronarëve me dokumentacionin e duhur, i cili në shumë raste mungon në mënyrë flagrante. “Janë rrethe të tëra në të cilat nuk gjendet asnjë dokument. Nuk kanë as dokumentet e shtëpisë ku i ka lindur gjyshi dhe stërgjyshi. Sigurisht që shtëpia nuk vihet në diskutim, por ai do të pajiste me dokumenta. Ne jemi një shtet modern. Ne po vijmë në moshën digjitale. Nuk mund të pranojmë që të tjerët të mos kenë titullin e pronësisë së shtëpisë së tyre. Ne do ti pajisim ata, do ti pajisim me drejtësi, me transparencë.”
Në këtë kontekst, kryeministri shtroi si nevojë urgjente digjitalizimin e procesit të rivlerësimit të titujve, si shërbimi më i mirë, i cili garanton transparencë të plotë.
Ndër të tjera, Kryeministri kërkoi nga prefektët zhvillimin e konsultave të gjera në komuna, bashki, lagje si dhe aktivizimin e ekspertëve më të mirë.
Duke theksuar se suksesi i reformës së pronësisë është kushti më themelor për suksesin e reformave të tjera, Kryeministri nënvizoi se çelësi për mbarëvajtjen e këtij procesi është paanësia që duhet të dëshmojnë prefektët.
“Detyra që ju merrni ka një sekret të suksesit të saj. Ju lutem të përqendroheni tek kjo . Është paanësia juaj. Është vendimi juaj i paanshëm. Do ta përmbushni me dinjitet të madh dhe sukses të plotë këtë mision, në rast se do të keni një qëndrim të hekurt dhe të paanshëm. Që në momentin që do të bëni anësimin më të vogël, ju garantoj,se fati i secilit që mban anën në këtë proces është vetëm një, rrokullisja.”
Kryeministri tha se është e rëndësishme që prefektët të mos bien pre e njerëzve me pushtet, të cilët mund të bëjnë presione, me qëllim përfitimin e favoreve të paligjshme. “Do tu bjerë rasti të përballeni me njerëz me pushtet me njerëz që kanë ofiqe, apo të tjerë që i kanë patur ato në të kaluarën. Do tu bjerë rasti të përballeni me presione nga më të ndryshmet. Unë ju garantoj se keni të garantuar suksesin në qoftë se qëndroni të paanshëm dhe të vendosur në këtë proces. Njëanshmëria e parë komprometon të gjithë mundësinë tuaj.”
Kryeministri theksoi ndër të tjera se përveç mbajtjes së një qëndrimi të paanshëm, një kusht tjetër themelor është transparenca e cila duhet ta shoqërojë hap pas hapi zhvillimin e këtij procesi.
“Veproni në mënyrë transparente. Publikoni çdo ditë në faqe e internetit, pasi do të keni një të tillë, të gjithë veprimtarinë tuaj, sepse praktikisht në punën tuaj është vlerësimi i miliarda dollarëve apo eurove pasuri, ndaj dhe duhet ti afishoni. Të gjitha vendimet tuaja, duhet të jenë publike, çka do të thotë se duhet ti ndërrmirrni me një meditim të thellë, me një argument dhe dokumentacion të pakundërshtueshëm. Nëse ju përcaktoni paanësinë dhe transparencën, si shtylla kryesore të veprimtarisë suaj , do të mund ti bëni vendit një shërbim të jashtëzakonshëm.”
06/10/2008