Kryeministri Berisha dënon përpjekjet monstruoze që po bëhen për rehabilitimin e “Hitlerit” të shqiptarëve
Kryeministri Berisha i cilësoi sot gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si ç`njerëzore dhe të turpshme përpjekjet që po bëhen për rehabilitimin e “Hitlerit” të pasluftës së Dytë Botërore, diktatorit më mizor të shqiptarëve, Enver Hoxhës.
Kryeministri theksoi se po bëhen përpjekje monstruoze dhe të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë figurën më gjakësore që shqiptarët kanë njohur në të gjithë historinë e tyre, në një kohë kur vendi po bëhet partner gjithnjë e më i besueshëm për aleatët perëndimorë dhe është në prag të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO.
Të përligjësh sot këto veprime, u shpreh Kryeministri Berisha, është një krim i shëmtuar i ri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Përpjekjet për të kremtuar 100-vjetorin e diktatorit janë përpjekje për të përligjur terrorin, barbaritë, skllavërinë dhe izolimin që ai vendosi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi një distancim të prerë të drejtuesve të Partisë Socialiste nga procesi i rehabilitimit të figurave të diktaturës më të egër që kanë njohur shqiptarët në gjithë historinë.
Gjatë fjalës në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot desha të ndalem në një çështje morale dhe ligjore shumë të madhe. Në një kohë kur Shqipëria po bëhet një partner gjithnjë e më i besueshëm për aleatët perëndimorë, në një kohë kur reformat e Shqipërisë po marrin një vlerësim gjithmonë e më pozitiv nga partnerët dhe aleatët miq tanë perëndimorë, në një kohë kur jemi buzë anëtarësimit në NATO, në mënyrën më anakronike, më të papranueshme dhe më të dënueshme po bëhen përpjekje për rehabilitimin e “Hitlerit” të pasluftës së Dytë Botërore, po bëhen përpjekje të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë figurën më gjakësore që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, Enver Hoxhën.
Duke shfrytëzuar faktin se një gjeneratë e tërë tashmë u rrit pa i njohur pasojat e tmerrshme të regjimit të tij, bëhen përpjekje që ta paraqesin atë tjetër nga ç`ishte, apo të përligjin barbaritë e tij ndaj shqiptarëve. Këto përpjekje nuk janë më të kamufluara, janë të hapura.
I kërkoj kryetarit të Partisë Socialiste të lërë mënjanë të gjithë problemet e tij me të shkuarën. Problemet e tij personale me të shkuarën nuk mundet kurrë të pasqyrohen në të sotmen dhe në të ardhmen e këtij vendi. Loja me diktatorin, figurën më barbare, personalitetin më mizor të historisë tonë kombëtare është një dhunim i dytë që u bëhet shqiptarëve, vuajtjeve, persekutimit dhe lëndimit të tyre. Enver Hoxha ishte diktatori më mizor që Europa ka njohur ndonjëherë. Ai vuri në ndjekje, persekutim, internim, burgim dhe ekzekutim së paku ¼ e këtij kombi, vuri nën terrorin më të zi dhe më të egër kombin në tërësi vendosi sistemin skllavërues më të tmerrshëm që kanë njohur shqiptarët 4 mijë vitet e fundit. Ai mbuloi vendin me terrin më të thellë të izolimit në tërë historinë kombëtare.
Të përligjësh sot këto veprime është një krim i shëmtuar i ri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përpjekjet për të kremtuar 100-vjetorin e diktatorit janë përpjekje për të përligjur terrorin, barbaritë, skllavërinë dhe izolimin që ai vendosi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kërkoj në mënyrën më të qartë distancimin e prerë të krerëve të PS-së ndaj këtij procesi sepse në dialektikën që ata i besojnë nuk ka shqiptar që nuk e di që butonat e ekranit të televizionit ku u shfaq gruaja më mizore që shqiptarët kanë patur në të gjitha kohërat në pushtet, ndodhen në zyrën e kryetarit të Partisë Socialiste, për të mos përmendur largimin nga seanca parlamentare e deputetëve të majtë për të ndjekur poshtërimin që u bëhej shqiptarëve nga një grua, e cila ka qenë bashkëautore e të gjitha krimeve monstruoze të burrit të saj, e cila edhe pas vdekjes së burrit nëpërmjet kukullave të kontrolluara si Ramiz Alia, që e kishte bashkëautor në krime, nga firma që kishte vendosur për ekzekutimin e 27 intelektualëve për bombën në Ambasadën Sovjetike , gjer tek qindra lidhje e krimeve të dyshimta me njëri-tjetrin, kontrolloi Shqipërinë deri në tetor të 90-ës.
Ishte kjo klikë që ndërmori ekzekutimet më të mëdha në kufijtë e Shqipërisë në vitet 90, ishte kjo klikë dhe kjo bandë që urdhëroi zvarritjen në qytetet e Shqipërisë të burrave dhe grave, të djemve dhe vajzave që kërkuan të gjejnë lirinë duke u larguar nga Shqipëria. Ishte kjo klikë që tani përpiqet në 100-vjetorin e mizorit, e barbarit të ridimensionojë figurën e tij. Enver Hoxha përbën kapitullin më të zi të historisë tonë kombëtare, nga e cila ne duhet të ndahemi dhe do ndahemi, por të tentosh të përligjësh, të angashosh mediat, të shpërndash nëpër Shqipëri të deleguar dhe mesazherë në 100-vjetorin e këtij personi që ka kryer krime të egra kundër njerëzimit, është një krim i shëmtuar ndaj shqiptarëve.
Është e vërtetë që Sadami vrau me gaz qytetarët e tij, por është e vërtetë që Enver Hoxha përveç burgjeve dhe kampeve, vrau qindra mijëra shqiptarë të tjerë në sistemin skllavërues kolektivist të vendit.
Kjo është përpjekja më ç`njerëzore, më monstruoze që mund të bëhet. Ju ishit dëshmitarë se si u boshatis parlamenti dhe kishin zgjedhur natën e Bajramit për të nisur procesin, i cili është një procesion i turpshëm. Unë desha të denoncoj këtë akt, këtë përpjekje të përbindshme e të paimagjinueshme.
06/10/2008