Kryeministri Berisha apel opozitës për imunitetin: Në 6 gusht t’u themi shqiptarëve se pranojmë të jemi të barabartë me ta para ligjit
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i ridrejtoi edhe një herë thirrje opozitës dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që në 6 gusht të votojnë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.
Kryeministri vuri në dukje se, në historinë e politikës botërore, nuk ekziston as edhe një rast i vetëm në të cilin opozita kundërshton heqjen e imunitetit, në të cilin opozita e do qeverinë dhe qeveritarët me imunitet.
Nga heqja e imunitetit, theksoi Kryeministri, humbasin vetëm ata të cilët u duhet imuniteti për të mbrojtur pasurinë e tyre të paligjshme, veprimtarinë e tyre të paligjshme. Por fiton çdo shqiptar, fiton politika shqiptare e cila bëhet më transparente, fiton shoqëria shqiptare, e cila me këtë akt madhor bën më transparent zyrtarët e saj, fiton vendi sepse hedh dritë në një rrugë, në rrugën e integrimit, lehtëson këtë proces dhe bën një dëshmi serioze të vullnetit të hekurt të shqiptarëve për t’u bashkuar me Evropën.
Kryeministri tha se mazhoranca i ka bërë zotit Rama çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit.
Në fjalën e tij të plotë për këtë çështje, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
Edhe njëherë ju falënderoj që takohemi këtu dhe natyrisht, çështja jonë më kryesore është data 6 gusht. Ende, zoti Rama, mesa duket nuk do të pranojë të votojë për heqjen e imunitetit dhe kalon nga një pretekst absurd në një pretekst tjetër absurd.
Edhe njëherë, dua të qartësoj qytetarët shqiptarë se kjo mazhorancë i ka bërë zotit Rama çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit. Është zoti Rama ai që ka kërkuar rreth 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe ne këtë e pranuam. Zoti Rama, pas kësaj iu kundërvu draftit të përgatitur nga ekspertët më të mirë ndërkombëtar, veçanërisht në dy klauzola; në klauzolën e kontrollit të banesës. Një mik i imi më kishte thënë se mund të ndodhë çdo gjë në botë, por ata nuk do ta pranojnë këtë gjë. Ai më thotë një rast konkret, kur para disa vitesh, u diskutua se mund të kërkohej heqja e imunitetit, nga prokuroria, për njërin prej tyre dhe atij iu desh 1 javë për të sistemuar 4 milionë euro që mbante në arkë, në sënduk, në shtëpi. Unë nuk i numërova ato, por po ju them absolutisht se çfarë më tha një njohës i tyre shumë i hollësishëm.
Ata kërkuan që të mos ketë kontroll banese pa leje dhe ne e pranuam, kërkuan që të mos ketë arrest, pa marrë miratimin e parlamentit dhe ne e pranuam. Pra, çdo kërkesë që ata kërkuan, ne ua pranuam.
Më në fund, deklaruan se datën 6 nuk e pranojmë, sepse atë e përcaktoi shumica, një e pavërtetë e madhe kjo. Data 6 është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS për procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Po të kemi parasysh, në mbledhjen e fundit të kryesisë, përfaqësuesit socialistë e pranuan që ky është një proces i përcaktuar në rregullore. Aq më tepër, në datën 12 korrik, në seancën plenare të Parlamentit, as edhe një socialist i vetëm nuk kundërshtoi rendin e ditës kur u caktua data 6 për votimin e ndryshimeve kushtetuese. As edhe njëjtë i vetëm, as edhe ata që e kundërshtojnë tani. Pra, data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit, është datë e përcaktuar me konsensus në datën 12 korrik, në seancën e parlamentit.
Nëse ti nuk do, thuaju zotëri se unë nuk mund të prek imunitetin e miliarderëve të mi. Dje ata bënë një akt të veçantë, deklaruan se ne jemi të gatshëm të rrimë pa imunitet. Por tre prej tyre nuk u shprehën, për të mos thënë edhe më i rëndësishmi i tyre, i cili është edhe “Eminenca gri” i PS-së, defakto, nënkryetari i saj, zoti Kokëdhima. Ai nuk u shpreh. Ju do thoni se përse duhet të shprehet ai. Administrimin e kryetarit e ka ky zotëri. Po të kemi parasysh të gjithë në PS, përveç fabrikës së 99-ave, “eminenca gri” është ky zotëri që ka hapur me dhjetëra procese ndaj kryeministrit, për faktin e vetëm se deklarova njëherë në Himarë se ai i ka vënë brirë Himarës, ose i ka zënë sytë me ato pallate që ka ndërtuar.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se ai nuk lejoi këta zotërinj të votojnë heqjen e imunitetit. Ai i krahason ata me republikanët. Këta thotë ai, kanë hyrë në politikë si republikanë. As Sterkaj vet nuk e pranon këtë punë. Vetëm ai mund ta bëjë një krahasim të tillë. Kaq shumë është i detyruar ndaj atyre, kaq shumë është i kurbuar ndaj tyre, saqë i duken si republikanë. Ngadalë ngadalë, ai do të thotë se PS është një parti republikane. Fjalën më të vështirë që ka për të shqiptuar ky zotëri është fjala “socialiste”. E thotë ndonjëherë a thua sikur ka bërë ushtrime logopedie, për ta nxjerrë atë fjalë. Njëherë ia nis me “as djathtas as majtas”, pastaj me “përtej të djathtës e të majtës”, pastaj e katandis kokoshin një thelë, në Parti Socialiste.
Sidoqoftë, unë edhe njëherë, i bëj thirrje zotit Rama; Shpirti olimpik është së bashku, është shpirti i bashkimit të përpjekjeve për qëllime të mira, pavarësisht nga dallimet dhe këtu, heqja e imunitetit është një qëllim madhor. Heqja e imunitetit kundërshtohet vetëm nga ata të cilët nuk pranojnë të jenë të barabartë me qytetarin e thjeshtë përballë ligjit. Kjo është kaq evidente ne Shqipëri se në asnjë vend tjetër.
Kur fëmijët dhe anëtarë të familjes së imunitarëve, skuqin me gjak të pafajshëm rrugët e qyteteve, sepse mburojë e tyre është imuniteti i familjarëve (shikoni dënimet që janë dhënë për këto raste), kur lahen shuma të mëdha parash dhe institucioni i larjes së parave denoncon në mënyrë të përsëritur këta paralarës me imunitet, imuniteti i tyre i mbron në mënyrë të verbër dhe i përkul organet e drejtësisë, kur me miliona taksa e tatime fshihen e shndërrohen në pasuri të paligjshme, duke hequr kafshatën qytetarëve të varfër, imuniteti shndërrohet në mburojë të pa cënueshme, për të mos thënë, që përdoret rëndom për trafiqe kriminale.
Ne duhet të votojmë në datë 6 dhe unë i bëj thirrje zotit Rama: një akt të tillë madhor ta shndërrojmë në histori suksesi për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk fiton qeveria, nuk fiton opozita, fitojnë të gjithë sëbashku. Kjo nuk është një garë për kredibilitete, sepse ne sot po bëjmë atë që ligjvënësit, në vendet më demokratike të botës, e kanë bërë dhjetëra e qindra vjet më parë. Po pranojmë një parim universal se, njerëzit lindin të barabartë para Zotit dhe ligjit, se Zoti i bën njerëzit të barabartë, pranojmë t’u heqim qytetarëve shqiptarë nga shpatullat një armik të egër që në dhjetëra e qindra vendime në Gjykata, u mohon të drejtat e tyre, një armik të egër që po bllokon rrugën evropiane të tyre.
Kjo është një kërkesë universale e miqve tanë, e Komisionit Evropian, shprehur kjo në një letër nga Komisioneri Fyle dhe, së fundi, nga Departamenti i Shtetit, shprehur në mënyrë të përsëritur, nga përfaqësuesi i Presidentit Obama në Shqipëri, ambasadori Arvizu, nga të gjithë miqtë tanë kudo që janë; të votojmë heqjen e imunitetit. Këtu humbasin vetëm ata të cilët u duhet imuniteti për të mbrojtur pasurinë e tyre të paligjshme, veprimtarinë e tyre të paligjshme. Por fiton çdo shqiptar, fiton politika shqiptare e cila bëhet më transparente, fiton shoqëria shqiptare, e cila me këtë akt madhor bën më transparent zyrtarët e saj, fiton vendi sepse hedh dritë në një rrugë, në rrugën e integrimit, lehtëson këtë proces dhe bën një dëshmi serioze të vullnetit të hekurt të shqiptarëve për t’u bashkuar me Evropën. Para pak ditësh, parlamenti sllovak votoi për këtë çështje. Në Sllovaki udhëheq një koalicion i majtë, por ata votuan në unison për heqjen e imunitetit, apo kufizimin e tij.
Edhe njëherë zoti Rama, ju bëj thirrje të mos mbroni murin e imunitetit, por ta rrëzojmë atë. Në historinë e politikës botërore, nuk ekziston as edhe një rast i vetëm në të cilin opozita kundërshton heqjen e imunitetit, në të cilin opozita e do qeverinë dhe qeveritarët me imunitet. Njëri nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, avokati Ngjela, natyrisht jo në akt, sepse dihet se çfarë qëndrimesh ka ai që kur u ribashkua me familjen e neobllokmenëve, (për hir të së vërtetës, aty ku ka të drejtë, ka të drejtë), i thotë: imuniteti duhet të hiqet për qeverinë dhe është e paimagjinueshme që një opozitë të ketë frikë nga heqja e imunitetit.
Nuk ka diskutim që qëllimi kryesor i heqjes së imunitetit është qeverisja dhe qeveria, sepse ata administrojnë fondet e mëdha publike të vendit, sepse ata drejtojnë prokurimet, doganat, tatimet, tenderët e me radhë. Kush mund ta kuptojë që, këtu te ne, qeveria prej kaq vitesh insiston, kurse opozita kundërshton. Kjo është një gjë shumë e gabuar.
Nëse ata mendojnë se qytetarët shqiptarë nuk e kanë idenë e barazisë para ligjit, nëse mendojnë se qytetarët shqiptarë nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë imunitet dhe keqpërdorim i tij, gabojnë rëndë. Absolutisht, ata që merren me politikë, një nga gabimet fatale që bëjnë, është fakti se injorojnë konkluzionet e qytetarëve të thjeshtë, të cilët, pa pasur informacionin që ata kanë, arrijnë në saktësinë më të madhe për çështjen apo problemin që është shkruar. Zoti Rama mund të mendojë se shqiptarët e kanë të vështirë të lidhin papunësinë e tyre me heqjen e imunitetit. Jo, ata nuk e kanë fare të vështirë, sepse ata e dinë se çdo qindarkë që vidhet dhe përvetësohet nën imunitetin, ata e dinë se çdo vendim i padrejtë që jepet në gjykata dhe që mbrohet me imunitet, vështirëson investimet dhe krijimin e vendeve të punës. Pensionistët e dinë se, çdo evazion fiskal do të thotë që pensionet të mos rriten aq sa ata e meritojnë, njerëzit e dinë se çdo evazion fiskal se çdo fshehje në taksa e dogana, do të thotë të mos investohet rrugica e tyre, ujësjellësi e tyre, kanalizimet e tyre, do të thotë të mos u jepet një ndihmë fermerëve. Është jashtëzakonisht e papranueshme të kundërshtosh bazuar mbi faktin se njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojnë. Njerëzit e thjeshtë kuptojnë në shumë raste, shumë më kthjellët, më thjeshtë dhe më saktë se sa politikanët. I them zotit Rama se në të gjitha studimet, për këtë komb ekziston një vlerësim; inteligjenca (por jo pa kusure të tjera natyrisht). Të mos mendohet se qytetarët e thjeshtë nuk janë të interesuar për heqjen e imunitetit, qytetarët e thjeshtë mezi presin datën 6 gusht që ne të votojmë së bashku.
Ne të kemi plotësuar çdo kërkesë për imunitetin zotëri. Deshe heqje me Kushtetutë, e bëmë me Kushtetutë, deshe të mos ketë heqje të plotë por kufizim, e pranuam, deshe që çështja e arrestimit të bëhet me leje të parlamentit, ndonëse u largove nga një parim që nuk mund të largohet kurrë një politikan, e pranuam, deshe të mos kontrollohet banesa pa leje, sepse janë sëndukë që nuk dinë ku t’i çojnë dhe duhet të kenë kohë, edhe këtë e pranuam, me idenë se, sot bëjmë këtë hap shumë të rëndësishëm, çojmë një mesazh të madh në Evropë e në botë dhe procesi është në dinamizëm.
Ndaj edhe njëherë, të bëj thirrje që në datën 6 gusht, lejoje grupin tënd parlamentar të votojë. Shumica e grupit socialist nuk ka frikë heqjen e imunitetit, shumica e grupit ndjen përgjegjësi para qytetarit të thjeshtë socialist dhe pranon të jetë i barabartë me ta. Natyrisht, më kompleks është problemi për neobllokmenët të cilët, për shkak të trashëgimisë, nuk pranojnë kurrë barazi para ligjit, më problem është për klubin e miliarderëve. Dje ata bënë një deklaratë, por sot i pashë tek thoshin që do votojmë, por po na tha kryetari. Domethënë, e kanë varur gozhdën te kryetari, sigurisht te arka e partisë, kjo punë është e qartë. Kryetari, si shpërblim, i krahasonte ata me republikanët. Të krahasosh Fidelin me republikan, një kryebixhozxhi të Ballkanit, do me thënë që të të ketë verbuar, njëherë me pallate, e pastaj me të gjitha.
Sidoqoftë, ne dëshirojmë, ne ftojmë, ne shpresojmë, që 6 gushti të jetë ditë e qytetarit shqiptar, ditë në të cilën, me një akt historik, t’u themi shqiptarëve se ne pranojmë të jemi para ligjit të barabartë me ta. Faleminderit”
30/07/2012