E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: “Shqipëria e dijes” është vizioni ynë, për të cilin kemi bërë dhe po bëjmë përpjekjet më serioze

Në ditën e parë të viti të ri shkollor 2012, Kryeministri Berisha zgjodhi t‘i urojë gjithë nxënësit e Shqipërisë për një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm, nga shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja”, në Lezhë, një shkollë e re, e cila u inaugurua po sot nga Kryeministri.

Kryeministri Berisha, pasi preu shiritin e inaugurimit të kësaj shkolle, një investim prej 1.4 milionë euro nga buxheti i shtetit, vizitoi më pas klasat e saj, veçanërisht klasën e parë, ku përshëndeti vogëlushët që ulen për herë të parë në banka  dhe i uroi ata të ecin sa më lart në shkallët e dijes dhe të kenë sukses në këtë vit të parë të shkollës. Kryeministri vizitoi gjithashtu edhe kabinetin e informatikës dhe pa nga afër funksionimin e tij. Kryeministri shprehu vlerësimin për punën cilësore të bërë në ndërtimin e kësaj shkolle të re dhe pajisjen e saj me të gjitha ambientet dhe pajisjet e duhura shkollore, që krijojnë kushte optimale për një mbarëvajtje cilësore të mësimit.

Të pranishëm në ceremoninë e çeljes së ditës së parë të mësimit në këtë shkollë, ishin edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Prefekti i Lezhës, Kryetari i Bashkisë, deputetë të zonës, autoritete të tjera vendore e shumë prindër.  

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se sot, 560 mijë nxënës në mbarë vendin nisin garën më fisnike, më të rëndësishme të jetës së tyre, garën e dijes, duke i uruar ata që që të ecin gjithnjë e më lartë në këtë garë dhe të bëhen çdo ditë e më të dijshëm, në interesin e tyre, të familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Veçanërisht, Kryeministri uroi 36 mijë vogëlushët që hyjnë sot në klasat e para të vendit dhe që, këtë vit, kanë në dorë Abetaren e parë mbarëkombëtare në historinë e vendit.

“Shqipëri e dijes”, theksoi Kryeministri mbetet vizioni më i rëndësishëm i qeverisë dhe, në këtë kontekst, janë përpjekjet më serioze. Sot në mbarë vendin, në 71 për qind të gjithë shkollave të vendit, nxënësit ulen në shkolla të ndërtuara të reja apo të rindërtuara. Në të gjitha shkollat e Shqipërisë është shtrirë internetin dhe po pajiset ato me laboratorët më modernë. Gjithashtu, në këtë vizion të qeverisë për “Shqipërinë e dijes”, mësuesi është vendosur në një piedestal të lartë, duke u shpërblyer sot për punën e tyre me rroga 120 për qind më të mëdha se rreth 8 vite më parë.

Në përshëndetjen e tij të plotë, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur vogëlushë, nxënës e nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja”, ju uroj për inaugurimin e shkollës së re dhe fillimin e vitit të ri shkollor.

I nderuar zoti ministër,

Zotërinj deputetë,

Zoti Kryetar i Bashkisë,

 Zotërinj qeveritarë vendor

Është kënaqësi e madhe për mua që t’u uroj sot në këtë ditë, juve dhe gjithë fëmijëve, nxënësve dhe nxënëseve të Shqipërisë, rreth 600 mijë shkollarëve që ulen sot në bankat e shkollës. Të uroj me përzemërsi 36 mijë vogëlushët që hyjnë sot në klasat e para të vendit. Të përshëndes sot të gjithë mësuesit e mësueset e Shqipërisë që nisin vitin e ri shkollor, në kryerjen e misionit të tyre. Dua të përshëndes gjithashtu prindërit, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit e nxënësve shqiptarë, t’ju uroj të gjithëve një vit të ri shkollor të mbarë, plot shëndet e plot suksese.

Sot, rreth 600 mijë nxënës në mbarë vendin nisin garën më fisnike, më të rëndësishme të jetës së tyre, garën e dijes. Le t’i urojmë ata që të ecin gjithnjë e më lartë në këtë garë, le t’i urojmë ata që të bëhen çdo ditë e më të dijshëm, në interesin e tyre, familjeve dhe shoqërisë shqiptare.

Të dashur nxënës e nxënëse!

 Këtu në shkollë ju jetoni në kolektivitet dhe, pas shtëpisë, familjes, ju këtu keni vatrën e dytë më të ngrohtë të jetës suaj. Ndaj dhe ju ftoj të shprehim një mirënjohje të madh ndaj mësuesve të këtij vendi, ndaj këtyre misionarëve që shkrijnë gjithçka, të gjitha aftësitë e tyre, përkushtimin, talentin, për formimin e nxënësve të tyre.

 Të dashur qytetarë e qytetare të Lezhës e mbarë Shqipërisë!

 Shkollimi i fëmijëve është dhe mbetet dëshira më fisnike, sakrifica më e madhe, përkushtimi më i rëndësishëm i familjeve shqiptare, i shoqërisë shqiptare, i qeverisë shqiptare. Asgjë në jetën e një familjeje, në jetën e një fëmije, asgjë për një shoqëri, për një shtet e qeveri, nuk mund të ketë më serioze sesa shkollimi i fëmijëve të vendit, i fëmijëve të çdo familjeje. Ndaj kjo mazhorancë, në gjithë këto vite ka dëshmuar para jush e mbarë shqiptarëve përkushtimin e madh, ka dëshmuar se për të, arsimi është përparësia më serioze e saj. Dëshmi e këtij përkushtimi është edhe fakti që sot, në ditën e parë të shkollës, në qytetin dhe rrethin tuaj inaugurohen rreth 12 shkolla të rindërtuara apo të ndërtuara nga e para, me një investim që shkon mbi 500 milionë lekë.

“Shqipëria e dijes” është vizioni ynë dhe, në këtë kontekst, ne kemi bërë përpjekjet më serioze. Sot në mbarë vendin, në 71 për qind të gjithë shkollave të vendit, nxënësit ulen në shkolla të ndërtuara të reja apo të rindërtuara. Në të gjitha shkollat e Shqipërisë kemi shtrirë internetin dhe po i pajisim me laboratorët më modernë.

Ne, në vizionin tonë për “Shqipërinë e dijes”, kemi vendosur dhe vendosim në një piedestal të lartë mësuesit e mësueset e këtij vendi, të cilët sot shpërblehen për punën e tyre me rroga 120 për qind më të mëdha se sa i kishin në ardhjen tonë në pushtet. Asnjë vend, asnjë qeveri, nuk ka realizuar një rritje të tillë të shpejtë dhe unë jam i bindur se mësuesit tanë meritojnë më shumë dhe ne, më shumë do t’i rrisim rrogat e tyre, çdo vit e në vazhdim.

“Shqipëria e dijes” do të jetë Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria e cila do të vendoset krahas vendeve më të zhvilluara të Evropës e botës. Sot, ne ende nuk jemi një vend i zhvilluar, por sot ne kemi arritur vendet më të zhvilluara në disa nga treguesit e rëndësishëm të sistemit arsimor. Sot, në bankat e shkollës së mesme ulen mbi 91 për qind e të gjithë nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjecare. Në 1 tetor, në auditorët e universiteteve të vendit  do të ulen rreth 71 për qind e maturantëve tanë, tregues këta ndër më të lartit për vendet e zhvilluara. Sot, po rriten me shpejtësi vitet e arsimimit të shqiptarëve, po rritet me shpejtësi ndjekja e arsimit parashkollor nga vogëlushët tanë, njëlloj si në vendet më të zhvilluara. Në të gjitha shkollat e vendit ekzistojnë kabinetet e informatikës, ekziston interneti.

U ndala në këto fate për të dëshmuar edhe njëherë para jush, të dashur prindër shqiptarë, nxënës e nxënëse, mësues e mësuese, se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka, në mënyrë që ju dhe vendi në tërësi, të arrijë me shpejtësi nivelet e vendeve më të zhvilluara, në fushën e dijes, në garën e dijes. Këtë vit, arsimi para universitar bazohet në një ligj të ri të standardeve më të mira evropiane. Vogëlushët e klasave të para kanë në dorë Abetaren e parë mbarëkombëtare në historinë e vendit.

Një ndryshim rrënjësor nis në qëndrimin ndaj gjuhës sonë, gjuhës së nënës sonë, gjuhës më të bukur që mund të flasë njeriu. Në tërë sistemin tonë para universitar vendosen në epiqendër gjuha e matematika dhe, krahas tyre, gjuhët e huaja. Në fund të maturës, çdo nxënës i yni do të jetë një poliglot i vërtetë. Ky është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.

Ndaj dhe le t'u urojmë një vit plot suksese, plot gëzime e shëndet dhe t’u garantojmë se viti që vjen do të jetë një vit edhe më i mbarë, do të jetë një vit në të cilin do të bëjmë gjithçka, do të ndërtojmë e rindërtojmë edhe shkollat e mbetura, në mënyrë që Shqipëria të ketë infrastrukturën më moderne të sistemit arsimor në rajon e më gjerë. Gëzuar”.


10/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›