Kryeministri Berisha përshëndet konferencën “Lëvizja për Biznesin Social në Shqipëri”

Kryeministri Berisha e vlerësoi si shumë të rëndësishme praninë e Prof. Yunus në këtë konferencë, si dhe i shprehu atij mirënjohje për përpjekjet mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat në varfëri e vështirësi, për ndërtimin e një jete më të mirë. Duke e garantuar Prof. Yunus për mbështetjen nga ana e qeverisë në këtë nismë thellësisht njerëzore, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte në interesin më të mirë dhe në dinjitetin më të madh edhe të sektorit konvencional që të bashkëpunonte në këtë sektor.
Nisur nga angazhimi i Prof. Yunus se varfëria mund të çrrënjoset, Kryeministri Berisha mori rastin e Shqipërisë, e cila njëzet vjet më parë ishte vendi më i varfër i planetit për të ardhura për frymë dhe falë reformave të thella e politikave të ndjekura u shkëput me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta dhe është vendosur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. “Shqipëria në vitin 2001 kishte një varfëri prej 38 përqind. Shqipëria në vitin 2008 kishte një varfëri prej 12.5 përqind. Shqipëria në vitin 2005 kishte një varfëri ekstreme prej 3.4 përqind dhe kjo zbriti 1.2 përqind në vitin 2008. U ndala në këto shifra, sepse varfëria mund dhe duhet të luftohet”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e falënderoi edhe një herë Prof. Yunus për praninë dhe shprehu bindjen në suksesin në luftën kundër varfërisë, e cila në një shoqëri të lirë është armiku numër Një i qytetarëve të saj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar Prof. Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel në Luftën Kundër Varfërisë,
Zotërinj ministra,
Të nderuar bashkëpunëtorë të Prof. Yunus,
Zonja dhe zotërinj,
Kjo konferencë është një ngjarje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu, para meje, ju dëgjuat nobelistin Muhamed Yunus për luftën e tij kundër varfërisë, përpjekjet e tij mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat në varfëri e vështirësi, për ndërtimin e një jete më të mirë. Profesor Muhammad Yunus, në disa aspekte, më ngjet si binjakë siamezë me Nënë Terezën. Prof. Yunus, unë jam mjek dhe në vitet e rinisë time, si mjek, nuk e kisha takuar ndonjëherë Nënë Terezën, por kisha parë dokumentarë dhe e shihja atë së bashku me motrat e saj të trajtonin njerëz, fëmijë, burra, gra, tërësisht të braktisur. Pyetja e parë që i shtroja vetes ishte se përse Nënë Tereza dhe motrat e saj merren me trajtimin e tyre. Përgjigja ishte e thjeshtë - sepse mjekësia konvencionale nuk merrej me ta. Nuk ishte vetëm mjekësia, por ishte dhe familja që i kishte braktisur ata. Jo vetëm familja, por edhe kishat apo xhamitë. Këtu, në këtë hapësirë, ajo kishte zgjedhur të operonte. Prof. Yunus zgjodhi të operojë në një hapësirë ku sistemi, shoqëria, qeveria, qeverisjet dështojnë dhe ku sistemi konvencional i bazuar në iniciativën e lirë, nuk po flasim për diktatura, për totalitarizëm, por flasim për sistemin e bazuar iniciativën e lirë, sërish jo vetëm që nuk merr pjesë, por në një rreth vicioz mund ta dramatizojë edhe më shumë këtë situatë.
Pak javë më parë një grup ndërkombëtar shumë prestigjioz botoi një studim mbi kthimin e rritjes ekonomike në mirëqenie, kthimin e pasurive në mirëqenie. Ky grup analizonte nga 36 në njërin indeks në 51 tregues në koeficientin tjetër. Në këtë aspekt ishte një nga studimet më përfshirëse. I dashur Prof. Yunus, ky grup gjente se Shqipëria renditej e katërta për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. E vërteta është se për një qeveri nuk ka asgjë më të vështirë sesa shpërndarjen e të ardhurave, nuk ka asgjë më të vështirë sesa parandalimi i thellimit të kanionit që ekziston midis atyre që pasurohen me shpejtësi dhe të tjerëve që mbeten në vendnumëro ose varfërohen. Në Shqipëri, e theksoj edhe një herë, ky grup gjen se renditet e katërta, me Zvicrën, Brazilin dhe Kongon për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie. Mund të ketë skeptikë që habiten. Cilido që jeton në këtë vend konstaton se në Shqipëri, në një hark kohor shtatë vjeçar, janë ndërtuar mbi dhjetë mijë kilometra rrugë. Nuk ka mirëqenie pa rrugë, nuk ka luftë eficiente kundër varfërisë nëse nuk ndërton rrugën. Kushti i parë janë rrugët, shkolla, uji, dritat. Ne i kemi investuar të gjitha paratë që kemi marrë. Të gjitha paratë janë investuar dhe kjo ka bërë që të ketë një shndërrim të rritjes ekonomike në mirëqenie, në nivelet më të mira. Përsëri, në hapësirën ku Prof. Yunus operon ekziston rrethi vicioz, por ky gjeni, me besimin e tij, e ka shndërruar në një rreth virtuoz. E gjithë magjia e punës së tij është ndërprerja e një rrethi vicioz dhe krijimi aty i një rrethi virtuoz.
Prof. Yunus u dha një leksion të shkëlqyer të gjitha qeverive të botës, u dha një leksion të shkëlqyer të gjitha financave të botës. Mikrokrediti është përdorur spontanisht dhe periodikisht, por është përdorur dhe braktisur rëndom. Burri i cili persiston në këtë sistem do të thosha se i humanizon financat. Profesor, financat kanë nevojë për humanizim. Kam krahasim ministrin tim të Financave, bashkëpunëtorin tim të vjetër, i cili përpiqet me angazhim të madh tu japë financave shqiptare një fytyrë sa më njerëzore. Por, sot ai mori një leksion të madh. Se mjafton që qeveria të vendosë që dividendin kompanive tua heqë të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në biznesin social dhe ai dividend bëhet dhjetë herë më i dobishëm për vendin në skemat që ju aplikoni. Kjo është e vërteta.
Leksioni i madh i Prof. Yunus është se varfëria mund të çrrënjoset. Kjo është një e vërtetë e madhe. Po marrim Shqipërinë. Njëzet vjet më parë ne ishim vendi më i varfër i planetit, për të ardhura për frymë. Ne kishim 204 dollarë të ardhura për frymë. Kur unë i jam adresuar Samitit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të isha i vetmi kryetar shteti aty me një rrogë 16 dollarë. Kjo ishte Shqipëria. Por, falë reformave të thella, politikave të ndjekura, Shqipëria me shpejtësi u shkëput nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, me të ardhura të mesme dhe është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria në vitin 2001 kishte një varfëri prej 38 përqind. Shqipëria në vitin 2008 kishte një varfëri prej 12.5 përqind. Shqipëria në vitin 2005 kishte një varfëri ekstreme prej 3.4 përqind dhe kjo zbriti 1.2 përqind në vitin 2008. U ndala në këto shifra, sepse varfëria mund dhe duhet të luftohet. Por të gjitha këto janë përpjekje, le ti quajmë makro dhe asnjëherë nuk mund të realizosh atë që arrin në qoftë se nuk vendos të shërbesh dhe skemat si biznesi social, mikrokrediti, trajnimet. Pra një set tjetër masash që, në vlerësimin dhe në bindjen time, janë të pazëvendësueshme. Do të ishte në interesin më të mirë, në dinjitetin më të madh të sektorit konvencional që të përfitonte nga ky sektor, të bashkëpunonte me këtë sektor. Këto janë dhe skema të vetëfinancuesve, janë skema të qëndrueshme dhe janë shumë suksesshme. Vitet e para ishin në Bangladesh, në periferi, ndërsa sot këto skema janë në vendet më të pasura të planetit, kanë zbritur në Gjermani, kanë zbritur në metropolin e Shteteve të Bashkuara, në Nju Jork. Edhe me Prof. Yunus kur jam takuar kemi qenë në Nju Jork.
Unë e konsideroj këtë një ngjarje shumë të madhe për vendin tim. Ju garantoj ju se qeveria do të mbështesë fuqishëm këtë nismë thellësisht njerëzore. Qeveria ime shpenzon çdo vit për të ashtuquajturën ndihmë ekonomike 160 milionë dollarë, e cila, absolutisht, në një përqindje të madhe është një lloj shpërdorimi ekonomik, i ndahet në pjesë të barabarta atij që ka nevojë dhe atij që s’ka nevojë, etj., etj. Sikur një pjesë të këtyre fondeve ti devijojmë dhe t’ua japin mikrokredi këtyre familjeve në nevojë do t’i ndihmojmë që me djersën e tyre të dalin nga varfëria, të kenë një jetë më të mirë.
Prof. Yunus është një mik i shquar i kombit shqiptar. Në ditët më të vështira për shqiptarët e Kosovës, kur me mijëra vajza dhe gra kishin humbur bashkëshortët e tyre, Prof. Yunus bëri gjithçka ti ndihmojë ato për të ndërtuar jetën e tyre. Skema dhe përpjekja e tij ka një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm, pushtetin ekonomik të grave, vajzave, zonjave.
Qeveria ime ka bërë përpjekje shumë serioze në zbutjen e pabarazisë së madhe financiare, diferencës së madhe që ekzistonte në rrogat midis burrave dhe grave në këtë vend. Në ligj nuk kishte asnjë dallim në paga midis gjinive, por në realitet në vitin 2005 ky dallim ishte 36 përqind. Me ndërhyrjet e bëra qeveria ia ka dalë sot ta ngushtojë këtë diferencë në 17.7 përqind dhe kaq është diferenca në Bashkimin Evropian. Madje janë dhjetë vende që e kanë diferencën më të madhe edhe se kaq. Përsëri kjo angazhon punonjësit buxhetorë të sipërmarrjeve, kjo përjashton të përjashtuarit e shoqërisë dhe të përjashtuarit janë të varfrit. Me këtë skemë, të bazuar kryesisht në gruan kryefamiljare, bëhet edhe një hap tjetër i madh drejt zvogëlimit të murit të patriarkisë dhe ecet me vendosmëri drejt asaj që ne e quajmë barazi gjinore, por që, në fakt, në realitet është pabarazi gjinore. Në mënyrën më të përsëritur ne u kërkojmë bankave që kreditë ti orientojnë drejt grave. Por, siç e thatë dhe ju, bankat janë qenie pa zemër. Nuk kanë zemër dhe kjo nuk ndodh. Edhe parë në këtë aspekt, ky aktivitet është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë.
Unë, i dashur Prof. Yunus, ndjehem shumë krenar me praninë tuaj sot këtu dhe më i bindur se kurrë në suksesin tonë të përbashkët në luftën kundër varfërisë, që në një shoqëri të lirë është armiku numër Një i qytetarëve të saj. Natyrisht, e tillë është dhe sëmundja, por asgjë nuk është më e lidhur me varfërinë sesa sëmundja. Ndaj le të vazhdojmë ne së bashku me besimin e plotë se do të çrrënjosim varfërinë nga ky vend.
Faleminderit shumë!”
22/01/2013