E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimet në arsim, detyrim madhor për qeverinë shqiptare

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin punimeve të shkollës 9 -vjeçare në komunën e Novoselës, në Vlorë, investim me vlerë 88 milion lekë.

Në përshëndetjen e tij, drejtuar nxënësve dhe mësuesve të shkollës, kryeministri Berisha i falënderoi ata për ftesën e bërë në këtë ditë të shënuar për komunën. Kryeministri tha se shkolla e re që do të hapë dyert për këta nxënës është e standardeve më të larta evropiane, ashtu siç e meritojnë fëmijët e mrekullueshëm shqiptarë.

“Shpreh falënderimin tim për ftesën që më bëtë për të ndarë gëzimin e madh të kësaj shkolle të re që ne inauguruam për fëmijët tuaj. Kjo shkollë, siç e dini është e standardeve më të mira, është e atyre standardeve që fëmijët tuaj e meritojnë plotësisht, sepse shkollat që ne ndërtojmë për fëmijët tanë e kemi detyrë të parë, të investojmë është detyra jonë më madhore që ta të shkollohen në shkollat më të mira kudo që ndodhen, në Novoselë, në Shëngjergj, kudo që banojnë, dhe ne këtë po e bëjmë. Ju jeni dëshmitarë që kjo shkollë qëndron me dinjitet të madh jo vetëm në Vlorë, Fier apo Tiranë , por në çdo qytet të Evropës. Kjo shkollë është fytyra e vërtetë evropiane e Novoselës. Kjo shkollë i përgjigjet imazhit të bukur të fëmijëve tuaj.”

Duke i cilësuar përpjekjet për arsimin si detyrimin më madhor të qeverisë shqiptare, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë të gjitha investimet e duhura në këtë sektor, e bindur se është investimi më i mirë për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi.

“Unë dua tu përgëzoj ju, të përgëzoj fëmijët tuaj, të përgëzoj mësuesit dhe mësueset e kësaj shkolle, ti siguroj ata se qeveria ime është e vendosur që të bëjë investimet më të mëdha në arsim, që është investimi më i mirë për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Arsimi për ne do të jetë objektivi ynë më madhor. Çdo komb, çdo zhvillim e ka të qartë se arsimi është promotori i zhvillimit. Por ne shqiptarët kemi 2 arsye madhore. Ne jemi kombi më i ri, jemi kombi i shkollarëve, pra ne do të përqendrojmë resurset tona më shumë se kudo tjetër në arsim.”

Kryeministri u shpreh se këto përpjekje do të synojnë të zëvendësojnë kohën e humbur padrejtësisht nga rrjedha e historisë dhe diktatura shumëvjeçare.

“Ne jemi kombi më kohëhumbur. Diktatura , historia, nuk ka qenë e drejtë me ne , duke na imponuar humbje të tmerrshme kohe. Për të kapur kohën që kemi humbur  ne do të mund të fitojmë vetëm duke investuar në arsim, duke tejkaluar edhe fusha të tjera, duke synuar që në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, ne të realizojmë standardet më të mira. Katër vjet më parë ne kemi qenë katër herë më larg mesatares evropiane me studentë për frymë. Dikur kishim 14 studentë për 1000 banorë, ndërsa sot kemi 30 studentë për 1000 banorë. Së shpejti do të kemi 50 studentë për 1000 banorë.

Ne do të tejkalojmë mesataren evropiane. Ne kemi të rinj më shumë se cdo komb tjetrë, prandaj do të ndërtojmë shkolla, do ti bëjmë më moderne.”

Duke shprehur respektin më të thellë për mësuesit shqiptarë, Kryeministri u shpreh se qeveria e mbajti premtimin e dhënë për rritjen e rrogave të tyre, duke bërë që profesioni i tyre të jetë një profesion jo për tu braktisur, por për tu përkushtuar.

“Pas tre vjetësh çdo mësues dhe mësuese e këtij vendi, për të cilët unë kam respektin më të thellë, mund ti shoh drejt në sy sepse premtova që reformën në arsim do ta filloja me mësuesit, duke  vendosur atë në piedestalin që meriton. Rrogat e tyre janë si në asnjë vend tjetër të Evropës dhe të botës, të rritura me 75 %. Vitin tjetër do të dyfishohen, duke e bërë arsimin që profesion jo për tu braktisur, por për tju përkushtuar.”

Kryeministri tha se masat e ndërmarra nga qeveria për shtrirjen e internetit në shkollat e vendit kanë qenë të suksesshme dhe tashme navigimi në internet nuk do të jetë privilegj vetëm i nxënësve, por edhe i prindërve dhe gjyshërve të tyre

“Kompjuteri është një mjet që nuk njeh moshë. Unë ju garantoj se siç ju garantova tre vjet më parë se do të ketë internet në çdo shkollë. Unë e kuptoj se kjo sot u duket e largët për prindërit e tyre, por brenda tre viteve do të bëhet realitet.”

Kryeministri theksoi se të gjitha këto ndryshime të dukshme jo vetëm në Vlorë , por në të gjithë Shqipërinë, u bënë të mundura për shkak të reformave të thellë dhe serioze, si dhe të një lufte të ashpër dhe pa kompromis kundër korrupsionit.

“Të gjitha këto u bënë të mundura për shkak të reformave të mëdha dhe serioze, për shkak të luftës së egër që i kemi bërë korrupsionit. Ishte kjo luftë që bëri që Shqipria të ketë uljen më të madh të taksave në Evropë dhe realizoi në tre vjet 3. 2 miliard dollarë më shumë nga taksat dhe tatimet. Mbi të gjitha u bë e mundur të rriten me 54 % rrogat e punonjësve të administratës shtetërore, të rriten ndjeshëm pensionet në fshat dhe në qytet. Këto të ardhura, kjo luftë kundër korrupsionit bëri të mundur gjysëm miliard dollarë nga prokurimet publike, mbi 300 milion dollarë nga shpenzimet  e zyrtarëve në tre vjet. Këto që kemi arritur janë vetëm një stacion sepse ky është vend me pasuri përrallore dhe ju garantoj që bazat e hedhura lejojnë arritje shumë më të mëdha në vitet që vijnë.”

Kryeministri ftoi të pranishmit që qeverinë aktuale ta vlerësojnë nga premtimet e dhëna dhe ato të mbajtura.

“Nuk jam në fushat elektorale, por nuk mund të mos ju ftoj ju që Sali Berisha dhe qeverinë  e tij ta vlerësoni nga premtimet e dhëna dhe premtimet e mbajtura. Kjo është filozofia ime. Shkollat e reja, autostradat, universitete e reja, parqet industriale, ujësjellësat dhe TEC-et nuk mund të errësohen me propagandën e mitingjeve për të manipuluar vdekjen që  nuk ka ndodhur kurrë në historinë  e këtij vendi ashtu siç bëri opozita shqiptare 1 muaj më parë duke dëshmuar plotësisht se nuk njeh më asnjë lloj standardi, norme e kriteri. Nuk nguron para asgjëje për të mashtruar qytetarët. Ne do të vazhdojmë me këto vepra. Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e shkollave, parqeve industriale, autostradave, rrugë turistike.”


18/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›