Kryeministri Berisha: TEC-i i Vlorës, projekt jetik, për Vlorën, Bregun dhe të gjithë Shqipërinë
Në vijim të vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës.
Duke falënderuar punëtorët dhe drejtuesit e firmës ndërtuese, për punën e bërë, Kryeministri vlerësoi faktin se ky projekt i rëndësishëm po përparëson me shpejtësi. “Ky projekt jetik për Vlorën turistike, Vlorën industriale, bregun e Shqipërisë, por edhe për vendin po ecën me shpejtësi. Është vendosur gjeneratori, janë në vendosje e sipër turbina, kaldaja, pra një vepër industriale prej rreth 90 milion euro apo 110 milion dollarë. Dua të përgëzoj me këtë rast kompaninë dhe punëtorët për punën shkëlqyer.”
Kryeministri i kërkoi përfaqësuesit të firmës ndërtuese që vepra të përfundojë në fund të prillit, dy javë përpara afatit real të parashikuar në maj, afat që përkon edhe me fillimin e fushatës elektorale.
Në bashkëbisedimin me punonjësit e firmës, kryeministri i cilësoi ata si përfaqësues të njerëzve që ndryshojnë Shqipërinë dhe jo pjesëtarë të mitingjeve që manipulojnë të vdekurit për qëllime politike. “Ata nuk bëjnë mitingje për të manipuluar të vdekurit , por ndërtojnë hidrocentrale. Ky është dallimi. Këta janë vektorë të ndryshimit të Vlorës dhe të Shqipërisë.”
Kryeministri i bëri thirrje opozitës që të ndryshojë kursin e politikës së saj të deritanishme sepse kjo është në të mirë të mbarë vendit.
“Siç e shihni kjo qeveri është e angazhuar në ndërtime universitetesh, autostradash, termocentralesh, parqe industriale dhe vepra të mëdha në të gjithë vendin. Përballë kësaj është opozita e mitingjeve për të ekzekutuar të vdekurit. Është makabritet i vërtetë. Uroj që ky kurs të ndryshojë vërtetë sepse është në interesin më të mirë të vendit. A mund tu kundërvihet kush autostradave me katër korsi, termocentraleve që reduktojnë në 1/3 e importit të energjisë ne vend? Parqet industriale që do të punësojnë me qindra vetë, universiteteve që po dy dhe trefishojnë numrin studenteve ?"
Pyetjes se si e shpjegoni faktin që keni marrë kritika nga ndërkombëtarët dhe opozita por edhe nga brenda grupit dhe aleatët tuaj, kryeministri Berisha iu përgjigj: “Ne tashmë kemi dalë nga bota hekurosur në botën e diversitetit. Dhe kjo është merita e demokracisë. Sigurisht që kritikat bazohen në diversitetet, monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri, as unë as askush tjetër.”
Për sa i përket interesimit lidhur me vonesat në ndërtimin e rrugës transballkanike, Kryeministri komentoi:” Ka një problem shumë të serioz bashkia që nuk po merr përsipër të gjitha detyrimet që ka. Nuk e kuptoj këtë qëndrim. Qeveria ka dhënë të gjitha fondet. Në rast se do të vazhdohet me këtë qëndrim do të detyrohemi të përdorim prerogativa të tjera.”
18/10/2008