Kryeministri Berisha viziton studentet e plagosura në spitalin Ushtarak dhe spitalin Amerikan
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, vizitoi sot pasdite, studentet e plagosura në aksidentin tragjik të një dite më parë në Qafën e Vishës, në aksin Vlorë-Himarë, të cilat ndodhen në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit në spitalin Ushtarak, si dhe studenten, e cila ndodhet e shtruar në spitalin Amerikan, në Tiranë.
Kryeministri, pasi u njoh hollësisht nga ekipi mjekësor me gjendjen e tyre shëndetësore, vizitoi studentet, të cilave u uroi shërim të shpejtë dhe i siguroi se do të bëhet gjithçka për t’u dhënë ndihmën më të mirë.
“Gjendja e vajzave të aksidentuara në tërësi është mirë, por përsëri dy prej tyre përballen me vështirësi shumë të mëdha. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka vendosu lidhje me klinika të huaja dhe në momentin e parë që ato t’i japin dritën jeshile se do t’i pranojnë, ne do t’i nisim, ndonëse këtu është bërë një punë e jashtëzakonshme.
Duke u uruar të gjitha vajzave të plagosura rëndë, në këtë aksident ndër më tragjikët në historinë e vendit, shpesh bindjen se sot, çdo shqiptar kudo që është lutet për to, lutet që ta kalojnë sa më mirë këtë gjendje shëndetësore të krijuar nga aksidenti. Sikundër i garantoj prindërit, familjarët se qeveria do të bëjë gjithçka, çka mund të bëjë mjekësia, për t’u dhënë atyre ndihmën më të specializuar,” - u shpreh Kryeministri, në një prononcim për median, pas vizitës që u bëri studenteve të aksidentuara dhe bisedës me mjekët.
Kryeministri shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë banorët e zonës së Bregut që dhanë ndihmën të parët dhe të gjitha strukturat, policinë, ekipet mjekësore, njësinë e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Forcave të Armatosura, për përkushtimin e tyre maksimal në operacionin e emergjencës, të transportimit të të aksidentuarave në qendrat spitalore dhe ndërhyrjet e specializuara mjekësore.
“Edhe një herë, gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë, vlerësimin më të madh, në emër të qeverisë dhe timin, së pari, për banorët e zonës së Bregut, të cilët shkuan ndër më të parët, me shpejtësi të madhe dhe dëshmuan një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, personelin mjekësor të qendrës shëndetësore të Himarës dhe doktorin e kësaj qendre që ishte ndër të parët, të gjitha ekipet shëndetësore që shkuan nga Tirana, Vlora e Saranda, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në evakuimin në kushte ndër më të vështirat, në ndihmën emergjente dhe në vazhdim në transportin e tyre në qendrat e specializuara, të falënderoj shumë përzemërsisht ekipet e spitalit të Vlorës dhe Spitalit Ushtarak në Tiranës, të cilët ishin të mobilizuara në shkallën më maksimale për të ndihmuar të plagosurit e këtij aksidenti. Mjekët e spitalit Ushtarak kanë realizuar ndërhyrje nga më të komplikuarat, për të shpëtuar jetën e vajzave të plagosura.
Mund të them se operacioni i ndihmës emergjente ka qenë në shkallën më të lartë të organizimit. Ministri i Shëndetësisë ka drejtuar që nga fillimi dhe në vazhdim këtë operacion. Një përgëzim dhe një falenderim të veçantë dua t’u bëj pilotëve dhe ekipit të helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të Forcave të Armatosura, të cilat siç e keni ndjekur, kanë fluturuar pa pandërprerë, madje edhe jashtë kushteve të lejuara për pajisjet që ato kanë, në mënyrë që të shpëtojnë, të sjellin pranë ndihmës më të kualifikuar sa më shumë të plagosur rëndë të këtij aksidenti, që, edhe një herë, do të thoja ndofta më të rëndët në historinë e vendit.
Uroj që vajzat që po trajtohen këtu ta kapërcejnë me sukses të plotë situatën e krijuar, sikundër për dy rastet që përballen me shumë vështirësi uroj që klinika të specializuara të vlerësojnë se mund të thonë një fjalë e ndihmë më tepër në mbështetje të jetës së tyre.”
22/05/2012