Kryeministri Berisha: Zbatimi i skemave të Proff Muhamed Junus, një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjen për të luftuar varfërinë dhe papunësinë

Kryeministri Berisha u shpreh sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara nga Prof Muhamed Junus, i cilësuar si babai i mikrokreditit në botë me disa institucione private në Shqipëri, në fushën e biznesit social, janë një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjen madhore për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Kryeministri tha se skemat e suksesshme të Proff Junus nuk synojnë tu japin racione njerëzve të varfër në nevojë, por synojnë ti mëkëmbin ata nëpërmjet mundit dhe djersës së tyre.
Kryeministri iu bëri thirrje biznesmenëve të japin kontributin e tyre në fondin e biznesit social, i cili synon të të punësojë dhe ti japë mundësi njerëzve më të varfër të hapin biznesin e tyre, të krijojnë të ardhurat e tyre. Kryeministri theksoi se për të gjithë ata që duan të konribuojnë në këtë drejtim, do të hartohet ligji që do tua japë këtë mundësi. “Qeveria do të vendosë fondin e vet në fondin e biznesit social, por nga kjo mbledhje dhe në emër të qeverisë unë ju bëj thirrje bizneseve të japin kontributin e tyre në këtë fond dhe thirrja jone nuk është thjesht një apel njerëzor. Ne si qeveri ne do të vendosim që taksën e dividentit, ato sipërmarrje që duan ta derdhin në fondin e biznesit social, fond që synon të punësojë dhe ti japë mundësi njerëzve më të varfër të hapin biznesin e tyre, të krijojnë të ardhurat e tyre. Pra ato që dëshirojnë ta derdhin këtë fond në biznes social, ne menjëherë do të bëjmë ligjin tu japim këtë mundësi.” shpjegoi kryeministri.
Në fjalën e tij mbi këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
“Dje u firmosën një seri memorandumesh bashkëpunimi midis prof. Muhamed Junus, që është dhe babai i mikrokreditit në botë, Laurat i çmimit “Nobel” për suksesin e tij të jashtëzakonshëm në luftën kundër varfërisë, nëpërmjet mikrokreditit, biznesit social dhe trajnimit, kualifikimit profesional të të rinjve kryesisht , por edhe shtresave të tjera. Gjykoj se ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjen tonë në luftën kundër varfërisë dhe papunësisë.
Skemat e Profesor Junus, të cilat filluan vite më parë në Bangladesh, janë përhapur sot edhe në një seri vendesh të tjera më të zhvilluara, në disa qytete të SHBA, Gjermanisë e shumë e shumë vende të tjera, të cilat natyrisht kanë një situatë ekonomike ndër më të zhvilluarat që ekziston. Këto skema nuk synojnë të japin rracione njerëzve të varfër në nevojë, por këto skema synojnë ti mëkëmbin ata nëpërmjet mundit dhe djersës së tyre, pasi është plotësisht e vërtetë, që asnjë prej tyre nuk meriton të jetë i varfër dhe nuk është për faj të tij i varfër.
Së këtejmi, natyrisht mundësia e nxjerrjes nga varfëria e tij është reale. Le të marrim Shqipërinë. Nga 38 % nivel varfërie në vitin 2001, në vitin 2008, ky nivel varfërie ishte 12,5 %. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Shqipëria ka patur ndër rëniet më të shpejta të varfërisë, por ulje të varfërisë kanë patur edhe një seri vendesh të tjera në përpjekjet kryesore të qeverive për të ulur varfërinë. Të rikthehemi në skemat e Proff Junus. Biznesi social dhe mikrokrediti, trajnimi, kualifikimi i të rinjve, punonjësve janë levat kryesore të këtij mekanizmi. Qeveria do të vendosë fondin e vet në fondin e biznesit social, por nga kjo mbledhje dhe në emër të qeverisë unë ju bëj thirrje bizneseve të japin kontributin e tyre në këtë fond dhe thirrja jone nuk është thjesht një apel njerëzor. Ne si qeveri ne do të vendosim që taksën e dividentit, ato sipërmarrje që duan ta derdhin në fondin e biznesit social, fond që synon të punësojë dhe ti japë mundësi njerëzve më të varfër të hapin biznesin e tyre, të krijojnë të ardhurat e tyre, pra ato që dëshirojnë ta derdhin këtë fond në biznes social, ne menjëherë do të bëjmë ligjin tu japim këtë mundësi.
Zotërinj ministra,
Kam këtu një studim tjetër të kryer në Harvard këto kohë, pwrsa i pwrket taksave. Sepse sot e vërteta është që debati më madhor janë taksat. Është kriza e thellë dhe natyrisht për më shumë se çdo gjë tjetër bëhet fjalë për politika fiskale dhe është një debat i hapur midis akademikëve që kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin në këtë periudhë diskutimet më konsumuese të kohës dhe politikëbëresve, të cilët janë të detyruar që nëpërmjet politikave fiskale, taksave të përpiqen për të përballur me sukses me krizën. Ky studim, tw cilin ia rekomandoj kujtdo ta lexoj wshtw i Gregory Mankiw, profesor në ekonomi Mettheë Weinzierl, profesor në biznes administration dhe Danny Yagan, doktor i shkencave ekonomike. Në studimin e tyre për taksën optimale, pasi tani nuk ka asgjë më të rëndësishme se të gjejmë cila është taksa optimale dhe për ta, taksa më afër optimales është taksa e sheshtë.
Së dyti, për kuriozitetin tuaj, për ata rëndësi kapitale ka heqja e taksës së makinerive, pra atë që bëmë ne tre muaj më parë. “Mos takso kapitalin thotë sepse ai xhiron prodhimin e mesëm. Sikundër të jemi realist, të vetmin përjashtim që ky grup rekomandon, është taksa e makinerive që duhet të hiqet. Natyrisht çdo taksë është një barrë për qytetarin, por ndryshe nuk funksionon. Veçse rëndësi më të jashtëzakonshme ka shpërndarja. Ne sot kemi një certifikatë, kemi një pasaportë nga njëri prej grupeve më të fuqishme të konsulencës që ka gjetur se Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie. Unë e kuptoj që kjo e irriton zotin Rama e irriton shumë atë, por kjo është e vërteta dhe të vërtetat duhen pranuar. Ajo çka ky studim fakton është se një taksë është e rrezikshëm dhe kjo është taksa Koleka apo taksa progresive. Sipas studimit, nëpërmjet kësaj takse, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi. Prandaj ky parim thotë duhet harruar. Ky zotëria nga një anë më tha që nuk e kam dajë unë atë, që e di gjithë bregu historinë e lepurit dhe të maces dhe spo ndalemi këtu se nuk është çështje e mbledhjes së qeverisë. Për mua më mirë ta kishte baba dhe ta mohonte për taksën, sesa të mbajë taksën dhe të hedhë Kolekën. Pra kjo taksë përbën një kërcënim serioz dhe të madh. Uroj që të mos ta përdorë si shpif, e cila është një xhaketë e vjetër që varet në arën e grurit për të mos ta ngrënë zogjtë grurin, për ti trembur, pra të mos e përdorë si dordolec se absolutisht për sa i përket pushtetit ia thashë dhe në takimin tjetër, ky është si personazhi i Dino Buxatit, që mbeti 36 vjet në pritje. Këtë e ka firmosur vetë.
Pra me hapim që bëmë me Junus është një hap shumë i rëndësishëm sepse i jep akses tek kredia atyre që për defininicion bankat dhe sistemi bankar i përjashton për faktin e vetëm se ata nuk kanë kolateral dhe nuk kanë ç’të vendosin për të marrë kredi nga bankat. Kurse sistemi Junus i jep kredi pa kolateral. E tha shumë bukur profesori, që bankat u japin atyre që kanë, kurse ky sistem u jep kredi atyre që s’kanë. Pra vendimi i ardhshëm i yni për të kaluar taksën e dividentit tek sipërmarrjet që duan, se natyrisht ne nuk i imponojmë në fondin e biznesit social është një hap tjetër shumë i rëndësishëm i yni për një shpërndarje më të mirë sepse në fund të fundit e tërë problematika e taksës thjeshtohet në mbledhjen dhe shpërndarjen e saj. Ky ekuilibër përcakton përpjekjen tënde për mirëqënie, si shndërron ti këtë të ardhur më mirëqenie. U faktua që ne renditemi për rritjen në vendin e 4-t , por kjo është një garë e pamëshirë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të forcuar këtë pozicion dhe ky hap është një hap shumë i rëndësishëm.
Prandaj dhe ne duhet të ecim të bazuar në doktrinat më të avancuara fiskale dhe jo në konceptet e Mamuthit të korrupsionit që ishte dhe është Cac Angjeli. Famoz sepse ai është autori i rikthimit të doktrinave të ndryshkura. Po një përgjigje dhe ai e mori në darkën e ngrirë. Kjo nuk mund të jetë objekt i kësaj mbledhje.
23/01/2013