E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të kompletojmë reformat e kërkuara si dëshmi e vullnetit tonë para shqiptarëve, miqve e partnerëve për të përmbushur, detyrimet që rrjedhin në procesin e integrimit në BE

Në kuadrin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimin e vendit në BE, kryeministri Berisha ftoi opozitën që të bashkëpunojë për kompletimin në afatin kohor më të shpejtë të reformës zgjedhore.

Duke folur për këtë çështje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri vlerësoi se përfaqësuesit e forcave politike në komisionin e reformës zgjedhore kanë bërë një punë shumë të mirë, duke mundësuar që Komisioni të funksionojë me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh.

Kryeministri vlerësoi se puna e madhe që është bërë në këtë drejtim, si dhe fleksibiliteti real që është treguar duhet të shërbejë si një nxitje  për opozitën për kompletimin e reformës, e cila u shpreh kryeministri, tani pothuajse pret vetëm votimin.

Kryeministri kërkoi që të bashkëpunohet për kompletimin e reformave  të kërkuara, si dëshmi e vullnetit të përbashkët para shqiptarëve, miqve dhe partnerëve për të konkretizuar, detyrimet që rrjedhin në procesin e integrimit në BE.

Lidhur me këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:

Natyrisht ajo që të vjen gjithnjë në mendje kur sheh Shqipërinë të ulet si e barabartë në samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut është dhe mbetet përpjekja jonë për integrimin e vendit në BE.

Në këtë kontekst, shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën që të kompletojmë në afatin kohor më të shpejtë, reformën zgjedhore. Mendoj se përfaqësuesit e forcave politike në komisionin e reformës zgjedhore kanë bërë një punë shumë të mirë. Nga një klimë, do të thosha mosbesimi, ky komision ka funksionuar me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh dhe përfaqësuesit e opozitës kanë konstatuar se ne i jemi përmbajtur plotësisht zotimit tonë. Në fillim ata kërkuan që ata të kishin iniciativën dhe mendonin se maxhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj. Ne faktuam se kjo nuk ishte e vërtete, nuk kemi bërë qoftë edhe një propozim të vetëm, por kemi vlerësuar propozimet e opozitës sepse i garantuam që në fillim dhe kjo është e shkruar në marrëveshje.

Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutim, as nga qeveria, as nga opozita, rekomandimi i ODIHR. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektronike nuk vjen se përfaqësuesit e kësaj organizate nuk janë të njohur me moshën dixhitale, përkundrazi ata janë më të njohur se të tjerët për sa i përket zgjedhjeve dhe dixhitalizmit. Ata e njohin më mirë se të gjithë të tjerët sepse vëzhgojnë të gjitha praktikat. Mendoj se rekomandimi i tyre është absolutisht interesi i parë, më i madh i opozitës. Se në qoftë se opozita kërkon siguri në zgjedhje dhe këtë e do me siguri, nuk dyshoj për këtë atëherë pozita nuk mund të vrapojë pas opsioneve, të cilat nuk japin sigurinë e plotë, të cilat nuk janë të testuara. ODIHR kërkon të bëhet një studim pilot. Ky është interesi më i mirë i opozitës në rradhë të parë, por edhe i qeverisë, edhe i shqiptarëve në tërësi. Numërimi elektronik është një realitet i pamohueshëm, por është një realitet me probleme të pamohueshme, të cilat në rastin e fundit u karakterizuan, si nga bllokimi i makinerive edhe ne vende që kanë klimën të paktën 5 deri në 7 gradë më të freskët se Shqipëria dhe u karakterizuan gjithashtu edhe nga ndërprerje të energjisë për shkaqe të ndryshme, në vende që nuk kanë probleme me furnizim energjie. Ndaj dhe unë mendoj që në zbatim të këtyre rekomandimeve, ne të plotësojmë kodin.

Kërkesa tjetër që dy vetë të kenë në dorë gjithçka për materialin zgjedhor është absolutisht kërcënimi më i madh që mund ti bëhet procesit zgjedhor. Në një kohë kur nuk ka vendim që të jetë me më pak se katër vota, kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, për të hapur të gjithë dokumentacionin, çka do të thotë për të futur zgjedhjet  në proces të pafund dhe moskompletimi. Kujt i intereson kjo? Sigurisht është e drejtë që çdo material duhet të hapet, por kjo duhet të jetë Gjykata dhe ne jemi plotësisht dakord, por në se një vendim i tillë i jepet dy përfaqësuesve partiakë, zgjedhjet nuk janë më zgjedhje të qytetarëve, por të dy përfaqësuesve të një partie, cilado qoftë, nuk e paragjykoj që mund ti kapin ato edhe njeherë nga e para, deri në fund për ti shtyrë drejt dështimit.

Unë mendoj se puna e madhe që është bërë, fleksibiliteti real që është treguar, duhet të jetë një nxitje  për opozitën për kompletimin e reformës, e cila pret tani pothuajse vetëm votimin. Është punuar në mirëkuptim të plotë në reformën e rregullores së parlamentit. Është zbatuar absolutisht çdo ndryshim që vjen nga rregullorja e PE, për të cilën kemi rënë paraprakisht dakord. Tani kërkon që kryetari i opozitës të ketë atë të drejte kushtetuese që ka kryeministri i vendit në fjalën e e tij në parlament. Kjo nuk ekziston në asnjë kushtetutë, të hapësirës së këtij kontinenti dhe jo se këto nuk janë vende demokratike, por sepse parlamenti nuk mund të shndërrohet në një forum debati të pafund, parlamenti ka rregullat e tij. Pse kushtetuta ia ka dhënë kryeministrit? Kushtetua ia jep kryeministrit dhe kjo është kushtetutë e hartuar nga PS, sepse kjo është e sanksionuar në çdo kushtetutë evropiane dhe se kryeministri si shef i ekzekutivi duke patur, natyrisht ka detyrimin, por edhe të drejtën që në parlament të japë të gjitha shpjegimet dhe llogaritë kur i kërkohen. Nisemi për të përmirësuar rregulloren dhe dalim tek kushtetuta, të ndryshojmë kushtetutën.

Sidoqoftë unë mendoj se duke mbetur vlerësues për të gjithë punën e bërë, nuk besoj se bllokimi është ajo që kanë nevojë shqiptarët, nuk besoj se duhet të përdor kërkesa të cilat nuk ekzistojnë në asnjë kushtetutë tjetër dhe të kompletojmë reformat  e kërkuara si dëshmi e vullnetit tonë para shqiptarëve, para miqve, para partnerëve për të zbatuar, për të konkretizuar, detyrimet që rrjedhin në procesin e integrimit në BE.


23/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›