Kryeministri Berisha: Të gjitha reformat e ndërmarra kanë si qëllim thelbësor krijimin e vendeve të punës për qytetarët, në çdo cep të vendit
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribë, një investim prej rreth 400 milionë lekë.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, përfaqësues të qeverisjes vendore, Kryetari i Komunës së Postribës e banorë të zonës.Duke uruar banorët e kësaj zone për këtë segment kaq të rëndësishëm rrugor, Kryeministri u shpreh se kjo rrugë dhe vazhdimi i saj, nga Prekali, Kiri drejt Shoshit, do t’i japë një gjallëri të madhe, të gjithanshme, njërës prej zonave më të bukura të vendit, Parkut kombëtar të Thethit dhe gjithë Dukagjinit.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se rruga lehtëson shumë daljen e prodhimeve bujqësore të zonës, në një nga tregjet më të mëdha të vendit, siç është tregu i Shkodrës, por para së gjithash, është një kusht themelor për krijimin e vendeve të punës.
“Të gjitha reformat tona, gjithçka ne ndërmarrim, kanë si qëllim thelbësor krijimin e vendeve të punës dhe punësimin tuaj”, u shpreh Kryeministri, duke sjellë në vëmendje faktin se, pavarësisht krizës ekonomike botërore, Shqipëria vet nuk ra në krizë, falë modelit të saj të suksesshëm ekonomik dhe ajo është vendi i vetëm në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por u ul në mënyrë progresive. “Papunësia po ulet në Shqipëri, sepse modeli i saj ekonomik është model që garanton rritje ekonomike, është model që garanton rritje prodhimi, rritje tregu, sepse në Shqipëri rritet fuqishëm, në mënyrë të pandërprerë, sektori privat”, vijoi Kryeministri.
Më tej, Kryeministri theksoi se është shumë thelbësore që të mbrojmë vizionin tonë, i cili ka bërë të mundur të gjitha këto ndryshime pozitive dhe ka realizuar të gjitha reformat e suksesshme në vend, duke theksuar se “qëndrimi tjetër, ai i opozitës, është një dhe vetëm një; “Bllok-bllokim -bllokator” dhe ai çdo gjë mund të jetë, por vetëm vizion nuk mund të quhet”.
Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribe, është realizuar me një investim rreth 400 milionë lekë. Kjo rrugë është e gjatë 15.4 km dhe shtrihet përgjatë luginës së lumit Kir. Rruga fillon në Urën e Mesit dhe përfundon në fshatin Prekal. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë drejtpërdrejt fshatrat Domen, Drisht, Ura e Shtrenjtë, Prekal, me rreth 2000 banorë. Nga kjo rrugë përfitojnë edhe banoret e komunave Pult, Shosh, Shale, të cilët e përdorin atë për t’u lidhur me qytetin e Shkodrës. Ky segment rrugor është faza e parë e rehabilitimit të rrugës së Dukagjinit. Rikonstruksioni i plotë i saj krijon mundësi aksesi më të shpejtë drejt parkut kombëtar të Thethit, si dhe nxit zhvillimin e turizmit malor të zonës. Rehabilitimi i këtij aksi rrugor do të ndikoje dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së banoreve, duke patur parasysh që është një nga zonat më të varfra të vendit.
Segmenti rrugor i rikonstruktuar Ura e Mesit – Prekal është e gjerë 5 m, me 4 m gjerësi asfalti, si dhe bankina. Në zonat e banuara janë ndërtuar trotuare. Rruga e është e pajisur gjithashtu me sinjalistikën e duhur vertikale dhe horizontale, mure mbajtëse, mbrojtje metalike në të gjitha pjesët e rrezikshme të saj, veprat e artit, etj.
Këto ditë do të fillojnë punimet për dy rrugë të tjera në këtë zonë: Rruga Prekal – Kir, investim prej 580 milionë lekë, 13 km e gjatë dhe rruga Boge – Qafë Thore, investim prej 510 milionë lekë, 11.5 km e gjatë.
Për periudhën 2005-2012, në Qarkun e Shkodrës janë realizuar një sërë investimesh, si më poshtë:
Janë ndërtuar mbi 800 km rrugë kombëtare dhe rurale, duke përfshirë: 425 km rruge lokale në komuna e bashki, 180 km rrugë kombëtare nga Drejtoria e Rrugëve, 195 km rrugë rajonale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Janë ndërtuar e rikonstruktuar 165 shkolla e kopshte, 120 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh dhe 94 Qendra Shëndetësore e Ambulanca. Në bujqësi, janë subvencionuar 1500 ha vreshta, ullinj, bimë are, sera, ose 30 herë më shumë së në vitet e qeverisjes së PS-së. Janë restauruar mbi 60 monumente të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror
Në fushën energjetike janë realizuar mbi 173 milionë euro investime, në përmirësimin e rrjetit elektrik, investime në sistemin energjetik, ku përfshihet veçanërisht nënstacioni i Koplikut, Vaut të Dejës, Bushatit dhe HEC-i i Ashtës.
Numri i bizneseve të rinj është rritur mbi 2 herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8550 biznese në vitin 2012.
Në përshëndetjen e tij për banorët e kësaj zone, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja Kryetare e Parlamentit,
zotërinj deputetë,
qeveritarë vendor,
zoti kryetar i Komunës
të dashur qytetarë e qytetare, banorë të Postribës!
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që inaugurojmë sot këtë rrugë, e cila lidh fshatrat e kësaj komune, Domen, Drisht, Ura e Shtrenjtë dhe shkon deri në Prekal, një rrugë prej 15.4 km gjatësi dhe që ka kushtuar rreth 400 milionë lekë. Kjo rrugë dhe vazhdimi i saj, nga Prekali, Kiri drejt Shoshit, do t’i japë një gjallëri të madhe, të gjithanshme, njërës prej zonave më të bukura të vendit, por që pa rrugë, pothuajse ishte gjysmë e ndaluar.
Atyre të cilët më thonë se, përse po shkon me investime rrugë drejt Dukagjinit, i ftoj të vijnë e të vizitojnë këtu fshatrat tuaja e të shohin se si ju keni mundur të qëndisni, me mundin dhe djersën tuaj, çdo pëllëmbë tokë dhe, jam i bindur, se do të gjejnë frymëzim të madh tek puna juaj, tek djersa juaj, te mundi juaj dhe te krijimet tuaja këtu, në këto toka jo të shumta, por të shfrytëzuara në mënyrë shembullore.
Sikundër, i bëj thirrje kryetarit të Komunës të udhëheqë nismën “që të gjithë buzë përrenjve dhe buzë lumit të kësaj zone, për të mbjellë arra e lajthi”, në mënyrë që të shtojmë të ardhurat. Ju e dini shumë mirë se çfarë kushtesh të shkëlqyera janë për arrat e lajthitë të gjithë këta buzë përrenj të pasur me ujëra.
Rruga që ne inaugurojmë sot lehtëson shumë daljen e prodhimeve tuaja bujqësore, në një nga tregjet më të mëdha të vendit, siç është tregu i Shkodrës. Rruga është një nxitje e madhe për ju që të krijoni sera diellore e të tjera, në mënyrë që të shtoni prodhimin, të nxisni bizneset aty ku ju jeni. Rruga është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, një kusht themelor për krijimin e vendeve të punës.
Të dashur qytetarë,
Të gjitha reformat tona, gjithçka ne ndërmarrim, kanë si qëllim thelbësor krijimin e vendeve të punës dhe punësimin tuaj. Familja dhe puna janë burimet më të mëdha të lumturisë, të begatimit të familjes, të individit, të shoqërisë në përgjithësi. Ndaj edhe ne jemi të përqendruar me përparësi absolute, në krijimin e vendeve të punës. Ashtu siç edhe ju dëgjoni çdo natë në TV e radio, këto vite kanë qenë vite të vështira, vite krize ndër më të thellat në 80 vitet e fundit për Evropën dhe pjesët e tjera të botës. Por këto vite, Shqipëria sigurisht që i ka ndier pasojat e kësaj krize, por nuk ra vet në krizë,. Shqipëria, ashtu siç thotë Komisioni Evropian, është vendi i vetëm në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por papunësia u ul në mënyrë progresive. Unë e di se sërish kemi të papunë dhe ata çdo vit ndjejnë dhimbje, qajnë me lot të ftohtë, me pikëllim, por nga ana tjetër, ekziston shpresa, sepse te ne nuk rritet papunësia, por ajo po ulet në mënyrë progresive.
Papunësia po ulet në Shqipëri, sepse modeli i saj ekonomik është model që garanton rritje ekonomike, është model që garanton rritje prodhimi, rritje tregu, sepse në Shqipëri rritet fuqishëm, në mënyrë të pandërprerë, sektori privat.
Le të marrim qarkun e Shkodrës: Shkodra kishte në vitin 2005 3480 biznese, ndërsa sot, Shkodra sot ka mbi dyfishin e tyre, 8550 biznese të regjistruara, pra ka të punësuar mbi dyfishin në bizneset e veta, krahasuar me ata që kishte të punësuar vite më parë.
Po kështu, ne nxisim tregun. Shqipëria turistike është realiteti me i ri e më i fuqishëm. Mos harroni se, në një verë, popullata jonë dyfishohet, tregjet dyfishohen, prodhimet tuaja shiten 2 herë më mirë dhe 2 herë më shumë.
Ne po ndërtojmë rrugë në të katër anët e vendit, po ndërtojmë në Dukagjin, por edhe në majën e Çajupit, po ndërtojmë në Valbonë, por po ndërtojmë edhe në Prespë, po ndërtojmë kudo. Në këto ndërtime në rrugë, në total mbi 10 mijë km, janë punësuar mijëra e mijëra punëtorë, inxhinierë e teknikë që kanë realizuar këto vepra. Ne po ndërtojmë në të katër anët e vendit ujësjellës, kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave të zeza, shkolla, etj. Në të gjitha këto punë publike, janë të punësuar mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë.
Ne ia dolëm të ndezim në vend garën më të madhe në historinë e një vendi për ndërtimin e hidrocentraleve. Nga mezi i viti 2007 e deri tani, qeveria ka dhënë me koncension, ka firmosur me sektorin privat, ndërtimin e 330 hidrocentraleve. Janë ndërtuar e rindërtuar deri tani 70 prej tyre. Në të katër anët e vendit, qytetarët shqiptarë, punëtorë, inxhinierë, teknikë, me dhjetëra e mijëra, punësohen në ndërtimin e këtyre veprave. Pra, ne përpiqemi të krijojmë vende pune kudo, në çdo skaj të vendit dhe këtë po e realizojmë.
Vëllezër e motra,
Rëndom mund të shtrohet pyetja se si ka mundësi që, në vende të tjera papunësia rritet dhe arrin në 30 për qind, si në vendet fqinje, kurse në Shqipëria ajo ulet në mënyrë progresive. Kjo është e mundur sepse modeli ynë ekonomik është një model suksesi. Ne kemi vendosur në Shqipëri një regjim me taksa të ulëta, sepse ne besojmë se paratë në xhepat tuaj, në kontot tuaja, janë më të vlefshme për shoqërinë sesa në kontot e qeverisë, sepse ju i ekonomizoni shumë më ë mirë, se ju me to krijoni vende pune, zgjeroni bizneset, se ju me to thithni investime të tjera. Ndaj dhe ne do të qëndrojmë fuqishëm në këtë model.
Modeli tjetër që kemi përballë është “taksa e Marksit”. Se çfarë i bëri Shqipërisë taksa e Marksit nuk mund ta harrojmë kurrë. Në një kohë kur na thoshin se jemi pa asnjë taksë, punonim si skllevër për shtetin diktatorial me taksa indirekte, 8 muaj të djersës sonë.
Ndaj, ju jeni vet të mençur. Po shkojmë drejt një fushate elektorale, drejt një fitoreje të re. Themelore është të mbrojmë vizionin tonë. Me këtë vizion, ne po ndryshojmë Shqipërinë, me këtë vizion ne kemi ndërtuar në këtë vend mbi 10 mijë km rrugë, nga vetëm 2430 km të asfaltuara që ishin në 2005-ën.
Me këtë vizion ne po i japim një shtytje të madhe prodhimit bujqësor. Në 3 vitet e fundit eksportet bujqësore janë 2 dhe 3 - fishuar. Me këtë vizion ne po ndërtojmë Shqipërinë turistike, ku nga 2004 deri më sot, numri i turistëve është rritur, nga 300 mijë, në 4 milionë e 10 mijë vitin e kaluar.
Me këtë vizion, ujërat e lumenjve të Shqipërisë që derdheshin pa vlerë e të fjetur në det, po shndërrohen në dritë, në energji për të gjithë shqiptarët dhe kjo është një arritje e madhe historike. Me këtë vizion, fëmijët tanë, për të cilët vetëm pak vite më parë interneti ishte molla e ndaluar, sot ata lundrojnë në internet në të katër anët e Shqipërisë, kudo ku ata janë me shkollat e tyre.
Me këtë vizion ne kemi ndezur garën e dijes dhe unë ju garantoj se do të jetë ajo dhe, para së gjithash ajo, promotori kryesor i shndërrimit të Shqipërisë në vend të zhvilluar mes vendeve evropiane.
Cili është qëndrimi tjetër: Ai është një dhe vetëm një; “Bllok-bllokim -bllokator” – “Bllok-bllokim-bllokator”. Çdo gjë mund të quhet, por vetëm vizion nuk mund të quhet. Kaq është e tërë filozofia e tyre, ky është gjithë qëndrimi i tyre. Por e vërteta është se, siç kanë faktuar këto 8 vite, Blloku, bllokimi ka luajtur më shumë se për këdo tjetër, për ata zotërinj që i ka mbajtur dhe do t’i mbajë në bankinë për shumë e shumë kohë.
Edhe njëherë, gëzuar rrugën!”
09/09/2012